Metafora dhe simbolika në veprat e grafistit

Kultura

Metafora dhe simbolika në veprat e grafistit

Nga: Prof. Dr. Hivzi Muharremi Më: 14 shtator 2021 Në ora: 10:22
Ekspozita

Në këtë ekspozitë kryesisht dominojnë punimet e dy fushave të asaj nga teknikat e grafikës dhe të pikturës. Koncepti i ekspozitës ku autori i vë në spikamë imazhet e nduarnduarta me një simbolikë reale që mund të vrojtohen që nga pesëdhjetë punime të ekspozuara për artdashësit të kryeqendrës sonë, është titulluar: “Nuk është diçka e njëanshme”. Pra në bazë të vetë titullit sa simbolik po aç metaforik të ekspozitës shihet se autori një kohë të gjatë ka qenë i frymëzuar me tema si në aspektin tradicional e deri tek ajo të primesave filozofike e bashkëkohore, por gjithnjë duke i thjeshtësuar dhe ofruar masës së gjerë të artistëve të cilët në vepat e autorit jo vetëm që mund ta gjejnë veten në një ambient kudo që jetojnë e frymojnë, por, mund të zbulojnë edhe imazhe të shumta, të thjeshta, reale të metaforave vizuale.

Pra, Dërmaku me kalimin e tij në Zvicër, ku edhe sot jeton dhe në mënyrë të paprajshme mirret me krijimtari artistike. Veprat e tija kryesisht i përkasin dhe janë të frymëzuara nga nënqielli kosovar, nga mjedisi ku u inspiru dhe u mishëru me ato imazhe si nga natyra poashtu edhe nga ajo tradicionale të vendlindjes së vetë deri në ato vite të brishta të nëntëdhjetave ku e tërë popullata brakisi trojet e veta shekullore iliro-arbënore dhe u detyrua të migroj në katër anët e globit. Një fat të tillë e përjetoi edhe artisti-grafisti Adem Dërmaku i cili në moshë shumë të re e braktisi vendlindjen, Kosovën dhe u vendos në Zvicër, në një ambient krejtë më ndryshe, në një ambient i cili më vonë do t’i rrënjoset edhe në shpirtin e tij emocional dhe i përvuajtur për vendlindjen e braktisur. Si artist i përballon gjithë ato sfida të përjetuara dhe me devocion i qaset dhe e vazhdon krijimtarinë artistike aty ku e ndërpreu për rrethanat e krijuara të asaj periudheje makabre. Pra, vetë opusi i gjerë i krijimtarisë artistike të Ademit kryesisht përmes 50 veprave të ekspozuara më së miri dëshmon për një transformim që ka bërë prej një vendi në vendin tjetër, përkatësisht në ambientin ku sot jeton dhe krijon. Lirisht mund të themi se grafisti gjithnjë në veprat e veta duke filluar nga vitet e dymijëta kur veç është akomoduar në Zvicër gjithnjë ka mbetur besnik temave të nënëqiellit kosovar, por, ato, sidomos në ciklin e fundit të opusit të tij arrijnë një metamorfozë drejtë shprehjes moderne, drejtë një fryme e cila buron nga shpirti ekzaltues i tij dhe e ndërlidhë me fenomene bashkëkohore të fushave të ndryshme të avansuara si nga teknika, teknologjia po ashtu edhe nga fusha e artit në përgjithësi.

Veprat e grafistit janë aktuale, tërheqëse dhe figurativisht të realizuara në mënyrë shumë të suksesshme. Kryesisht autori në veprat e veta e mpleks botën e tij artistike përmes trajtimit të imazheve të shtëpiave, duart, makinat e adhuruara nga bashkëkombasit, karrigët, sofra tradicionale, aeroplani, rrugët, lodrat e fëmijëve, muri me tulla si dhe vepra të autorëve të njohur duke filluar nga Rilindja e lartë, nga vepra e “Davidit” nga Mikelanxhelo Buanoroti, Gjurmët, Bab e bir, Pajtimi e deri tek Pandemia si dukuri më vdekjepruese e tërë globit botëror. Grafisti Adem Dërmaku bën përpjekje që këto motive t’i kthen në metafora pamore të ideve të tij mbi problemet shoqërore, politike, ekonomike e gjinore. Pra një transformim i tillë shpërfaqë në shumë kompozime të autorit e veçmas siç tham edhe më parë për veprat e cikleve më të hershme e deri tek këto të fundit të ekspozuara në ekspozitën vetjake në Prishtinë. Grafisti Dërmaku me përkushtim të madh do t’i qaset kësaj frymeje te re që i tejkalon të gjitha parimet e tija kompozicionale nga fryma e introduktit real të realizimit të veprave nga ato motive tradicionale nga vendlindja e vetë e deri me sot ku tërë krijimtarinë e fokuson në vizatim, pikturë dhe grafikë.

Në këtë trikonomi të këtyre teknikave, mbarshtrohet edhe tërë opusi krijues i këtyre viteve të fundit duke e vazhduar ritmin kontinuel të krijimtarisë që e filloj ta kultivojë sidomos nga qëndrimi i tij në Zvicër. Veçanërisht me një sens autori arrinë gërshetimin e fushave të ndryshme të artit duke na sjellë imazhe me një domethënie sa përmbajtësore poashtu edhe estetike e figurative e veçmas akscentin e përqendron në simbolikën dhe kujtesen e ngjarjeve nga e kaluara si dëshmi për të na kujtuar diçka të caktuar, ku asgjë nuk humb. Pra, edhe tërë opusi i veprave të ekspozuara është një tërësi e këtyre eksperimenteve të ndërmara të autorit të cilave i jap një vlerë artistike e figurative duke filluar nga vizatimet, piktura dhe grafikat. Gjithashtu duhet cekur se në këto punime autori përveç trajtimit të optimizmit dhe lojës së gëzuar fëmijërore e të sinqertë, me vija, pika dhe ngjyra ka edhe ironi dhe sarkazëm.

Në fund do cekur se ekspozita si tërësi ka zgjuar interesim tek artdashësit e Kryeqendrës së Kosovës dhe ishte një surprizë për një atmosferë të zymtë që po mbretëron nga Pandemia gjithëbotërore.

Adem Dërmaku lindi më 31.07.1978 në Gjilan. Ka diplomuar në vitin 2001 në degën e grafikës në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, te profesori Fatmir Krypa dhe ka magjistruar në vitin 2005, po te i njëjti profesor. Dërmaku është i specializuar në litografi, aktualisht është i punësuar si asistent në studion e Grafikës në teknikën e Litografisë, Grafische Anstalt J.E Wolfensberg A.G, në Cyrih.

Grafisti Dërmaku ka prezantuar veprat e tij në katër ekspozita personale, në Prishtinë, Shkup dhe Cyrih të Zvicrës.

Po ashtu ai ka marrë pjesë në mbi 70 ekspozita kolektive nëpër vende të ndryshme të botës, si në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Bullgari, Rumani, Zvicër, Gjermani, Austri, Francë, Spanjë dhe Japoni.

Jeton dhe vepron në Cyrih të Zvicrës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat