Nxënësi, prindi, shoqëria dhe shteti

Kultura

Nxënësi, prindi, shoqëria dhe shteti

Nga: Mustafë Krasniqi Më: 24 qershor 2021 Në ora: 00:23
Takimi online

Fjala ime, Mustafë Krasniqi, e mbajtur në Konferencën e përbashkët të institucioneve të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës me mësimdhënësit shqiptarë në mërgatë

Fillimisht temën po e nis me thënien e (Piazhe Griande). “Qëllimi kryesor i arsimimit është që të krijojë njerëz që janë të aftë të bëjnë gjëra të reja, jo thjesht ta përsërisin atë që kanë bërë brezat e tjerë…”

Gjuha ka vlerë të madhe dhe shumë të rëndësishme, pa të cilën nuk kultivohet as kultura dhe as qenësia e një populli. Kështu, kultura lidhet ngushtësisht me qenësinë e një populli i cili ndodhet në atdhe dhe mërgim . Andaj, kur flasim për gjuhën dhe vlerat e saj, ne do të ndalemi te një dukuri shqetësuese, që e hasim te mërgata jonë shqiptare, konkretisht te fëmijët mërgimtarë, te të cilët e folmja e tyre në gjuhën shqipe, jo vetëm që ka filluar të zbehet, po dita-ditës po vjen duke u shuar dëshira për ta mbajtur gjallë ndjeshmërinë e të shprehurit në gjuhën e nënës. Ndaj duke parë mirëfilli këtë fenomen duhet të mbajë përgjegjësi: shteti, shoqëria, sidomos prindi, i cili shpesh gjendet në hamendje përballë dy realiteteve:

Image
Takimi online

- Brezi i dytë, në përpjekje për t’u integruar me kulturën vendase, bëhet më i  pa interesuar për gjuhën e origjinës!

- Në anën tjetër injorimi, duke menduar se gjuha shqipe nuk iu hyn në punë, apo se atë e dinë mjaft, ka krijuar një mendim a bindje shumë të gabuar se gjuha e origjinës po i pengon fëmijët në përvetësimin e gjuhës së vendit, në të cilin jetojnë .

Të dy këto pohime nuk qëndrojnë, sepse njohja e gjuhës amtare është një vlerë më tepër për fëmijët, pasi ata, kështu, arrijnë suksese edhe më të mëdha. Megjithatë, duhet ta pranojmë një fakt se në mesin e shoqërisë,  prindërit e mërguar,  pa dashje i ngatërrojnë këto dy koncepte, të cilat jo vetëm që bëhen pengesë për fëmijët a nxënësit të mos e vijojnë shkollën shqipe, por kështu humbet shumëçka shqiptare. Në këtë gjendje arrihet pasi ata nuk janë të informuar si duhet, prandaj edhe botëkuptimi i tyre është i gabuar dhe kështu ata bien në ndikimin e atyre që thonë: «Gjuha amtare, pra shqipja, nuk i duhet fëmijës tim, ngaqë është e tepërt.» Kështu ata justifikojnë atë, se fëmijët e tyre e njohin  mjaftueshëm gjuhën shqipe dhe nuk kanë nevojë të shkojnë në mësimin plotësues.

Pra, për këtë arsye raporti i mirë i shtetit, shoqërisë dhe i prindit është shumë i nevojshëm, duke mbajtur marrëdhënie shumë më  bashkëpunuese, sepse kështu fëmijët do të  jenë shumë më të nxitur për ta njohur identitetin, trashëgiminë, kulturën dhe gjuhën e tyre, prandaj ata me vullnet do të shkonin edhe në shkollën shqipe. Në këtë rast mësimdhënësi dhe prindi do të ishin çelës kryesor, pas rolit të shtetit dhe shoqërisë. Përpos kësaj kemi edhe një fenomen shqetësues që ndodhë në familjet tona shqiptare, ku gjejmë fëmijë, të cilët komunikojnë vetëm në gjuhën vendore, apo fëmijë të cilët fare pak e flasin shqipen, po edhe nëse e flasin, atë e përziejnë shumë me gjuhën e vendit, ku jetojnë.

Roli i shtetit dhe i shoqërisë në vetëdijesimin e prindit për ta sjellë fëmijën në mësimin e gjuhës shqipe

Ky shqetësim nuk duhet të jetë vetëm i atyre që përpiqen me forca vullnetare, për ta mbajtur gjallë mësimin në gjuhën amtare. Në këtë rrugëtim ka pasur edhe pengesa të qëllimta, qoftë të natyrës individuale, apo përpjekjeve tjera,  të cilat kanë ndikuar të mos rritej numri i nxënësve, mbase diku - diku dhe të  largohen nga procesi mësimor. Prandaj, për këtë arsye shteti duhet ta ketë një përkujdesje të veçantë, që ta shndërrojë vullnetarizmin në përgjegjësi institucionale e të nxjerr praktika studimore, duke u mbështetur në vizionin dhe misionin e saj.

Konkretisht duke e trajtuar si shtyllë kryesore me përgjegjësi institucionale e duke i ikur formalitetit me arsyetimin se: “Ne, në kuadër të shtetit, po bëjmë të mjaftueshmen, duke ju furnizuar me libra falas, apo me mbajtjen e ndonjë seminari.”  Kjo, gjithsesi është në të mirë të nxënësit dhe mësimdhënësit, por nuk është çështje themelore. Ajo që është, në radhë të parë, e rëndësishme ka të bëjë me vetëdijesimin e prindit  që nxënësit t’i sjellin  në shkollë! Nëse nxënësin nuk e kemi në shkollë ç’ rëndësi ka dhurimi i librave, duke mos dashur  të futem në pjesën e asaj se a janë të përshtatshme ato dhe sa është pyetur mërgimtari me aftësi profesionale? Konkretisht duke bashkëpunuar mirëfilli me Këshillin Koordinues, duke e përfillur profesionalizmin dhe strategjinë e tij, arrihen suksese të mëdha në ngritjen e vetëdijes së prindit, që gjuha amtare, pra shqipja duhet të flitet dhe shkruhet. Ajo duhet të flitet e shkruhet edhe për këto arsye:

-Gjuhën amtare fëmijët tanë nuk e kanë të pranishme nëpër institucione, sidomos në ato shkollore e kulturore.

- Fëmija, që e njeh mirë gjuhën amtare, do të jetë edhe më i mirë në gjuhën e shtetit, ku jeton.

-Fëmija në vend të huaj, duke e njohur traditën, historinë dhe kulturën e origjinës, do të dijë të jetë i suksesshëm edhe në kulturat tjera, meqë ai tanimë e ka një përgatitje më shumë se të tjerët.

Nëse ne kemi arritur t’i bindim prindërit, patjetër se fëmijët do të kenë vullnet për të qenë pjesë e shkollës shqipe, kuptohet nëse institucionet tona (Shqipëri, Kosovë, Iliridë) i japin përgjegjësi institucionale këtij Këshilli, në këtë rast KKAD-në, i cili në gjirin e tij ka kuadro  shkencore e profesioniste, kështu  jo vetëm që do të kemi rritje të numrit, po edhe kualitet të mësimdhënësve dhe strategji në përfshirjen e pjesëmarrësve të tjerë, siç mund të jenë shoqatat dhe bizneset.

Por, ajo që e lëndon mërgimtarin, konkretisht veprimtarin e devotshëm, që me vite të tëra ka derdhur mund e djersë në çështjen e mësimit plotësues, sikur është injoruar nga institucionet, zëri i të cilit  nuk është përfillur edhe pas paralajmërimeve  se fëmijët mërgimtarë, brezi i dytë ka filluar ta belbëzojë gjuhën amtare kurse brezi i tretë mund dhe ta harrojë në tërësi. Nga këto të dhëna shqetësuese, që i janë ofruar institucionit përkatës, janë përgjigjur vetëm me vizita dhe premtime, duke mos nisur ndonjë punë konkrete, prej së cilës do të kishte suksese, së pari, duke u  rritur  numri i nxënësve, meqë kjo është puna më rëndësishme. Në anën tjetër nuk ka, të paktën as ndonjë vlerësim, a mirënjohje, për veprimtarë, të cilët janë përpjekur për ruajtjen e gjuhës shqipe te fëmijët mërgimtarë.

Kur flasim për shtetin, shoqërinë, në këtë drejtim komuniteti shqiptar, kudo në botë,  ka një perspektivë individuale dhe kjo është shumë  lavdërueshme, prej nga shtet e atdheut tonë përfitojnë, të paktën krenari morale. Por, kur flasim për shkollën shqipe kjo sikur nuk zgjon ndonjë interes të veçantë. Jo pse mungon dëshira, por sepse mungon strategjia. Shpesh edhe injorimi del në pah, me thënien: “Ne kemi shtetin dhe shteti duhet të kujdeset për shkollën e mësimdhënësit e diasporës.” Kurse vullnetarizmit i ka ikur ngjyra dhe vetë ky pohim bëhet justifikim i asaj, nëse përmes shtetit nuk krijohen rrethanat për të pasur besimin te bashkëkombësit, suksesi jo vetëm që do të jetë i mangët, por  dhe ky numër simbolik nxënësish në shkollë do të shkojë drejt rënies.

Prindi mësuesi dhe nxënësi

Prindi- Kur flasim për këtë fenomen, se si duhet t’i nxisim  prindërit që fëmijët t’i sjellin në shkollë, duhet t’i kemi parasysh këto rrethana:

Nivelin e prindit, informacionin e duhur dhe bindja se shteti e  mbështet zyrtarisht procesin mësimor.

Nëse prindi informohet mirë dhe e sheh si një obligim moral, i nxitur edhe nga shteti, ai patjetër se do të jetë shumë më i gatshëm të kryejë detyrimin ndaj fëmijëve të tij për t’i çuar në shkollën shqipe.

Mësues-i/ja, kur të dalë para nxënësve, të jetë i/e afërt me nxënës dhe t’i përfitojë ata shpirtërisht, me urtësi e të gjejë shkas për t’i motivuar, që ata të ndihen të vullnetshëm dhe të vijnë me gjithë dëshirë në shkollë. Kjo bëhet, nëse mësimdhënës-i/ja, tregon një barsoletë, përrallë, pikë humori e pse jo, me dy tri vargje të një kënge. Kështu t’ia fillojë mësimit, duke mos e rënduar  nxënësin me materiale të shumta shkollore se ka mundësi të mërzitet.

Mësimdhënësi në kohën kur sheh, se nxënësit nuk kanë kujdes dhe janë shpërqendruar duhet të gjejë forma për ta rikthyer  vëmendjen e tyre në mësim, me metodat e lartpërmendura.

Ta shkruajë në tabele një pyetje  motivuese ose edhe vizatojë, apo të bëjë një lojë fjalësh p.sh.:

Ta marrim një sekuencë nga  përralla: “Gjeli, qeni dhe dhelpra”

Ç’ i tha dhelpra gjelit?

Përmes kësaj pyetje shohim në aspektin logjik se si nxënësi e krijon dhe e shkruan fjalinë. Në këtë lojë logjike e fusim edhe aktrimin, qoftë në lexim, apo dhe në interpretim.

Nxënës-i/ja, që në ditën e parë duhet të fitojë bindjen e mirë, për mësimdhënës-in/en, kështu në orën tjetër do të vijë me dëshirë, njëkohësisht mësimdhënës-i/ja, bëhet shkak i një bisede të mirë edhe në familjen e nxënësit.

Nëse arrin që nxënësi më dëshirë t’ia shpjegojë prindit, mësimin, apo ligjërimin e mësues-it/es. në shtëpi, që këtu shihet arritja e mësimdhënës-it/es.

Shteti duhet të jetë promotor kryesor,  përmes planeve, të ministrive përkatëse të tij, të jetë bashkëpunues me prindin dhe mësimdhënësin për ta arritur qëllimin, që nxënësi të jetë pjesë e mësimit plotësues.

Në fakt vijimi i fëmijëve shqiptarë në mësimin plotësues arrin  vetëm një numër simbolik, e nëse shteti, shoqëria, prindi dhe mësimdhënësi nuk bashkëpunojnë në këtë drejtim, në të ardhmen e afërt do të përballemi me harrimin e gjuhës amtare te brezi i tretë i fëmijëve mërgimtarë.

Njëkohësisht shteti ta përkrah unifikimin diasporës shqiptare, për shkollën shqipe dhe ta parandalojë një artikulim të rrezikshëm, që heshtur po qarkullon, se gjoja  në këtë drejtim nuk ka pajtueshmëri mes institucioneve të dy shteteve tona, prandaj kështu zëri i fuqishëm i ministrive përkatëse, këtë artikulim të rrezikshëm mund ta parandalojë.  Mërgata shqiptare është një dhe duhet të jetë e unifikuar, me qëllim që së bashku të arrijmë rezultate sa më të  mira edhe për përfshirjen sa më të madhe të fëmijëve shqiptarë në shkollat shqipe të diasporës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat