Me këngë dhe valle ruajtën, kultivuan dhe prezantuan vlerat më karakteristike të regjionit të Rugovës 75 – vjet radhazi

Kultura

Me këngë dhe valle ruajtën, kultivuan dhe prezantuan vlerat më karakteristike të regjionit të Rugovës 75 – vjet radhazi

Valdet Hysenaj Nga Valdet Hysenaj Më 8 gusht 2021 Në ora: 16:02
Fjala mortore me rastin e ceremonisë së varrimit nga Valdet Hysenaj

Dje, në moshën 85 vjeçare na la Bajram (Ibish) Nikqi, njëri ndër anëtarët më të vjetër të Ansamblit Folklorik Autokton “Rugova”.

Të nderuar familjarë, miq, shokë, vëllezër e motra, të nderuar të pranishëm!

Me pikëllim të thellë morëm lajmin për vdekjen e malësorit rugovas

Bajram (Ibish) Nikqi, koblajm që na ka prekur thellë të gjithëve.

Më takoi detyrë e rëndë, që në emër të Ansamblit Folklorik Autokton "Rugova" dhe në emrin tim personal, Ju familje e nderuar dhe gjithë Ju të pranishëm, t’u shpalos një hapërim të tij jetësor nëpër kohë.

Më lejoni që nga retrospektiva të kujtojmë rrugën jetësore të Bajramit tonë të nderuar, doajenit të folklorit burimor rugovas, njerut të urtë, prindit të mirë, mikut të çmuar, persosnit fisnik dhe të dashur, burrit të fjalës, besës dhe punës, ruajtësit të traditave tona, personalitetit me virtyte të larta njerëzore, këtij guri të çmuar në familje dhe shoqëri, të tillë e njohëm dhe do ta kujtojmë prore …

Në vend të letërnjoftimit:

Lindi në vitin 1935 në Shtupeq të Madh, në Shtupeqin e shumë burrave të mëdhenj të kombit, në një kohë të rëndë për Rugovën dhe etninë tonë.

Rrjedh nga një familje me tradita patriotike, bujare e mikpritëse.

Jetën rinore e kaloi këtyre grykave e maleve, ku u kalit me bujarinë, mirësinë dhe edukatën bamirëse, duke grumbulluar kështu të mira të jetës, artistike dhe shpirtërore, që do të ndikonin në arritje dhe zhvillim të mëtejmë të shoqërisë, duke u ngritur në njohje deri në shkallë të vlerave kombëtare, gjithnjë përmes vlerave historike, kulturore, shpirtërore, artistike, estetike etj.

Këndoi dhe vallëzoi anekënd torjeve etnike dhe më gjerë si në Pejë, Drenas, Prizren, Gjirokastër, Tiranë, Shkodër, Shkup, Tetovë, Ulqin, Tuz, Stamboll, Bursa, Berlin, Romë e gjetiu, në Festivale Kombëtare, duke prezantuar në mënyrë të përkryer prej artisti, përmes këngës-doket dhe zakonet e trevës së Rugovës, në mënyrë që traditën e ruajtur me gjelozi gjatë shekujve ta përcjellte brez pas brezi.

kreator i këngës burimore, artist i vërtetë i veshjes, koreograf i valles. I lindur në shkrepat e Rugovës, shumë shpejt mori krahët për t’u bërë simbol i këndimit të “ Himnit Rugovas” në Malësorçe – Zhuj Selmani.

Një jetë të tërë së bashku me anëtarët e AFA- Rugova, treguan se në Rugovë e Kosovë këndohej dhe vallëzohej shqip; më së miri e treguan më 1968 në Zagreb të Kroacisë, ku ky Ansambël zuri vendin e parë në ish Jugosllavi, për t’u kualifikuar në prezantime të tjera ndërkombëtare si në Ohër, Dortmund, Split, Opati, Kopër, veçanërisht në Langolen të Anglisë, me vendin e parë, e që në mënyrë të përkryer prej artistëve të popullit, treguan për doket dhe zakonet shqiptare, ritet e luftës dhe të dasmës, prej atyre më të vjetrave, të kohës pagane, duke e renditur këtë kulturë në mesin e më të vjetrave në Ballkan e Evropë.

Baca Bajram me Ansamblin, me këngën e vallet e burrave me jatagana, pistoleta dhe pushkë të gjata, ruajtën, kultivuan dhe prezantuan vlerat më karakteristike të regjionit të Rugovës që për 75 - vjet të veprimtarisë së AFA Rugova, u bënë ambasadorë të kulturës shqiptare në botë.

Do të mbetet në kujtesën e pashlyeshme të anëtareve të vjetër dhe të rinj për punën dhe angazhimin e tij, për përkushtimin që së bashku më anëtarë të tjerë të mbanin gjallë këto këngë dhe valle, për t’ua përciellë gjeneratave të reja amanetin e bacës Ramë, Ramë Kapllanit, Ramë Elezit, Hysen Asllanin, Isë Sadriut, Sadik Bajramit, Hasan Rrustemit, nënës Lake, Zake Currit, Zoje Malësores, e shumë anëtarëve të tjerë që me ikjen e tyre janë duke na varfëruar përditë e më shumë, do të mbeteni në kujtesën më të ndritshme të kombit shqiptar, për punën e palodhshme në prezentimin e folklorit burimor kombëtar.

Bajrami në mbamendjen tonë gjithmonë do të kujtohet për buzëqeshjen e ëmbël, kreativitetin e rrallë prej artisti të pashoq, po edhe për shumëçka tjetër që nga vlerat humane e njerëzore, modestia mbëltesë e deri te çiltërsia qiellore.

Edhe në situatat më të ndera, në kohë lufte dhe paqeje, Bajrami, kurdoherë hapte shtigje të reja organizimi dhe veprimi

- E gjejmë aktiv në të gjitha etapat historike të kohës që e jetoi ndershëm, me plot veprimtari në dobi të familjes dhe shoqërisë. E gjejmë të përkushtuar në të gjitha lëvizjet gjithëkombëtare deri në luftën e fundit të UÇK-së, ku ishte edhe vet, edhe pse në moshë, e këtë më së miri e dinë anëtarët e Shtabit Lokal të UÇK-së të Shtupeqit të Madh, për çka edhe kishte marrë statutin e Veteranit.

Sot, të gjitha sukseset, fitoret dhe bëmat e tij do të mbahen mend si fitore për të gjithë ne; dinjiteti ynë dhe shpresa jonë do të mishërohen në kujtesën tonë për jetën e tij.

Emri i i tij do të kujtohet gjithmonë me respekt të thellë, për kontributin dhe etikën e lartë njerëzore, si model për t’u ndjekur!

Nga sot Neve, të gjithëve, do të na mungojë një zë i qetë, i arsyeshëm, por edhe i vendosur...

Familja, bashkëpunëtorët, kolegët, AFA Rugova, Rugova, Peja dhe më gjerë, që të gjithë ne ndjehemi krenar që e patëm të tillë.

Ju keni dinjitetin dhe besimin të gjeni forcën e durimin përballë dhembjes.

Bajram Ibishi nuk do të jetë në mesin tonë vetëm si frymë, por me punët që ka bërë në jetë ai do të na shoqërojë gjithmonë.

Zoti Ju ndjeftë e qoftë me ju!

Kujtim dhe nderim për jetë!

LAVDI

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat