Zhdërvjelltësimi me të pamundurën në të mundurën e trishtë

Kultura

Zhdërvjelltësimi me të pamundurën në të mundurën e trishtë

Nga: Brahim (Ibish) AVDYLI Më: 4 gusht 2021 Në ora: 15:54

Qazim Thaçi vjen si një zë i thjeshtë dhe i kuptueshëm, por mjaft i thuktë, prej vendlindjes sonë, Republika e Kosovës, nga fshati Landovicë, i Prizrenit, i cili në këto vargje të botuara në “Revistën Letrare”, e cila është edhe shtëpi botimi „Metafora“, në Zvicër e në vendlindje, e botuar prej Gëzim Ajgerajt, më 2008. Ai na përshëndet, përmes pendës së tij të sinqertë e mikut, të cilin e kemi pendë të spovuar të poezisë.

Kaherë është i njohur përmes vargjeve të tij, të botuara nëpër rubrikat e gazetave të njohura, me tingëllimë të mesazheve të tij, por edhe si një gazetar i përkryer i qëllimeve të lirisë e të bashkimit, si psh.: „Lajmëtari ekzluziv“, „Bota sot“, „Kosova sot“, „Gazeta e re“, „Kosovapress“, „Java në Prizren“, e deri në SHBA, „Zëri i Ilirisë“, apo edhe në gazetat „Rilindja“, „Koha ditore“, „Fjala“, „Epoka e re“, „Zëri“, etj., deri „Metafora“ dhe në të përditshmen e KFOR-it, „Ditët e shpresës“.

Qazim Thaçin e konsideroj si një mik të veçantë të komunikimit në gazetari e në poezi. Landovicën, ku ka lindur poeti e gazetari i Prizrenit, e njoh në dy pikat e skajshme të një segmenti: të së padrejtës- që pat ardhur përmes dhunës shekullore të sundimit turk e serbo-jugosllavë; dhe të së drejtës së mirëfilltë- që ka mbetur kaherë si një ofshame e thellë shpirtit dhe ëndërrës së bashkimit, me truallin amë, Shqipërinë, e cila është kthyer në një britje të ngrirë, sepse Prizreni, përkundër të të gjitha përpjekjeve të Lidhjes së Prizrenit, u kthye në një „kryeqytet multietnik“. Sa herë shkoj e vi nëpër këtë pjesë të dhembjeve të mia, në Prizren, apo në Prizren e në Kukës, sidomos në Prizren e në Suharekë (Therandë), ku i kam mjaft miq të mi, në mërgatë e në Atdhe, e pakrahasimisht e kujtoj kthimin e babës sim, natës, nga tregu i Prizenit, në Gjakovë e në Morinë të Malësisë së Gjakovës, dhe ofshaj papushim.

Si ka mundësi qyteti i vjetër ilir të shëndrohet në një mishmash nacionalitetesh, që mbimrat i mbajnë të fiseve tona, si psh. „Gashiç“, e flasin gjuhë të huaja?! Në të vërtetë, ne e dimë, por nuk e zëmë në gojë, se Lagja Arbëria ka qenë më parë TURIA, prej kohës së mëparshme dhe kohës së Dioklecianit, e cila ishte ultësirë me baltë, që shërbente për këmbësorinë e armatës ilire, që na quhet “TURIA”, si turinjtë, e cila është pjesa e parë e ushtrisë që përplasej sy me sy, ballë për ballë, fytyrë me fytyrë, dhe e cila në shqipo-ilirishten dialektore e gegërishte thuhej „turi për turi“, pra ballë për ballë. Prej këtuhit ka ardhur kjo fjalë në Venedik dhe prej Venedikut në qytetin e Cyrihut, për t`ia dhënë edhe emrin: Turia/Turikum, nga Turikum në Zuri(ch)kum. CH-ja është shenjë e Zvicrës. Vendasit, të cilët kanë qenë brez pas brezi një popullatë e gjuhëve konceptuale edhe konvertuale, ndërsa shqipo-ilirishtja ka qenë deri më sot një gjuhë simbolike, nuk e kuptonin mirë këtë emër. Madje, këtë emër ata nuk dinë mirë që ta analizojnë, sikuse emrat e tjerë nga shqipja simbolike, si Retija e Vogël, e Komunës së Rahoveqit, prej të cilës është quajtur i tërë teritori i Zvicrës „Retia“. Jam ndalur sa kam pasur mundësi në Retia Prima e Retia Seconda, të Zvirës, e cila është e përzier me romakët dhe ka nxjerrur gjuhën e katërt zyrtare: reto-romanishten...

Nejse! Të mundurën na e bëjnë të pamundur lubitë dhe poetët e gjallë, me një zë të trishtë, e na e kthejnë të pamundurën ireale në të mundurën kaherë të ëndërruar. Kjo vuajtje e dhembje na zgjohet pikërisht në këto vargje të rralla të poetit:

„Po ikim nga vdekja e trishtë

Lagur si zogjtë shtegtarë për të ardhur te shtëpia

E për t`u dehur në dasmën e festës jubile

Malli na zgjon me trokitjen e besëlidhjes Atdhé”

(Përkushtimi 135, faqe 17).

Përkushtimi i këtij autori vjen prej Prizrenit, që është edhe vendlindja e tij, me të gjithë damarët e poezisë së pakënduar asnjëherë më parë, derisa vetmia vetvritet nga vdekjet e trishta të këtyre vargjeve, duke vringëlluar harresën deri në Çamëri. Katarza e vargjeve na lindë tmerrësisht në simbiozën shpirtërore të këtij poeti, para besës së dhënë kaherë për çështjen e madhe dhe ende të pazgjidhur kombëtare, ku gjithmonë zgjohet nga një grigjë lavësh të ujqërve mbi ne, gjatë lojës së pa dritë, e cila vjen përherë me synimin e lirisë e bashkimit kombëtar gjithëshqiptar.

Nëpërmjet të poezive, të cilat kanë një simbiozë të trishtë të ujkut me qenien tonë, rizgjohet ai me dhembjet e pashura të ATDHEUT, e cila është një dhembje e thellë, e pashuar, e pashmangshme, por që e zgjon kudoherë poetin të zbret deri në këngë apo e fton të ikë në shenjtërine ILIRE. Nëpër katrahurat e fatit dhe të pafatit apo fatkeqësisë nacionale, e zgjon përsëri në jetë poetin prej vitesh, me agimet e zbehta, sepse askujt nuk i duhet dashuria pa atdheun simbolik, nëpër furtunë dhembjesh.

Do të duhej të bashkohej Atdheu i ynë i shkapërderdhur, i lirë e demokratik, por ujqërit e rrebtë, nga „pozitat“ e tyre, të cilat i kanë kurdoherë “të diskutuara” rrebtë e të paqena, madje as që kanë ndonjë „arësye“ që të kenë „të drejtë“ mbi ne, e vikasin e bërtasin kurdoherë kështu. Simbioza e trishtë e kësaj dhembje vie për „mos-bashkim“, si një dhembje mjaft delikate:

„Tmerrësisht sonte mund ta dua

Ujin zjarrin e tokën

Tmerrësisht sonte mund ta urrej

Ligjin forcën e shkëlqimin

Ç`simbiozë shpirtërore

E diskedituar lirie

Kur grigja grish llavë ujqërish

Në lojë pa dritë…”

(Katarzë, faqe 22).

Të gjitha krijimet e këtij poeti, të përfshira këtu, në këtë libër, të cilat herë e kapin një ngjarje, herë një furtunë drite, që është një vetpohim prej më të largtes, e herë të tjera një përpjekje e zjarrtë për lirinë, bashkimin e rilindjen kombëtare. Ajo është gjithmonë një përjetim, siç na e thotë poeti "zemërbardhë"; një zgjim i përjetshëm në gurin e Atdheut. Të gjitha krijimet e këtij poeti dhe të këtij libri nuk janë thjeshtë vargje, por poezi e mirëfilltë të një kohe të gjërë; janë një dëshmi e gjallë dhe e dokumentuar për lirinë e vërtetë dhe bashkimin kombëtar.

Njëra nga këto, është edhe dashuria njerëzore. Njerëzit nuk e mendojnë se ajo është dashuri e njeriut si qenie njerëzore ndaj dhuntisë së qiellit; të të dhënave të shenjta të qiellit, tek njerëzit poshtë, si model i jetës së tyre qiellore; e zotrave tanë, krijuesve të botës sonë; është edukata madhore e besimit tonë në jetën e përjetshme dhe botës sonë njerëzore; e cila është e para nxitje e jona e dashurisë polivalente (të prindërve; të vëllezërve dhe motrave; të afërmive; të gjerave jetësore e të truallit; të çdo gjëje të veçantë, të cilën e mendojmë se na takon, e edhe ndaj një gruaje të vetme. Dashuri nuk ka aspak pa Atdhé, thotë poeti, sepse:

„Mu në mes të Urës së Milotit, zemra ndahet në dysh

Këtej veriut mbetet historia dhe puthja e venitur

Tutje Ilirisë shkruhet epitaf atdhetarie

Në grykën e Sazanit, pikëllon kaltërsia….“

Kujt i duhet dashuria pa atdhé, faqe 29).

„Atdheu i Bashkuar“, është dhembje e trishtë edhe e atyre bijve që lëngojnë në dhé të baballarëve e të pa bashkuar, por edhe në tretdhé, nëpër botë; nëpër tridhjet e tri shkrehje të vetetimave qiellit shkatërrues, në vend të bashkimit e shenjtërisë, si ide parësore dhe qëllim jetësor. Pa atdheun e bashkuar e të lirë, demokratik, të mirësisë e të edukimit të gjeneratave, në afrim të mirë kah njëri-tjetri, në dashuri nga njëri-tjetri, nuk ka ndjenja të mirëfillta, pos shkatërrimit. Zemra ndahet më dysh. Këtu vjen copëtimi, e jo bashkimi! Copëtohet zemra, ëndërrat zverdhen në këtë ndjenjë. Tërhiqet zvarrë, me kokën e madhe të arbërisë, e cila nuk vdes, por kurrë e harruar!

Kjo na shprehet në njëfarë forme edhe përmes vargjeve. Na vjen thirrje e fuqishme që t`i ruhemi harrimit të shekujve, me të mbeturën gjallë në jehonat e shekujve, se:

“Ruaju harrimit se dhembjae ka një adresë

E bota ka një derë nga e cila hyhet e nuk dilet

E prap jemi bijtë e një harrimi vrastar

Për të xixëlluar në derën e dashurisë.”

(Ruaju harrimit, faqe 34).

Ai i numëron të gjitha viset e kësaj simbioze të dhimbshme: prej Pashtrikut e deri në Çamëri; prej Pashtrikut e deri në Alpet zvicrrane, ku dy miqte tij të padyshimtë i mbesin atje, në Zvicrën gjermanike, unë dhe Gëzim Ajgeraj; prej majes më të lartë në Republikën e Kosovës, Pashtrikut, e deri në Hamburg të Gjermanisë, ku ati i tij, BABAI, prej të cilit e ka një rrjedhë; sepse ai e kishte dhuntinë përmes dashurisë që të vazhdojë të idhtën dhe madhështoren, te brezin e ri, I BIRI; madje tërë bota dhe e tërë Evopa na lëkunden me dëshmitë poetike nëpër vargje.

Babai i tij, i vuajtur me mërgim punues e mbijetesë të fëmijve të vet, sepse Kosova e Prizreni mbetej peng nga sebo-turqit, dhe në Landovicë serbët e bënin kërdinë, e kishte ndërruar vendin e qëndrimit të tij të vuajtjeve prej Hamburgut të Gjermanisë në Repartin Infektiv të Spitalit të Prishtinës, pas katër dekadave (për 40 vjet!), me dëshirën e vetme që të kujdesej pak për brezin e ri, për fëmijët e tij, për të dashurit e tij, prej të cilëve, biri i tij, Qazim Thaçi, poet e gazetar, i numronte me lot:

“...tri dekada maste dashurinë e At-dheut

në “Berlina platz” të Hamburgut

duke numëruar kallot e duarve me dashurinë e fëmijve...”

(Im at, faqe 50).

Dashuria ka shumë lule të mbjellura në shpirtin e poetit, e edhe të dashurisë së gjërë për viset e të parëve, që ai i thekson me “At-dheun” e babait të tij, brez mbas brezi, e mbasi nuk e kishin kursesi atdheun e bashkuar, për të cilin kemi vuajtur pjesa dërmuese e veçanërisht Kosova, deri sa erdhi në fuqi të brisht e kundërta në Shqipëri dhe nuk na i njeh aspak dhembjet tona; edhe për DIJE dhe DRITË, që do të ravijëzohen deri në fund të librit. Ai këndon edhe për të dashurën e tij fatkeqe.

Në të vërtetë, i vie dashuria si përpjekje për të dalur nga vetvetja, mjaft zëdhënëse, me fjalë të tjera, si zhdërvjelltësim deri te e pamundura; përpjekja për të thënë të vërtetën jetike, e cila mund të kthehet si “e mundur”, ndonëse e trishtë, kur nuk janë të gjithë “të kuptuar” e përkrahës të një at-dheu të ribashkuar, veçanërisht Shqipëria, të cilën e kemi dashur pa fund e si nënës tonë, e ajo është kthyer t`ia zgjatë duart armikut më të urryer për ne, që na ka grirë me pleq e me fëmijë.

Ne e thamë këtu se dashuria është njerëzore e polivalente, në të cilën u drejtohet poeti lexuesve e opinionit të gjërë, të cilët kanë ardhur në këtë botë, por nuk e dinë se qëllimi kryesor është në të vërtetë dashuria gjithënjerëzore.

Poeti, në një poezi domethënëse, e ngreh zërin e tij për dashnoren e vet, me pyetje:

“Sa herë që të dua

Pyes veten a dilet nga vetvetja?

Sa herë të kujtoj

Pyes veten a harrohet vetja?

E di se shpirti Yt

Ka zjarr dhe mall

E di se sytë e tu

Kanë frikë e dashuri...

Më thuani si jetohet

Pa sytë e saj?”

(A mund të dilet nga vetja, faqe 40).

Përkufizimi i thuktë e më me rafinesë është në poezinë “Dashuria”, të cilën nuk e shohim kështu dikund tjetër, me shpalosje të thellë deri në kundështi e antitezë:

“Herë si dhembje- herë si dëshirë

Herë si flakë- herë si akull

Simbiozë e krenarisë dhe poshtërimit...

Vetëm qenia personale e ka dilemën

A është realitet apo absurd kokor.”

(Dashuria, faqe 64).

Kështu na rrumbullaksohet e vërteta jetësore: dashuria, e falur prej Zotit të Madh kaherë në jetën tonë të përkohshme, është ç`njerëzuar deri në poshtërimin e njeriut në një makinë epshi, kur qenia personale lëviz nëpër ndjenjat e rrejshme, duke mos e patur dashurinë e shenjtë si shëmbëlltyre, ku ajo na lëviz nga realiteti në një absud kohor. Pra, askush apo pakkush e di të vërtetën e hidhur...

Shkurt, edhe në qoftë se poezia e këtij poeti, që përbanë një kohë të gjatë kohore, dhe të cilin e njohim shumë herët, na jipet një përpljasje krijuese e pafund e këtij poeti. Ai nuk mund të dalë nga vetvetja, por këndon me plot dritë, pa zhurmë e britma, për lirinë, për ribashkim, për zgjidhjen e çështjes kombëtare gjithëshqiptare, sikurse ka qenë kurdoherë në të gjitha përkushtimet e dhimbshme, por të gjalla, nëpër poezi. Pa ATDHE të bashkuar, nuk ka DASHURI të mirëfilltë!

Kjo dashuri, nuk mund të vie e plotë pa në një truall të lirë e demokratik të ri-bashkuar dhe vet libri i poetit e gazetarit të dëshmuar, Qazim Thaçi, është prova e parë apo e qartë e përkushtimit të tij[1]...

 

[1] Një fragment i shkurtër e këtij recensioni, është dhënë në libër, me rastin e daljes së tij, në “Metafora”, në vitin 2008, me titullin e përbashkët, “Fragment nga recensioni për veprën e parë të Qazim Thaçit”, faqe 70-71.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat