Bujar Salihu dhe dashuria e një poeti të talentuar

Kultura

Bujar Salihu dhe dashuria e një poeti të talentuar

Nga: Baki Ymeri Më: 24 korrik 2021 Në ora: 09:19
Ballina e librit

Poezia është rreze dielli që shkrep në mesnatë. Ajo është shpirti që prehet në prehërin e dashurisë. Poezia duhet të ketë erëtimën e barit të kositur, e gurit të mullirit, e luleve të parajsës në shtratin e fjalëve. Poezia e Bujar Salihut është zjarri i dritës së fshehur në fjalë. Poetët janë lisa që rrënjët i kanë thellë në tokën mëmë. Bujari na jep  një lirikë të pastër dhe një model së si shkruhet poezia, ku arti arrin të pasqyrojë estetikisht bukurinë e madhështinë dhe dashurinë e krenarinë për femrën shqiptare dhe vendlindjen e tij: Shkëlqimi i saj dritë mbretërore / Atdhe sublim i heshtjeve të trazuara/ Veshje solemne e virgjëreshës/ Engjëlli mbrojtës i të pafajshmëve.

Imagjinatë e bujshme, dritë mendimi,  thellësi vargu, bukuri e ndjeshmëri. I ngritur në art, brenda tyre është shpirti krijues poetik me ndjesi të ndërthurura me shije. Të gjitha të shkrira në një, përmes një gjuhë të zgjedhur poetike dhe figuracioni artistik funksional, me mesazhe të bukura që na dhuron poeti mërgimtar e atdhedashës. Bujari na dhuron një varg poezish fantastike për dashurinë:  Kur ti nuk vjen/ Unë ndjehem njeriu më i harruar i këtij qyteti/ Kur ti nuk vjen/ Shtratin tim e mbërthen vaji plot dënesa/ Kur ti nuk vjen/ S’mund t’i mbyll sytë drita jote më mban zgjuar/ Kur ti nuk vjen/ Litari i vetmisë zgjatet duke më shtrënguar/ Kur ti nuk vjen/ Trupi më ndizet flakë nga trishtimi/ Kur ti nuk vjen/ Unë zgjohem me shtratin tim të squllur / E dashur/ Mos më lër vetëm/ Se ky mund të jetë mëkati yt i pafalshëm

Para nesh kemi poezi të shkruara me një zjarrmi të veçantë, me figuracionin të pasur të vënë plotësisht dhe me mjeshtëri në funksion të ideve dhe mesazheve poetike! Bujar Salihu është poet dhe patriot. Poezia nuk do shkollë. Ajo është një dhunti që ia ka falur Zoti njeriut! Si gjithmonë, përshkrimet lirike të Bujarit të bëjnë t’i lexosh me një frymë! Vargjet e tij janë plot ndjenjë e muzikalitet! Ta ka ënda ti lexosh, sepse të mbushin me ndjenja e me jetë. Respekt të pafund për poetin që na e përkujton Artemidën dhe muzën e tij poetike përmes së cilës merr frymë për të vajtur nga drita në dritë: Ajo erdhi atë mbrëmje vonë/ Në sheshin e madh të ujëvarave/ Ra si pulëbardhë mbi liqen/ Natën e sosi në gjumin e saj hyjnor/ Mëngjesi e gdhiu fjetur/ Mbuloja e vetme që kishte tek këmbët i rrëshqiti/ Në krahun e saj shteroi ujëvara/ Qiellit tim fluturonin/ Dallëndyshe të trazuara.

Bujar Salihu është njëri nga poetët më të talentuar të diasporës sonë. Ai  shmang përdorimin e figurave abuzive të për të ruajtur dhe konsoliduar individualitetin e tij real dhe origjinal. Në këtë kontekst, në korpusin e tij letrar gjejmë poezi të mrekullueshme meditative dhe atdhetare. Në përgjithësi, poezitë e tij bien në tre kategori kryesore: mendimtare, erotike dhe atdhetare. Vlen të theksohet se ai është një sentimentalist i ndërgjegjshëm dhe kjo anë e personalitetit të tij manifestohet në shumicën e krijimeve të tij.  Bujari është një nga poetët që përmes veprës së tij kontribuon në kultivimin e dashurisë dhe atdhedashurisë, duke krijuar profile letrare të forta dhe të dallueshme.

Heshtjet e trazuara dhe fjalët kanë fuqinë për t'i dhënë jetë një universi të pafund. Ata mund të sjellin në jetë një regjistër të pafund idesh dhe ndjenjash. Ky libër i ri përmban poema bilingve, duke filluar me biografinë e autorit. Mendimet e poetit janë flutura të metamorfozuara në mendime, të gjitha këto shndërrime përmes të cilave mendimet e poetit kalojnë përshkruajnë një profil origjinal lirik.

Poezia e Bujar Salihut është e ngarkuar me pamje të veçanta që transmetojnë subjekte  briliante me tema shpesh befasuese. Zbulesat filozofike janë veshur me relacionet e rëndomta të jetës së përditshme. Tema e dashurisë gjendet në shumicën e poezive, pavarësisht nëse bëhet fjalë për shfaqjen e emocioneve të para në adoleshencë apo për atë që përmbushet përmes martesës, duke krijuar bukuri hyjnore, bukuri magjike, apo bukuri të bekuar.

 Bukuria apo hijeshia kondiderohen si një aspekt që e përgëzojnë, trimërojnë dhe lumturojnë njeriun që e posedon këtë. Bukuria në vargjet e Bujar Salihut është objektive që në shikim të parë. Përveç hijeshisë trupore ekziston edhe hijeshia shpirtërore. Kush i posedon këto? Njeriu i rëndomtë, burri, gruaja, fëmijët, aktorët, këngëtarët, foto-modelet, krijuesit apo kreatorët, dhe jo vetëm këta. Në këtë kategori inkorporohen edhe të shenjtërit, engjëjt, dielli, hëna dhe yjet, shpezët, kafshët, natyra, pranvera, lulet, vreshtat, malet, bjeshkët, ëndrrat, këngët, poezitë, pikturat etj. 

Image
Bujar Salihu
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat