U mësuam të jemi skllevër

Kultura

U mësuam të jemi skllevër

Nga: Rexhep Shahu Më: 1 gusht 2021 Në ora: 21:52

Tri dekada pas lirisë së ëndërruar na mbeti në dorë ëndrra dhe ende nuk dimë çfarë të bëjmë me të. Liria na u bë përshtjellje, kaos.

Të përsekutuarit falen me fisnikëri xhelatët. Por herë herë shfaqet histeri urrejtje me fjalë. Të krijohet bindja se asgjë nuk ka ndryshuar. Se jemi në socializëm, se urrehemi e duhemi njëlloj, se është e njejta makinë e ndërtuar nga dhunuesi dhe viktima se ndryshe nuk do të ishte makinë. Jetojmë me mend në komunizëm, mendojmë sillemi flasim, urrejmë, shahemi, bëjmë luftë biografish si atëherë dhe partitë shpesh janë bërë si organizatat e frontit kur të demaskonin dhe të hiqnin triskën e frontit.

Bora e komunizmit nuk po shkrihet. Nën këtë borë me krimba jeton urrejtja, indiferenca e vrazhdë, shpërfillja vrastare dhe etja për pushtet, të cilin e shohim si biznesin më fitimprurës.

Gjithë industria mediatike është e dështuar për shkak të moralit të ndyrë që përcjell, për shkak të fasadës neveritëse dhe shplarjes së ndërgjegjës së njeriut. Fitimi me çdo kusht, ky është tani atdheu i shumicës. Nomenklaturat e politikës së djeshme vijojnë të prijnë në ballë të çdo biznesi bashkë me pinjollë të sigurimit të shtetit të djeshëm komunist. Është ndërtuar një shtet gjigand thashethemesh e urrjetje. Njeriu i ri i socializmit sot ka në dorë jeten e fatet e vendit dhe ky njeri i ri shet pa pikë dhimbje atdheun me gjithë ëndrra.

Njeriu i ri i komunizmit e socializmit sheh veç armiq. Nuk sheh dashuri askund veç interes. Don veç luftë e rrëmujë e nuk don qetësi, nuk jeton pa luftë e pa urrejtje pasi nuk ka kalë tjetër veç urrjetjes.

Nuk flitet për gjëra të mëdha. Është zvogëluar bota dhe interesat tona, duam shtëpi, duam lumturi, por nuk mendojmë për gjëra të mëdha, për solidaritet me tjetrin në nevojë, për atdheun, për kufijtë, për Kosovën që u bë e lirë dhe pavarur dhe që e kërcënojnë përditë serbët e miqtë e tyre.

Jemi bërë të ftohtë, frikacakë të mëdhej, karikatura snobësh, bëjmë vetem llogari, nuk durojmë fjalë, themi faktet, faktet, faktet na duhen por kjo botë vdes pa emocione dhe unë jam nga ata që besoj se emocionet udhëheqin gjysmën e botës siç më udheheqin mua. Nëse na jepët të zgjedhim apo nëse na vënë të zgjedhim mes lirisë më sakrifica apo lumturisë pa liri, kam frikë se zgjedhim të dytën, na mjafton të jetojme mirë, të kemi shtëpi, të ngopim barkun e të vishemi mirë, pa për lirinë le të mendojnë poetët e luftëtarët pasi njerzit nuk hanë liri…

A kupton Havzi?! Ndjenjat e holla janë për poetët e shkrimtarët…

Ajo që nuk kam duruar deri tani e që nuk po mësohem dot është arsyetimi se ty Havzi apo edhe të denuarve të tjerë, mirë ua bënë, të mos flisnit, të mos gabonit, ç’ju duhej juve, se mos ishit më të mirët, se ju do ta ndreqnit botën…

Nisur nga këto mendime e pajtime me regjimin kanë dalë shumë spiunë apo bashkëpunëtorë sigurimi të cilët nuk janë më të keqij e të ligj se punëtorët e sigurimit që kanë tejkaluar ligjin e të drejtën dhe rrinë të qetë si veshka mes dhjamit.

E keqja dhe e mira nuk janë produkte laboratori, nuk janë shpikje laboratorike, por janë brenda çdo njeriu. Dikush që i ka bërë dikujt shumë keq, i ka bërë dikujt tjetri shumë mirë dhe këto ndërthurje janë të shumta. Dikush don ta vrasë dikënd por këtë dikëndin dikush tjetër don ta shpallë hero për mirësinë që i ka bërë. Si t’ia bëjmë? Apo njëri ta vrasë e tjetri ta bëjë hero… Shoqëria i ka zgjidhe këto, por janë një tufë nxitësish që nuk dinë të bëjnë gjë tjetër, që nuk jetojnë dot pa konflikte e pa ngrohur duart në zjarrin e luftës imagjinare që po vret pa mëshirë kohën tonë, të ardhmen tonë…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat