Jepni për artin

Kultura

Jepni për artin

Nga: Delvina KËRLUKU Më: 14 shtator 2021 Në ora: 17:25
Autorja

Njerëzit e artit janë nder dhe stoli për qytetin. Sa herë që në qytet ndodh një event arti, të duket sikur qytetarët çohen më këmbë. Të bëhet sikur zgjohet nga një gjumë letargjik, sikur gjallërohet nga një plogështi, sikur ngazëllehet nga një lemonti. Sikur përgatitet për një festë të rrallë, të munguar prej kohësh, por aq të dëshiruar për të ndriçuar ndonjë skutë të shpirtit të alivanosur. E presin këtë ngjarje sikur presin një të dashur që po kthehet nga mërgata e largët. Kështu ndodh gati me të gjitha mjediset, bile edhe me ata që janë të “ngopur” me ngjarje kulturore, por kjo situatë aty mbulohet nga shumësia e popullatës. E kur këto ndodhi bëjnë vaki në periferi, të mos i ofendojmë me emërtimin e vërtetë, në provincë, është tjetër punë. Këtu bukuria shihet me tjetër sy, këtu shija shijohet me tjetër shije. Dhe, këtë hyrje e bëmë për të thënë se në këto “ethe” jeton, apo jetoi Dibra e Madhe, që ka mbetur më e vogël se çdo Dibër në çdo kohë. Por ja që e do artin, bile e do shumë. E përjeton si pjesë domethënëse të jetës së saj. Po të mos ishte kështu, nuk do të kishte disa shoqëri kulturore-artistike (më e famshmja “Liman Kaba” namëmadhe), teatrin e qytetit, etj. E përjeton Dibra sot bukurinë e aktrimit, jo vetëm bukurinë trupore të aktores. E çmon lojën skenike, magjinë e saj. E vlerëson vokalin skenik me tërë ngjyrimet e tij. Mizaskenën regjisoriale me tërë finesat e saj. I pëlqen dibranit kostumografia me tërë koloritin e tij. E magjeps skenografia me gjithë ato “thyerje” inxhinierike. I pranon klithjet, buzëqeshjet, lotin, si pjesë të jetës skenike, si pjesë të jetës reale. Se skena është jeta, teatri është jeta më e vërtetë. Gjërat e bukura nuk e përballojnë përshkrimin. Dibranët, jo vetëm gjatë këtij edicioni, por gjithmonë kur kanë rastin dhe fatin të marrin pjesë në këso evente, bëhen një me personazhet, me skenën, me aktorët burra, gra, vajza e djem, të moshave të ndryshme. Dikush qan, dikush qesh; dikush vuan, dikush lumturohet; dikush pret, dikush përcjell në skenë, e dibranët, pra bëhen tog me të gjithë zotëruesit e skenës. Por, por vetëm për një çast, se lumturia është një çast. Aq e ka jetëgjatësinë. Është “mall” me skadencë, si dhe pikëllimi. Eh, po sikur qytetet tona të kishin nga një teatër të vogël, këto ndjenja e ndjesi do të përsëriteshin e përsëriteshin. Jeta do kishte një përmbajtje dhe një kuptim tjetër. Gëzimi do të përhapej valë-valë e për një çast (por edhe një çast lumturie nuk është pak) do dilnin dibranët e gjorë nga lëkura e mërzisë, nga atmosfera e zymtë që, duhet pranuar, i ka kapluar duke parë veten të rrudhen si qytetarë e si qytet, si jetë e si kulturë. Po,po e tillë është Dibra, me sy të skuqur por pa lot (ato janë shteruar moti) nga përcjellja e pritja e djemve dhe vashave të tyre për në Amerikën e ëndrrave. E, pra këto raste e çaste artistike, siç është edhe Festivali i Teatrit Shqiptar, sjellin pak freski në shpirtrat e tyre të zhuritur. Po sikur të kishin edhe qytetet tjera nga një e më shumë ngjarje të tilla?! Po sikur të kishte mundësi qarkullimi e bashkëpunimi më të dendur mes këtyre qyteteve të harruar nga politika?! Eh, atëherë plaga do të dhembte më pak. Populli ynë jeton me këngën, me vallen, me lojën skenike, me pikturën e skulpturën, por mundësi për ta krijuar e ngritur majave artistike e ka të vështirë. Këto maja ngjiten me kushte dhe mjete, me kuadër e me financa. Zjarri nuk bëhet me urata, por me dru të thata. Një shfaqje, një ekspozitë, një botim, një koreografi kërkon mjete. E këto mjete me bollëk gjenden në thesarin e shtetit e jo në xhepat e grisur të popullit. Ne na mbetet të shpresojmë që aktivitetet e kësaj natyre të shtohen, por edhe këtë shkrim mbase e lexon dikush që ka çelësat e thesarit të shtetit në sirtar.

 

Arti, qëllim parësor ka fisnikërimin (edhe zbtutjen) e shpirtit të të gjithëve, pra edhe të atyre që kanë rastin dhe mundësinë të vendosin për gjallërimin e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat