Metafora poetike e shpresës së mirë

Kultura

Metafora poetike e shpresës së mirë

Nga: Skënder Zogaj Më: 24 qershor 2021 Në ora: 11:57
Kopertina e librit

Me vëllimin poetik “Fluturat në grila” (2006), që përbëhet me vjersha në gjuhën frënge dhe shqipe, poeti Arif Bozaxhi e ka realizuar një thirrje të rrallë dhe shumë të fuqishme poetike, në kërkim të ndërgjegjësimit të publikut artistik vendor e ndërkombëtar, për ta kuptuar dhe mirëkuptuar “Letërnjoftimin e gjakut” të Fluturës – Kosovës, shumë të vuajtur nga qëndrimi i gjatë në grilat e robërisë së egër serbo-sllave. Kjo thirrje me forcën e sinqeritetit të pastër poetik, guximshëm e godet errësirën dhe e ndriçon sakrificën mbinjerëzore të popullit të Kosovës për liri. Poeti është njëri nga personazhet që e ka përjetuar mbi kurrizin e tij dramën e tmerrshme, prandaj me kompetencë e deklamon vuajtjen “si memorandum të paqes” që e ka brenda zemrës dhe e nxjerrë me “...tërë dhunën e shekullit XX” (f.25), për ta thënë të vërtetën: “Ky ajër/ Me aromë hekuri/ Ia gërryen brinjët/ Kosovës.”

Kështu thotë poeti në librin “Flutura në grila”, që e ka shkruar kryesisht gjatë viteve 1994-1997, i syrgjynosur larg atdheut, por me mendje e me shpirt në atdhe dhe i vendosur: “Do të pres/ Në stacionin e fundit/ Me lule në dorë// Deri s’më lag/ Shiu/ I harrimit” (f.57). Vendim ky i një misionari të paepur shërbestar, besnik dhe i devotshëm ndaj idealeve për vendin e vet:

“Rritet një dru në mua

Malin nuk ia di.

Por edhe ta dija

Pasha qiell e tokë

Kurrën e kurrës

Nuk do t’ia tregoja sharrëxhiut.”

(Sharrëxhiu, f.139)

Kjo linjë tematike zhvillohet e sintetizohet edhe më e frymëzuar në librin “Kambanat e diellit”, ku shpërthen jehona e vargjeve në pesë gjuhë të ndryshme (shqip, turqisht, gjermanisht, anglisht dhe frëngjisht), që përhapin të vërtetën e realitetit të Kosovës. Përmes fjalësh të buta e të bukura, të zgjedhura dhe të gërshetuara me mjeshtri të hollë e me shije artistike, poeti Arif Bozaxhi është në shërbim të së mirës, të së bukurës, të së drejtës, të së vërtetës dhe të dobishmes për jetën njerëzore pa dalim, që janë virtyti shpirtëror dhe karakteri i lindur i këtij krijuesi të talentuar.

Arif Bozaxhi me pasionin si të një alkimisti përpiqet që fenomeneve të dukshme të realitetit të jetës t’ua zbulojë dhe zbërthejë brendinë, të panjohurat e shumta që janë të kamufluara sipas interesave të ndryshme, në kohë e hapësira të caktuara dhe që e determinojnë arsyen e shoqërisë njerëzore. Kjo determinomë, për fat të keq, as pas shumë shekuj përpjekjesh e sakrificash drakonike, nuk po arrin që ta krijojë mirëkuptimin e duhur ndër njerëzor që - njeriu për njeriun mos të jetë ujk!

Veçantinë përmbajtjesore të vëllimit “Kambanat e diellit” e shquajnë dhe e karakterizojnë idetë iluministe të poetit, i cili është një misionar i përkushtuar në shërbim të zhvillimit dhe përparimit të shoqërisë njerëzore, duke e vënë në qendër njeriun e rëndomtë dhe preokupimet e tij të përditshme, që janë të thjeshta por jetike dhe esencialja e përbotshme e ekzistencës dhe rëndësisë së një jete zogu ose një pike uji, sepse:

“Rreth një zogu

Sillet kozmosi

Dhe frymon

Në një pikë shi.”

(Flutura në grila, vj. Kozmosi, f,99)

Njeriu është krye vlera unike, e papërsëritshme, pa të cilën të gjitha gjërat e tjera janë krejtësisht të pakuptimta, siç e thotë edhe Fulvio Tomizza: “...bota vdes me vdekjen e çdo njeriu. *1(Fjalia e fundit me të cilën Tomizza, e mbyll romanin e tij "Jetë më e bukur").

Këtë ndjenjë poeti e ka shpirtërore, të përjetuar nga humbja e të birit të tij në moshë rinie, dhembja për të cilin poetit: ”...ia ka mësuar alfabetin e këngës nga zogjtë, ndërsa nga yjet e ka zbuluar sekretin se feja është vetëm buzëqeshje dhe se, shpirti i zogut të gjakut të tij është dashuria. (Pika shiu, f.5).

Odisejada jetësore e poetit është e rëndë, plotë me përjetime nga më të ndryshmet, me pak gëzime e shumë hidhërime por, që nuk e përkulin, sepse beson dhe i shërben të mirës, të bukurës të vlershmes. Simbioza e përjetimeve të poetit është shumë e ngjashme me “Tri gotat” e Latif Berishës: e para me mjaltë, e dyta me helm dhe e treta bosh. Poeti pasi i shijon veç e veç, dy gotat e mbushura i zbraz në të tretën gotë, dhe i bëhet “idhtë e ëmbël” mu si jeta e tij dhe fati i Kosovës martire, plagët e së cilës, në mënyrë brilante i bën medaljon emblematik për kujtesën historike:

Kur në sytë e zogjve

korbat shuanin etjen

një fëmijë nga Prekazi

deshi t’ia dërgojë

një letër diellit...!

asnjë zarf nuk ia zuri

letrën e përgjakur

(Zarfi, f.6)

Poezi e bukur kjo, shumë domethënëse dhe e plotë kuptimtë, adekuate për dimensionin e jashtëzakonshëm të biografisë së përgjakur të Kosovës, të shprehur nëpërmjet të fëmijës nga epiqendra e vendit të ngjarjes më tragjike – Prekazi. Fëmija dëshiron t’i dërgojë letër diellit, por nuk ka zarf që ia zë letrën e përgjakur! Një gjetje e jashtëzakonshme artistike, do të thosha madhështore, e shprehur me mprehtësi të kulluar ndjenjash fiktive në kulmin e një ekstaze ekstreme, që poeti me vargje e tregon me mirë dhe më saktë se që do të mund ta tregojë ndonjëherë historia! Poeti me forcën e fjalës së thjeshtë por me plotë dritë, urtësi dhe energji shpërthyese, me vetëm një miniaturë poetike krijon një përmendore të përmasës super monumentale, kushtuar sakrificës së luftës clirimtare të Kosovës. Kjo poezi pa asnjë dyshim është një krijim poetik i rrallë dhe me vlera antologjike.

Të mira dhe të bukura si poezia “Zarfi” janë edhe shumë krijime të tjera të vëllimit “Kambanat e diellit”, që është botim pasurues për letërsinë shqipe, por edhe më gjerë, sepse gama e poetikës së Arif Bozaxhiut është specifike, kapërcen kufijtë një kombëtar. Poeti me mburrje deklarohet: “...feja ime është vetëm buzëqeshje...” dhe buzëqeshjet i përhapë për “t’i marr ngryk/ kufijtë e ajrit” (fjala,15).

Pikërisht marrja ngryk e “kufijve të ajrit” janë shenja karakterizuese e punës krijuese që ky poet e ka kurorëzuar me vargun e veprave që janë mirëpritur nga lexuesit dhe kritika shqipe dhe turke, sepse në këto dy gjuhë poeti e ka shkri gjithë shpirtin e tij, i bindur se “feja e poetit është poezia”. Prandaj arti i tij gëzon reputacion të lartë, sepse është poezi, poezi dhe vetëm poezi!

Kështu e kanë vlerësuar dhe vazhdojnë që ta konsiderojnë shkrimtarët, kritikët dhe studiuesit e shumtë të letërsisë. Ndër ta është edhe studiuesi, kritiku dhe poeti me zë, prof. dr. Agim Vinça, i cili kredon krijuese të poetit Arif Bozaxhi e krahason me poetët e famshëm botërorë: “Bota poetike e Arifit sillet në trekëndëshin mes Lorkës, Tagorës dhe Nazim Hikmetit, dhe kur themi kështu, kemi parasysh në radhë të parë ndjeshmërinë e poetit dhe deri diku, edhe shprehjen poetike.”*2 ( “Ngjyrat e gjalla të fjalës”, f.59)

Trininë e shenjtë të treshes së madhe poetike Vinca e gjen në humanizmin, dashurinë dhe kërkimin e fshehtësisë së gjërave që Arif Bozaxhiu e ka të përbashkët, sidomos me Nazim Hikmetin, tribunin e vegjëlisë, të luftës për liri, drejtësi sociale, kombëtare e njerëzore. Vinca pa hezitim për artin e Arif Bozaxhiut thotë – është himn i së mirës dhe i së bukurës!

Poezia e Bozaxhiut është lirikë miniaturale e theksuar proverbiale, ku poeti me fjalë e vargje të thjeshta por me figuracione të mprehta, shpreh mendime me ndjeshmëri të mëndafshtë për botën që e rrethon, vlerat me sublime të jetës personale dhe preokupimet gjithë njerëzore. Si një filigranist i mirë, poeti e shtrydh imagjinatën e tij për ta zbërthyer sa më në thellësi ballafaqimin me vetveten. Ky ballafaqim në kompleksin e pafund të egos, e pasqyron identitetin e njeriut dhe të shoqërisë njerëzore, së cilës ia dedikon gjithë dritën e mendjes dhe forcën e zemrës.

Poeti Azem Shkreli te poezia e Arifit ka veçuar: “Timbrin e hollë e të ndjeshëm, një çlirëti si e fëmijës, një sinqeritet e afërsi ndaj ideve e motiveve që e shqetësojnë” *4( “Timbër i hollë i ndjeshëm” f. 72). ndërsa Xhevahir Spahiu ka vlerësuar lartë: “Metaforat poetike që janë sa të tejpashme, aq edhe të prekshme; të pasura me mjete shprehëse, në marrje simbolesh dhe imazhesh të gjalla, fjala është dëshmi artistike e një jete të kërcënuar, ajo ndriçon fate, gjendje, kundërti, arratisje, një botë të tronditur absurdi.” *5(Kënga e ëndrrës së mohuar” f.73).

Një poet i vlerësimeve të këtilla domosdo që nuk është udhëtar i rastit, të cilin spontanisht e ka zënë meraku në kalim për të thurë ca vargje sofistike, në bredhje e sipër. Jo, Arif Bozaxhi e ka të qartë dhe mirë të përcaktuar konceptin e tij poetik: “Poezia m’i la/ çelësat e shpirtit/ para portës së zemrës/ që t’i shoh hapësirat e yjeve.” (Poezia, 14).

Ky është programi krijues që e realizon me qetësi e maturi, pavarësisht nga rropullitë e shumta të jetës në mendje e në zemër, që i zbërthen me urtësi krijuese, duke ua dhënë trajtën e botëkuptimeve personale, përmes variacioneve lirike të mendimit ndryshe, të një kredoje poetike krejt mëvetësishme, të pastër e të pasur shpirtërore. Dëshira sublime poetike e Arifit është të shërbej si “urë mëngjesi” me shpirt e zemër dashurie “për një planet pa urrejtje”, sepse poeti nuk mund qëndrojë indiferent kur shikon:

“Mes dy hapave

E dy kllapave

Dritaret pikojnë gjak.

Ose:

Mes dy tankeve

E dy ushtarëve

Fluturat qajnë”

(Urë mëngjesi, f.52)

Merxhan Avdyli e shquan Arif Bozaxhiun për e sublimacionin e ndërtimit të raporte të mira mes njerëzve dhe popujve, që “ka një fjalor poetik origjinal dhe praktik me të cilin i ndërton figurat, që u jep ngjyrime shprehjeve poetike dhe qartëson individualitetin e vet krijues” *6 ( “Lirikë e kuptimit të jetës dhe gjakimit të lirisë” f.79). ndërsa Halil Bogiqi dëshmon: “Arif Bozaxhi kur ishte redaktor i gazetës TAN ishte përcaktuar për mbrojtjen e qenies kombëtare shqiptare duke mos u pajtuar që Kosova të zhvishej nga atributet e saj shtetërore të cilat i kishte me autonominë e vitit 1974.”*7 “Paqja dhe liria preokupim i poezisë” f.78). E kjo nuk është pak, sepse, është koha kur reagimet kundër pushtetit janë të rrezikshme, sidomos për një poet i cili është në fillimet e krijimtarisë së tij dhe çdo kundërvënie ndaj pushtetit është me pasoja. Por, Arifi është këmbëngulës dhe nga të parët veprimtarë për të drejtat e njeriut, kur Kosova mbërthehet në hekura dhe njerëzit vriten si zogj.

Rezultat i përjetimeve të asaj kohe është zjarri i zemrës që shprehet edhe në librin “Kambanat e diellit” për të treguar dimensionet e dhembjes së Kosovës, dhe për t’ia kërkuar botës së civilizuar të mos lejojë që tragjeditë e këtilla të përsëriten. Sidomos Arif Bozaxhi gjakon që ta ruaj Kosovën, atdheun e dashur, vuajtjet e të cilit i di me themel, prandaj edhe e hyjnizon qëndresën e saj, bukuritë, pastërtinë, të vërtetat e traditës shekullore që janë realitet unik shpirtëror, kulturor e historik. Këto ndjenja thellësie shpirtërore poeti i shpreh me afsh në poezinë “Pavarësia”, që është një perlë poetike kushtuar lirisë së Kosovës:

“Çelësat e diellit i hapën

Dritaret e zogjve

Tani në Kosovë

Zogjtë këndojnë shqip

Ëndërrojnë

Mendojnë

Pinë ujë shqip

Me yjet e përjetësisë

Komunikojnë pellazgjisht

Dhe fluturojnë shqip

Poezi që padyshim se do të jetë në faqet e para të antologjive më reprezentative që do të përpilohen për Kosovën dhe artin poetik të saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat