Tri netë magjike në Aulonën e lashtë e Vlorën e re

Kultura

Tri netë magjike në Aulonën e lashtë e Vlorën e re

Nga: Ramazan Çeka Më: 22 qershor 2021 Në ora: 13:41
Ramazan Çeka

I privilegjuar dhe tejet i nderuar nga ftesa e përhershme, kësaj rradhe ndoshta edhe për efekt të ndjeshmerisë pas kovidit, vendosa ta pranoj ftesën për këtë aktivitet madhështor për të cilin do jap edhe opinionin tim, jo thjeshtë si gazetar, poet apo publicist, por edhe si qytetar tek e pashë Vloren aq madhërishem si kurorë të dinjitetit kulturor mbarë kombëtar.

Det me valltarë,

Dritë me grupe artistike,

Diell shqiptar,

N'mes të Vlorës historike!

"Aulona Inter Folk Festival" ky emër sa motivues po aq edhe autentik, shpalosi siparin e edicionit të 13-të tij në qytetin e mrekullive ku bashkë me të katër pasuritë e natyrës; relievin, ajrin, diellin dhe detin u gërshetuan krejt këndshëm arti, kultura, tradita dhe dinjiteti i këtij qyteti, pritshmëritë e të cilit sa vijnë e rriten falë edhe konkurencës panoramike që e kishte transformuar Vlorën në një perlë, ç'ka bënte t'i shtohet rëndësia, vlera dhe kuptimi, këtij festivali multikulturor me pjesëmarrje ansamblesh dhe grupesh artistike kombëtare e ndërkombëtare. Dhe sërisht gjithça lidhet me emrin e një njeriu, Sejmen Gjokoli, pasi largpamësia dhe konributi i tij individual prej vizionari në sektorin e kulturës e ngre këtë festival në peshën e një institucioni të përkushtuar, ku detyra dhe pasioni për të shpalosur vlerat e këtij qyteti janë ajri që i mundëson atij frymëmarrjen jetike, nëpërmjet turizmit kulturor.

Ndoshta falë edhe dhuntisë së tij, ku pesha e fjalës dhe e komunikimit ka bërë që në Vlorë t'i hapet çdo derë, ende pa trokitur tek instancat përkatëse apo zyrtarët me të cilët suksesshëm bashkëpunon prej 13 vitesh, ku falë edhe këtij bashkëpunimi të ndërsjelltë u ngjiz edhe Qendra Kulturore "Aulona", të cilën me plot bindje do ta quaja sa rajonale po aq edhe kombëtare, pasi fusha e veprimtarisë së saj nuk ka kufij, gjë që dukshëm u duk për tre net me rradhë në skenën e festivalit "Aulona Inter Folk Festival", mu në zemër të qytetit të Vlorës.

I privilegjuar të ndjek hap pas hapi deri në detaje këtë festival dhe aktivitetet ditore të organizuar në shenjë mikpritje për grupet dhe shoqëritë kulturore pjesëmarrse vura re se me sa shije e kujdes ishin përzgjedhur hapësirat publike e kulturore deri tek ato gastronomike, ku të pranishmit të merrnin kënaqësi të shumëfishta, të cilat njëkohsisht përkthehen në shërbim të drejtpërdrejtë të turizmit kulturor e detar në këtë kohë sezoni turistik.

Publikimi i këtyre organizimeve festive ishte shërbimi më i nevojshëm i këtij qyteti në këto momente, ndaj ishin me vend të gjitha ato vlersime pozitive që qytetarët e Vlorës i bënin festivalit, të cilët edhe ata vetë e ndoqën hap pas hapi deri në natën finale.

I përfshirë në brendësi si publicist dhe gazetar u informova edhe për detajet e organizimit të këtij festivali dhe stafit të punës, të cilët rezultuan të jenë të gjithë njerëz të artit e kulturës, specialistë të trashëgimisë kulturore dhe pasionantë të ruajtjes dhe kultivimit të vlerave kulturore shpirterore: Kryesonte Sejmen Gjokoli, "Mjeshtër i Madh", drejtor i përgjithshëm i festivalit me bashkpuntorë, Prof. Vaso Tole, udhëheqës artistik, Petrit Ruka "Mjeshtër i Madh", regjisor, Kozma Billa, drejtor organizator, Arben Beqiri, koordinator me jashtë, Anka Paparizo, koordinatore me bashkinë apo Arben Bllaci, drejtor i gazetës së festivalit, si dhe mjaft persona të tjerë që merreshin me pjesën skenike dhe shoqërimin e grupeve konkurente.

Tek i shikoje ashtu të mbledhur bashkë këto grupe artistike në të cilët dominonte entuziazmi dhe freskia rinore ishte e vështirë të kuptoje se kujt grup, krahinë apo shteti i përkisnin, aq shumë të shkujdesur në botët e tyre, kishin depërtuar tek njëri-tjetri dhe ishte pikërisht prezantuesja e talentuar e festivalit Migena Kraja, një nga emrat e njohur të ekranit shqiptar, që me shumë elegancë bënte të prezantoheshin grupet tek i ftonte ata në skenë me performancat e tyre tejet të arrira deri në perfeksion, koreografi, kostumografi dhe paraqitje skenike.

Në shenjë mikpritjeje edhe përshëndetëse për pjesëmarrësit, siparin e edicionit të 13-të të "Aulona Festival" e hapën të zotët e shtëpisë me grupin e valleve të Qendrës Kulturore të bashkisë Vlorë, ku vajza të reja pasionante të folklorit, të përgatitura nga koreografja Anxhela Kapllani u paraqitën me një valle me motive të Jugut.

Në skenë u ngjiten me rradhë Ansambli "Emin Duraku" nga Shkupi me një CV mjaft të pasur artistike, si një nga ansamblet shqiptare që gjallon në kryeqytetin e vendit fqinj me një histori të pasur veprimtarie brenda dhe jashtë vendit për rreth 73 vite. Themeluar në vitit 1948 në Shkup, në Maqedoni, me shqiptarë e për shqiptarët. Në repertorin e këtij ansambli ka mjaft koreografi, ku burimi i tyre folklorik rrjedh nga trojet shqiptare në Maqedonin e Veriut dhe jashtë saj.

Ky grup i mrekullueshëm kishte edhe një udhëheqës të mrekullueshëm, artistin e mirënjohur koreografin Fadil Zeneli.

Ky ansambël ka marrë pjesë në shumë manifestime kulturore, koncerte, regjistrime televizive, festivale mbarëkombëtare në Kosovë e Shqipëri, si dhe ato ndërkombëtare: në Itali, Ukrainë, Rumani, Turqi, Bullgari, Gjeorgji, etj ku është vlerësuar me çmime nderi.

Për të ruajtur këtë gërshetim ndërkulturor organiazorët ishin kujdesur që grupet të performojnë sipas listës së regjistrimit si pjesmarrës ndaj i treti në rradhë që shkeli skenën e festivalit ishte Ansambli "Silvana" nga Rumania, i cili vinte për herë të parë. I themeluar në vitin 1975, cilësohej si ansambli më emblematik i qytetit Deva, si dhe i krahinës së Transilvanisë në Rumani.

Ky grup përbëhet nga të rinj, djem e vajza nga qyteti i Devas dhe rrethinat e tij, të cilët ruajnë dhe interpretojnë vallet tradicionale nga zonat e vendit. Në civinë e tij ky grup kishte një jetë të pasur me aktivitete dhe pjesëmarrje në festivale brenda e jashtë vendit, si në Egjipt, Belgjikë, Francë, Zvicër, Itali, Greqi, Turqi, Serbi dhe shumë vende të tjera.

Në "Aulona Festival" u paraqit me disa valle tradicionale që janë specifike për zonën nga ata vijnë nën kujdesin e koreografit Gabor Andrei. Në skenë u ngjitën njëri pas tjetrit pastaj grupe valltarësh nga Elbasani dhe Memaliaj me performancë këngësh dhe koreografi të spikatura aq bukur sa emocionet ishin të pashmangshme, çka u përkthye në duartrokitje të zjarrta nga spektatorët e shumtë.

Me po të njëjtin entuziazëm u mirpritën edhe Ansamblet "P & E", Vlorë, si dhe Folk Grup "Bilbili" nga Vlora, i cili gjithashtu me një background të pasur artistik përgjatë këtyre 27 vite të ekzistencës së tij, i cili vetëm mbas pak ditësh do të përfaqësojë Shqipërinë në Folkloriadën e 6-të Botërore, Rusi 2021.

Me shumë dinjitet artistik u paraqitën edhe anëtarët e shoqatës "Migjeni" të ardhur nga Sllovenia dhe konkretisht nga kryeqyteti i vendit, Lubjana, falë edhe ndërmjetësimit të Ambasadës tonë atje, të cilën gjej rastin edhe në emer të organizatorëve ta falenderojmë për bashkëpunimin dhe gadishmërinë e treguar me këtë rast.

Ansambli nga qyteti i Gjilanit dhe që mban emrin e tij ishte surpriza e festivalit, nisur nga performanca në nivele dinjitoze patriotiko-folklorike. Themeluar në vitin 2003 nga një grup artistësh të qytetit të Gjilanit me qëllim ruajtjen dhe kultivimin e vlerave etno-kulturore të melosit shqiptar të krahinës së Anamoravës.

Me veprimtarinë e tij të gjerë në këto afro dy dekada, ky ansambël ia ka arritur të ruajë edhe vallen tradicionale e të përpunuar, por edhe këngën e muzikën popullore folklorike të të gjitha zhanreve. Ansambli ka një jetë të pasur koncertore brenda dhe jashtë vendit si në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Mal të Zi, Turqi, Bullgari etj, ku edhe është vlerësuar me çmime të ndryshme, nën kujdesin e veçantë të Nehat Ferhatit.

Mjaft surprizues ishte edhe Ansambli "Skënderbeu" i qytetit të Korçës, i cili nën kujdesin e Qendrës Kulturore të Bashkisë së këtij qyteti dhe koreografit profesionist Bardhi Pojani shpalosi vlera të jashtzakonshme kulturore. Është nga ansamblet më të suksesshme në Shqipëri, duke patur në përbërje dhe të pandara orkestrinën popullore dhe grupin e valleve. Ka përfaqësuar Korçën dhe vendin tonë në shumë ngjarje artistike dhe festivale kombëtare e ndërkombëtare, me një gjeografi të gjerë shtetesh si Francë, Spanjë, Hollandë, Rusi, Ukrahinë, Greqi, Maqedoni, Turqi etj. Mban dhjetra trofe e vlerësime për nivel të lartë artistik dhe interpretim të shkëlqyer të vlerave folklorike të trashëgimisë tonë tradicionale.

Pa dyshim, magjia e "Aulona Fest" 13 ishte Ansambli "Gojus" që vinte nga Lituania, nga pjesa që laget nga Balltiku. I përbërë nga grupi i valleve të Qendrës Kulturore Lituaneze Anykšciai i krijuar plot tri dekada më parë. "GOJUS" është emri simbolik që lidhet me vendin më të bukur natyror, me një biodiversitet të pasur me pyje, me florë dhe faunë autentike, ku po aq të ndryshëm për nga karakteri janë edhe anëtarët e këtij grupi folklorik; studentë dhe njerëz të profesioneve dhe shkollave të ndryshme, të cilët dëshirojnë të ruajnë vlerat e trashëgimisë shpirtërore të kombësisë së tyre duke e mbrojtur nga asimilimi kulturor.

Ky ansambël i kushtonte shumë vëmendje kostumeve autentike kombëtare dhe traditave folklorike, të cilat pasqyrojnë frymën lituaneze të shekullit të 19-të e deri tek ato mesjetare të trashëguara me mjaft fanatizëm, si pasuri kombëtare.

"Gojus" u dallua për kërcimet dhe muzikën e mahnitshme të periudhës së Rilindjes të shoqëruara me kostumet unike mbretërore të shekujve 15 – 16 dhe fisnikërisë oborrtare të asaj kohe. Pjesëmarrës në shumë festivale ndërkombëtare si në Letoni, Austri, Poloni, Belgjikë, Hollandë, Itali, Suedi, Bullgari, Kroaci, Çeki, Turqi, Jordani etj.

Ky ansambël vjen për herë të parë në Shqipëri ekskluzivisht për "Aulona Inter Folk" dhe për paraqitjen tepër dinjitoze, në natën finale u vlerësua me Kupën e festivalit, të vetmin trofe që ndan ky festival ndërkombëtar folku.

I mahnitur nga perfeksioni skenik i subjekteve artistike, si dhe magjia që i fali skenës moderatorja e mrekullueshme e këtij festivali Migena Kraja, për tre net me radhë, mbeshtetur mbi një libret artistikisht dinjitoz dhe shumë profesional e mbylli këtë pasqyrë përshkrimi me vlerësimet maksimale për organizatorët, pjesëmarrsit, operatorët famozë të rtsh, i cili pati eksluzivitetin ta filmonte i vetëm këtë aktivitet mbarëkombëtar, të vetmin në lloin e tij në Shqipëri e më gjërë. Për realizimin televiziv ka meritë të veçantë edhe regjisori i këtij televizioni, i pasionuari dhe i palodhuri Llesh Nikolla.

Qershia mbi tortë për mua është t'i shpreh mirënjohje prej zemre mikut tim fort të çmuar Sejmen Gjokolit, i cili mu gjet shumë pranë gjatë pandemisë dhe sot me vullnet të pashoq e sfidoi atë për Vlorën e tij të shtrenjtë, për kulturën dhe folkorin që na lidh pa përjashtim me rrënjët tona të thella sa vetë historia. Prandaj dhe këtë shkrim do ta mbylli me një urim special për këtë intelektual dhe artist, duke i uruar atij jetë të gjatë, por veçanërisht të suksesshme në këtë mision kaq fisnik për ruajtjen dhe promovimin e kulturës sonë mbarëkombëtare.

Urime edicionit që sapo u mbyll dhe mirësevjen edicioni i XIV, në pranverën e vitit 2022!

Vlorë – Shkodër; Qershor 2021

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat