Apofonia, metafonia dhe qiellzorëzimi (palatalizimi)

Kultura

Apofonia, metafonia dhe qiellzorëzimi (palatalizimi)

Nga: Prof. Eroll Sejdiu Më: 31 korrik 2021 Në ora: 22:36
Eroll Sejdiu

• Apofonia është proces i vjetër fonetik e morfologjik. Është formuar me ndryshimin e zanores së temës së fjalës: e kthimit të: e-së > o, je > o dhe a > o. Është vërtetuar në fushën e foljeve, në veçanti te disa folje në të kryerën e thjeshtë: - e > o: bredh > brodha, dredh > drodha, hedh > hodha, heq > hoqa etj. - je > o: mbjell > mbolla, vjel > vola, nxjerr > nxora, ndjek > ndoqa, sjell > solla etj. - a > o: marr > mora, dal > dola etj. Disa folje të ashtuquajtura apofonike gjatë zgjedhimit të tyre zanoren: e (ose je) e kthejnë në: i: hidhem (hidhja), hiqem (hiqja); sillet (sillja), ndiqet (ndiqja) etj.

• Metafonia quhet ndërrimi i zanores a > e dhe e > i. Dukurinë e metafonisë e ndeshim tek emrat dhe te foljet. Në sistemin emëror metafoni kemi te shumësi i disa emrave. P.sh., ndërrimi: - a > e: natë - net, asht - eshtra, dash - desh; - e > i: shteg - shtigje, breg - brigje.

Në sistemin foljor metafoninë e gjejmë te disa folje të vetës së dytë dhe të tretë njëjës të kohës së tashme të mënyrës dëftore: trokas - troket, thërras - thërret, bërtas - bërtet etj. Këmbimin: e > i e ndeshim te foljet në vetën e dytë shumës të kohës së tashme të dëftores dhe te disa folje në urdhërore. P.sh.: ndez - ndizni - ndiz, del - dilni - dil.

• Qiellzorëzimi (palatalizimi) Këmbimi (alternimi) i bashkëtingëlloreve të ndryshme në qiellzore (mesgjuhore, palatale) quhet qiellzorëzim (palatalizim) latinisht: palatum = qiellzë.

Tingujt që palatalizohen (kur edhe formohet shumësi i disa emrave) në gjuhën shqipe janë: 1. k > q: ujk - ujq, mik - miq, plak - pleq, bujk - bujq; ose te foljet: pjek - poqa, ndjek - ndoqa etj.; 2. g > gj: zog - zogj, murg - murgj, varg - vargje; te foljet: djeg - dogja; 3. ll > j: ishull - ishuj, shembull - shembuj, shekull - shekuj; 4. l > j: muskul - muskuj; 5. r > j - e ndeshim te një numër i kufizuar emrash: lepur - lepuj, flamur - flamuj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat