Festivali Veror i Letërsisë, një dedikim mbi artin e rrëfimit

Kultura

Festivali Veror i Letërsisë, një dedikim mbi artin e rrëfimit

Më: 26 korrik 2021 Në ora: 06:42
Ilustrim

Festivali Veror i Letërsisë, një organizim i përvitshëm 3-ditor, që financohet nga një grup universitetesh në Virxhinia, paraqiti mbi 200 autorë, poetë e krijues që ndanë njohuritë e tyre rreth artit të rrëfimit. Për shkak të pandemisë festivali i këtij viti u zhvillua virtualisht.

Festivali vjetor i letërsisë u mbajt në mes të korrikut të këtij viti për shkak të efekteve të zgjatura të COVID-19.

Gjatë tre ditëve të tij u organizuan mbi 70 sesione bisedash mes autorëve e lexuesve.

Formati virtual ndihmoi në tërheqjen e shumë njerëzve nga vende të ndryshme të botës thotë drejtori i festivalit Sean Murphy.

"Ne duam që të na pyesni e ta shihni rrëfimin si një formë arti në pothuajse çdo platformë. Natyrisht që kemi përfshirë prozën, poezinë e gazetarinë... porkemi përfshirë gjithashtu raportimin sportiv, atë politik, vallëzimin dhe artet skenike. Realisht po përpiqemi të hedhim një vështrim rreth asaj se çfarë do të thotë tregim”, thotë ai.

Vëmendjen më të madhe në festivalin e këtij viti e tërhoqi Douglas Stuart, një shkrimtar dhe stilist skocezo-amerikan. Romani i tij Shuggie Bain, mori çmimin Booker 2020.

Zoti Stuart e shkroi librin në Nju Jork ndërsa punonte në industrinë e modës. Ai thotë se dorëshkrimi i tij ishte refuzuar nga shtëpitë botuese mbi 40 herë.

"U ngazëlleva aq shumë kur Shuggie u publikua më në fund në shkurt 2020, kam pritur për atë moment prej shumë kohësh. Dhe ndoshta mund ta imagjinoni zhgënjimin tim kur libri arriti në librari në shkurt e një javë më vonë ajo u mbyll për shkak të pandemisë”, thotë shkrimtari Douglas Stuart.

Philippe Cousteau, një oqeanograf amerikan dhe aktivist mjedisor, prezantoi një seri librash për fëmijë mbi llojet e kafshëve të rrezikuara.

“Gjyshi im Jacques Cousteau ishte një ambientalist me famë botërore aktivist, hulumtues, ai rrëfente histori mbi oqeanin, dhe më pas babai im Philippe Senior ndoqi të njëjtën rrugë. Unë vij nga një trashëgimi tregimtarësh për breza të tërë. Njohja e historive në thelb është gjuha e dijes”, thotë ai

Festivali përfundoi me një numër çmimesh mes tyre autorë librash, gazetarë dhe një drejtuese emisionesh në televizionin CNN.

Lisa Ling mori çmimin Rrëfimtarja e Vitit. Ajo thotë se është e lehtë ta shohësh botën në mënyra të reja.

"Ajo që duhet të bëni është të dilni nga realiteti iluziv ku ndodheni dhe shumë shpesh nuk keni pse ta bëni këtë gjë, nëse thjesht ndërveproni me njerëzit që janë rreth jush”, thotë gazetarja Lisa Ling.

Gjatë festivalit u ndanë çmime edhe për poetë të rinj. Nga 160 aplikime u zgjodhën dhjetë fitues.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat