Shpirti fisnik i një poeti të talentuar

Kultura

Shpirti fisnik i një poeti të talentuar

Nga: Alban Voka Më: 3 gusht 2021 Në ora: 07:26
Foto ilustrim

Dashuria është mbretëresha e ndjenjave, kimia e trurit dhe kënga e shpirtit. Poezia është rreze dielli që shkrep në mesnatë. Ajo është shpirti që prehet në prehërin e dashurisë. Poezia e Dedë Preqit ka erëtimën e barit të kositur, shungullimën e lumit të Gjakovës, trokitjet e gurit të mullirit, aromën e luleve të parajsës në shtratin e fjalëve. Poezia e tij është zjarri i dritës së fshehur në fjalë. Shkrimtari është qenja më e ndijshme dhe më e shenjtë e një populli. Poezia është pjellë e imagjinatës dhe arti i nusërimit të fjalës me fjalë. Nëna e poezisë janë iluzionet dhe ëndrrat.

Poezia e Dedë Preqit është takimi me Zotin, bekimi i lotëve, loti i syrit të vetmisë, shija e puthjes së parë, një ikonë e gjallë dhe zëri i zjarrit të zemrës së magjepsur. Ajo është pasqyra e shpirtit, simbol i dhimbjes dhe hijeshive të jetës. Poezia është kështjella e ndjeshmërisë dhe vrrulli i dashurisë, dhurata hyjnore e qetësisë së shpirtit, jehona e një ndjeshmërie të brishtë, prodhimi më i zgjedhur i meditimit ku lartësohen ndjenjat.

Shpirti i fjalës nuk gjendet vetëm në tekstet e shenjta, por edhe në tekste të këtilla kritike që përfaqësojnë opinionin tim për për shpirtin fisnik të një poeti të talentuar. Botimi i veprave të tij në Bukureshtin e rilindsëve tanë pat zgjuar një interes të jashtëzakonshëm në rendin e kritikëve letrarë dhe të poetëve rumunë dhe shqiptarë. Përmes veprave të tij, autori konfirmon bindjen e një mendimtari të huaj se arrin përmes profesionalizmit dhe mbahesh përmes karakterit. Përzgjedhja e teksteve lirike të Dedës, është një dëshmi e interesit dhe vëmendjes, jehonës dhe rezonancës që ka krijuar poezia e tij në gjuhën shqipe, rumune e gjermane.

Poezia e Dedë Preqit ndodhet mes dy shqetësimeve që brejnë vetëdijen e një artisti që nuk mund të jetë indiferent për atë që ndodh rreth tij: ide fisnike, fenomeni i ndërgjegjes morale, shorti i komunitetit, fati i kombit si një shqetësim i rëndë historik, përjetime intime. Për pasojë, në ligjërimin e tij poetik dallohen disa zëra që marrin tonalitete të ndryshme, varësisht nga gjendja në të cilën ndodhen dhe nga ajo çka duan të sugjerojnë. Prandaj poezia e Dedës alternohet në këto rrafshe bazë dhe merr nuanca të ndryshme në tekstin poetik. Nga njëra anë kemi një ton të rëndë, dramatik të mbushur me ngjyra tragjike në një dialog ekzistencial me vdekjen dhe nga ana tjetër kemi një hipostazë të një shpirti të butë, fisnik dhe të brishtë që bie në terrenin e një lirizmi të pastër. Shpesh herë këto dy regjistra përzihen në një, sepse gjakimet intime të poetit marrin kuptim në një kontekst më të gjerë: “Të dua me lot/ Me lot të mërguar/ Zemra ma thotë/ Kosova ime e bekuar./ Mërgimi më djeg/ Mallin nuk ma heq/ Jam shkëmb i motëve/ Me bekimin e lotëve./ / Do të vdes/ Me lot në sy/ Kosova ime/ Vetëm për Ty.” (Bekimi i lotëve)

Dedë Preqi përçmon imoralitetin, pornografinë, banalitetin dhe regjistrat e ulët të ligjërimit. Ai çmon aktin poetik si një proces të epërm shpirtëror dhe estetik. Poeti di t’i japë trajta serioze trishtimit, sepse ai dëshmon që trishtimi i tij nuk është vanitoz, nuk është një trill poetik a pozë, por trishtimi që të kaplon nga dhimbja fizike e shpirtërore nga dhimbje reale që shkaktohet në rrethana tragjike. Trishtimi gjeneron zakonisht tekst, tragjeditë e rënda krijojnë një shok psikologjik që të le pa fjalë. Poeti i ndodhur në zgrip të jetës, pjesëmarrës në ngjarje të rënda për të dhe popullin e tij, di të çlirojë gjendjet shpirtërore dhe përjetimet në poezi. Poeti është një rrëfimtar-dëshmitar i njërës prej tragjedive më të rënda të shekullit të XX, luftës së Kosovës. Në vëllimin Bekimi i lotëve poeti mbart dhimbjen e thellë të varfërisë, trishtimin brerës, pikëllimin gërryes, kujtimet e rënda, bukën e përditshmërisë sonë: “Një copë bukë/ Për një copë jetë,/ E përlyer me gjak/ Një copë lak./ Një copë bukë / Në nofulla graniti,/ Të thyhet zemra/ E copëtohet shpirti.”

Poeti provokon një mërgim të shpirtit në vise të panjohura dhe të njohura, në truallin fizik të jetës dhe në një kronotop poetik. Deda në të gjitha hipostazat e poezisë së tij dëshmon një ndjeshmëri të rrallë, një përjetim të thellë të dukurive që bëhen objekt i poezisë së tij: “Jeta matet me hapa/ hapëron dy hapa para,/ tre rrëshqet mbrapa./ Sy mbyllur nuk matet jeta/ nëse me kohën s‘hapëron,/ ajo e merr kahjen pa timon./ I dehur e syçelë/ mbahesh për muri,/ gjurmët mbesin mbrapa/ epitafin e shënon në guri./ Nuk mundet njeriu/ t‘i numërojë hapat e vet,/ vetëm kur i ngadalëson/ një ditë në stacion…” (Hapat me jetën).

Sintaksa (si kombinim gjuhësor dhe si kombinim imazhesh) është tejet plastike. Dedë Preqi dëshmon se i njeh problemet e stilistikës letrare dhe se është një poet i pasur me mjete gjuhësore, se është i pajisur me aftësi të rralla për të hetuar jetën, natyrën dhe botën, por mbi të gjitha ai zotëron një aftësi kombinatore të elementëve përbërës të poezisë së tij. Poeti dëshmon guxim dhe i jep flatra fantazisë së tij duke kontrolluar njëkohësisht strukturën e poemës: “Gjurmëve të jetës/ trokun e vazhdojmë,/ kujtimet para syve/ngjyrat i ndërrojnë./ I lus kujtimet të kthehen/ çdo gjë thyhet në pritje,/ vetëm kujtimi i fjetur mbetet./ Bjeshkët puthën në largësi/syri mik i bashkon,/ njeriu vdes i ri/ ecjen tjetri e vazhdon.” (Troku i jetës)

Poezia e tij është moderne. Autori din të peshkojë tema të vjetra, një fond leksikor nga poezia e traditës, por, ashtu siç ndodh në pikturën moderne, ai merr në konsideratë objektet në hapësirë që zotërojnë të gjitha elementet e drejtpeshimit, të vëllimit, të qendrës së gravitetit, peshën e fjalës, thellësinë e ndjenjës etj. Që këtej mund të themi se dhe në vargjet e dedës kemi të bëjmë me një largim të çdo subjektivizmi. Përshkrimi i tij nuk është vetëm një shprehje e shpirtit, por një ekzistencë organike, objektive, një bërthamë e doktrinës të realizimeve bashkëkohore. Poeti sjell në tekst fraza tejet plastike, me një imagjinatë të bujshme, në një përshkrim të bukur të një atmosfere që na çon në një terren real, origjinal dhe aktual: “I ngarkuar me plot yje në shpinë/ rrugët ma falën dhëmbjen,/ gurët memec përgjysmë i ndava/ i luta, mos e mallkoni etjen!/ Me lotin e qepallave/ brumin e laga si me dush,/ me ujë shiu sytë i shpërlava/ i tëri malli i fëmijëve prush.” (Dola)

Në këtë rast, poezia pushon së qeni si subjekt, në vend të fotografisë, apo të një rrëfimi-riprodhues. Elemente të konsideruara në hapësirë, kapin një ekzistencë akute. Fraza bëhet e shndritshme, me një rend të vetin. Poezia e Dedë Preqit mund të klasifikohet si: erotike, kombëtare dhe historike. Poezia e tij shndërrohet në një poezi universale-njerëzore. Një element përbërës i detajeve inspiruese të dedës është ëndrra. Ëndrra nuk është një dukuri vetëm fiziologjike në tekstin poetik, por më shumë si një realitet onirik i gërshetuar me realitetin. Poeti nuk ve në qendër të poezisë së tij ëndrrën, por një dimension të realitetit të tij. Më shumë kemi të bëjmë me një ëndërr të ndërprerë, të shkëputur: “Disa herë në gjumë/ kthehem e thehem,/ me trupin e lodhur./ I lutem kujtimit/ të paktën sonte/ të mos vdes!/ Numëroj gjenetikën/ anëtarët e familjes,/ të gjithë me rend/ deri në mëngjes.” (Tretem).

Derisa misioni elementar i poetit qëndron në aë që t'u japë kuptim gjërave, jetës dhe vdekjes, poetizimi duke u bërë ekuivalenti i vdekjes në tekst, i flijimit në letër, me implikimet e veta ekzistenciale, poeti bëhet kësisoj ai që e ngre historinë në dimensionet e mitit, e transformon zgjatshmërinë profane në epos homerik, botën kalimtare në një botë të përjetshme: atë të arketipave mitike që shërbejnë si model për çfarëdo qoftë aktiviteti njerëzor të rëndësishëm. Respekt dhe admirim autorit në 66 vjetorin e lindjes së tij! (Bukuresht, 3 gusht 2021)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat