Mjafton të shpërfillet gjaku për të mos qënë më arbër

Kultura

Mjafton të shpërfillet gjaku për të mos qënë më arbër

Nga: Gjon Marku Më: 18 shtator 2021 Në ora: 17:39
Gjon Marku

Ndalem e veshtrimin e hedh mbi shtatoren e gdhendur në gurë në vend lterin e kishës së Shën Eufemis në Kallmet e mbi vete sikur ndjej peshën e krrokamës së një kulture të flijuar barbarisht. Tej portës së kësaj kishe prej nga në lter buron një uji i bekuar i ftoht e i kulluar si loti i një shenjtëreshe siç është pajtorja e kësaj kishe shoh horizontin e fushës së bekuar të Zadrimës. Si murga pa fjalë ngela peng i magjis mahnitëse që shpalosej para meje e zemra më rrihte fort. Ajo shtatore e gurtë ndoshta fshihte një brengë të kamotshme, një fjalë a histori të pathënë e të pashkruar ende ashtu si një histori të kahershëme kishte mbajtur e  ruajtur  si gjënë më të shtrenjtë të lavdisë e identitetit tonë një tjetër kishë e moçme ajo e Shna Premtes tej malesh atje në Gëziq të Mirditës ku gurët mbajnë gjurmë apostujsh e rrënjë të herëshme identiteti, ku për të parën herë Arbërit kishin gdhendur mjeshtërisht mbi gurët e portës së kishës për t’i dhënë shenjtërimin fjalës “Komb” në një gjuhë të kulluar në mbishkrimin epigrafik ku gjendeshin emrat e princërve arbër Gjin, Dhimitër e Progon. Atje ku të parët amanet lane historinë edhe gurët më thonë të jesh besnik. Mjafton të shpërfillet gjaku për të mos qënë më arbër është amaneti i gjyshërve. Edhe pse ngado vështroj e ndjej peshën e krrokamës së qyteti të flijuar ku deshën të mbjellin një civilizim të rremë.

Ngrita sytë, qiellin pashë e pa e kuptuar as vetë pyeta ku është skaj i tij e mendimet morën udhën pa shteg e duket se diku prekën retë në zgrof të hapsirës që marramenden në arrati e ikin drejt Mirditës, drejt Malit të Shenjë udhës tempujt, kishat, katedralet fshehin të fshehtën e një qëndrese legjendare.

Në malet e “Mirditës që është me e zgjedhuna e pjesë e Shqipnis katolike “siç shkruhet në revistën “Kumona e së Djellës” ku kultet janë të hershme e të lashta ndër kuvendet e burrave e odat e moçme kanë pleqnue kullat e gurit, në këtë vend prej guri dhe dielli kishte zënë fillë kushtetuta shpirterore e vendit tone kanuni i maleve tona që s’ishte gje tjetër veçse një ligjë jetese e mibijetese në kushte lufte.

Në këtë truall ku kohrat apostolike kanë lënë gjurmët e tyre të identitetit e vetëdijes tonë kombëtare ku dëshmitë e hershme shkrimore flasin për praninë e katër kuvendeve të mëdha e të lavdishme benediktine si ai i Ndërfanës (në Gëziqin e sotem) Rubikut, Shën Palit dhe Oroshit për të cilët studiues të shumtë mes të cilëve dhe Milan Shuflai do të pohonin e dokumentonin se në to pregatiteshin klerikë të lartë për gjithë Shqipërinë, Dalmacinë madje deri dhe për Raguzën gjendeshin kishat e shenjta ndër male e Mirditës që qysh herët ishin kthyer në çerdhe të kulturës e dijes e ku nëpër gurët gdhendeshin epigrame. Ku gjendej Malin e Shenjët e në zemër të tij një kryetempull i moçëm Abacinë e njohur të Mirditës apo më heret kishte pasur në Ndërfanë selinë e peshkopatës së Arbërit. Këtyre anëve ku ishin ruajtur gurët e themelit, autonomia lokale vetëdija dhe ndërgjegjia kombëtare, mosnënshtrimi dhe qëndresa proverbiale që buronin në aspiratën për liri për të cilët Bizi thotë se: “Ata pra mirditasit përherë kanë qëndruar në liri pa ju nënështruar zotënimit të turqëve, me të cilët kanë qënë në luftë të vazhdueshme” edhe pse fshatra të tëra fshiheshin nga faqja e dheut e jeta mori fytyrën e legjendës islamizimi nuk mundi të ngulë rrënjë dhe pse erdhi deri në kufi të saj egërsisht i tërbuar e me plot britma epike. Me një ulurimë që ndihet mot për mot.

Por këtyre anëve katolicizmi duke qënë kod universal i komunikimit shpirtëror të njerimit dhe shkollë e ideve të qytetërimit europian e cila ishte bërë altar i kulturës dhe identitetit tonë kombërtar kishte ngulur rrënjë qysh heret. E mënyra se si shfaqet feja tek njeriu, në mënyrë të vetëdijshme apo e sjellë nga jashtë, varet tërësisht nga mënyra e tij e veçantë e të qënit, të menduarit dhe të ndjerit. Në rast se norma morale na detyron të shohim çdo njeri si qëllim në vetvete, asaj i bashkohet ndjenja e së bukurës, e cila mbush me jetë çdo grimcë pluhuri në mënyrë, që kësisoj të shijojë tek ajo guximin e një ekzistence të veçantë, dhe që e rrok dhe e mbështjell njeriun në mënyrë aq të plotë dhe më të bukur.

Por në këtë peisazh të mrekullueshëm në gurët e kishës së Shën Eufemisë në këtë vend prej nga vinin vera e mrekullueshme e rrushit të Kallmetit vaji i ullirit e vete kjo bimë e kurorave mbretërore mua më jepte një puhizë e aromë të këndshme mbushur besim e shpresë që sa kishte filluar të marrë nëpër dallget e reja në truallin e vjeter drejt të gjitha trevave Arberore. Por unë prap si i mpirë para ketyre shkembive serish më kthehet kujtesa e historisë e prapa kodrës diku prapa kalasë së Krujes ku futesh në trevën e Matit në Ipeshkëvinë e Lisit në të cilit Ipeshkëvi i Durrësit Pal Engjëlli pati shkruajtur për herë të parë në shqip “…Unë të pagëzonj në Emër të atit e Birit e Shpirtit të Shenjtë” e Pjetër Budi shkruante “Çetën e Profetëve”. Ndersa shekuj më vonë Ipeshkëvi i Arbërit Gjon Kolesi e merrte kujdeshëm nga kishat e Kurbinit “Mesharin” e Gjon Buzukut ta dergonte si të parin libër të shkruajtur në shqip në Romë po pse sikur më pyesin gurët e këtij tempulli mbushur bekim apostujsh?! E ndërsa këtu një ipeshkëv do të shkruante shqip: “… Unë të pagëzoj në emër të atit e të birit e të shpirtit të shenjtë” një tjetër dijetar në Mirditë rendiste për të ngulur fort në kujtesën e njerëzve të kësaj treve heroike kodet dhe nenet e Kanunit Kushtetutë. Kanunit që u bë kushtetutë shpirtërore për kombin dhe trevat e vetëqeverisura katolike. E ndërsa ai meshar kishte marrë rrugën për në Romë, atje në kishën e Kepit të Rodonit që dallgë të shumta e sulmuan herë përballë e her pas shpine në atë kohë të Gjergjit të Gjonit të Kastriotëve, kur nën kthetrat e stuhive të mëdha shqiptarët kishin ndalur atë duhi arabo-osmane që vinte me dihatje të mposhte kryelartësinë e kryetrimit të shqiptarëve. Frikëshpërfillës, vetullzinj qeleshebardhe e jelekqëndisur përmbi kështjella, kulla qytete si friknin e trembnin britmat, gjamat, thirrjet. Luftëtarët e Gjergjit të Gjonit të Kastëriotëve dhe pse nënë dhe në truallin arbër dhembshëm rënkojnë eshtrat. Deti vazhdon të mërmërijë lutjet e stinëve, dhe përplasja e valëve të pabindura që kthehen në dallgët shkumëzojnë nga tërbimi dhe qirithi ngrihen. Pulbardhat përplasen në dallgën e tërbuar siç përplasen udhëkryqet e fatkeqësive tona.

Gjon Koleci kërkonte shkollë në malësitë e Mirditës e dioqezat e veta për shkollimin e djemve që të ishin dijetar. Ipeshkëvi jep mësim në shkollën e Velës e Papa Klementi pranon propozimin e diejarëve shqiptar për të mbajtur në Kishën e Shën Gjonit në Mërqi të Lezhës sinodin e parë kombëtar shqiptar e në atë Kuvend të madh ishte vendosur e menduar për çështjet shqiptare.

Por trezat e lulëzuara ilire dikur lulëzonin e përparonin si dhe vendet perendimore pra romakët a venecianët vuanin. Pse si një duhi e zezë dhe e errët prej stepave tokave ilire u turren barbarisht sllavet që kërkonin të zhbënin e zhbinin çdo gjë e qytetet tona u rrënuan e kishat u shkatërruna e u dhanë emra ortodoks duke dashur t’i orientojnë drejt sllavizimit e emervendet ilire u zëvëndësuan e pagëzuan me emra sllavë vetë gadishulli Ilirik u kthye në Gadishullin Ballkanik e çdo lavdi të ilirëve e shqiptarëve  sllavët mundoheshin ta përvetësonin e tjetërsonin si të tyre kështu u bë dhe me (betejen e famshme të Fush Kosovës) e me këtë moment fillon një tjetër duhi sërish ardhur prej lindjes e ajo është duhija osmano–arabe. Periudhë të cilën shkrimtari ynë i shquar Ismail Kadare e quan natën me të errët dhe më të zeze të historisë tonë dhe emrat e bukur Martin, Gjergj, Gjon e Pal i ndërruan e bën Mehmet, Ali, Asllan, Mahmut e titujt e bukur “Kont” e “Dukë” i shëndërruan e bënë “Vezir” e “Pasha”

Baladat u vranë. Atje në Kepin e Rodonit kisha fsheh të fshehtën e madhe e kancelarit e Europës prisnin e merrnin letra prej Gjergj Kastriotit.  Gazullorët lënë oborret mbreterore e behen diplomatë të kryetrimit shqiptar që kishte ndalur duhinë kobndjellëse që sillnin osmanët që kërkonin të vinin nën thundër Europën e qytetërimit të saj t’i jepnin tjetër formë tjetër identitet dhe pamje. Si lugetër të ngritur nga varret netëve pis të zeza me një tërbim të tillë që ngjarë s’kishte kurrë më parë ishin turrur tokave arbnore. E qytetet tona kishin atë fat fatal: tempujt e moçëm fshihnin të fshehtën e frikshme. E mbi këta tempuj katedrale, kështjella, e kulla suleshin pa mëshirshëm ata që kërkonin t’i zëvëndësionin tempujt e shenjtë e të lashtë me minaret, e meshën e shenjtë me nizame arabe.

Në lartrësitë e bjeshkëve të Malit të Shenjtë burrat e dheut mblidheshin në kuvend të burrave të hartonin planet e luftës e të qëndresës.  

Në kufitë e Mirditës tej në Mat, Dibër, Krujë po dhe në Prizren e gjetke shpirtra pa peshë ngjiten lart. Osmanët me fytyra xhelati rendnin të merrnin nizamë këtyre qyteteve e vranë dritën shkëlqimin legjendën, baladën. Princat e kapidanët lengojnë pendimtar e murgjët të ligështuar luten të heshtur.

Qëndroj mbi këta gurë të shenjtëruar e endem pas shpirtrash nëpër kllapi ëdërrash e më bëhet se shoh pleq kobtar teksa përunjësisht përcjellin arkëmortet që zbriti udhës pa kthim në skëterre të frikshme pa qiell e hënë. Portat e kështjellave ku shkallmohen emblema fisesh. 

Pas vdekjes së Gjergjit e rënies së Krujës për fatin tonë ogurzi mjerisht nëpër tokën arbnore ishte hapërda ushtri e jeniçer osmanë. Europa heshtëte dhe e kishte lënë këtë vend në udhëkryqet e fatëkeqësive të veta e vdekja dorën s’po e ndalte, vajmedet. Mbi kullat e moçme kishte rënë një dihatje e drithëruar e kërkonin t’ua rrenonin krenarinë. Mbi qytetet shfaqet e verteta tronditëse e rrenojave të vendeve të shenjta që flasin me gjuhën e dhembjes kishin zënë vend fajkonjë që ngado kurthe e komplote ngrene, vezullimi ishte çshenjtëruar. As buka s’e pati të njejtën shije sot, as unëtia, lakminë e osmanëve të njejtë.

 Si kalorësi natën kisha nisur ta shalojmë nëpër kohët e errata të vendit tim të bekuar e historia më afrohet si një hije ngarkuar me barrën e fatit ku më shfaqet e vërteta tronditëse. Që peshën e humbjes e ka më të tmerrëshme, ngarkuar kurthe e komplote të pafundëme. I paqetë endet poshtë e përpjetë pjerrinave të vendit tim që ndër shekuj dramat i ka të mëdha. Shumë dallgë e sulmuan herë përballë e herë pas shpine. Ankthi shpirtin thellë ma pushtoi.  

Kthehme sërish në Mirditë në shtëpinë e përbashkët stërgjyshore E gjej veten të lehtë si një fllad. e kruspullosem mbi vatrën e lashtë e të shenjtë ku princët arbër gdhenden e shenjtëruan fjalën Komb aty në Gëziq të Mirditës ku prej shekujsh kishte jetuar e patjetërsuar gjuha, zakoni, tradita, miti, legjenda. Ndoshta dhe aty nën rrënoja guri i gdhendur fshihte një brengë. Tek lëshohet si rrëke humnerash fati ynë shoh fund fillimin e një epoke të lavdishme e një qytetërimi të lashtë e të hershëm që fle në honet e humbjes. Heshtja më kafshon zemërën e më shkallmon. Në përhumbje shikoj si përkundet një djep ndërsa vetëtimat sjellin mallin e bashkojnë retë atje në Malin e Shenjtë ku gurët, pemët, arat, livadhet, bjeshkët të gjitha të shenjta e ku epoka e historia frym u dha sendeve pa shpirt. E ku era fërshëllej ndër brinja. 

 Ç’brengë do të ketë marrë shpirti yt Gjegj, o kryezoti ynë unë pyes një moment veten teksa shoh në Lis të Matit mbi rrënojat e tëmpullit të shenjtë që shkëlqimi i saj mban heshtjen si lëngim ku tash kanë mbetur vetëm ferra e nën ato ferra rrënojat fshehin të fshehtën e me zemër shoh përmes verbimit natëzezën e gjatë të pushtimit osman.

Atje në tempullin e krishter të Deçanit ku Gjergj Kastrioti dhuroi një shandan për qirinjtë e shenjtë në brigjet e Drinit la me gjak e ky ishte çmimi më i shtrenjtë që paguam ku mengjeset gdhinin të mugët… idhnak e ku foshnja buzëqeshjet me lot vadit, fati na ka ndarë kobëshëm. Për më se një shekuj pushtuar nga hordhi sllave me një vështrim të zi si vështrim meduze e unë në këtë truall këngët dhe vajet nuk po i dalloj. Heshti mëkati në jetë e në varre ku kockën pa mish varrosëen në varre masive e sa pak mëshirë për ta mërmëris e vështroj udhëkryqet e fatkeqësive tona. Prerë prej trupit të truallit Arbër që kërkuan ta lenë si cung.

Tani mjerisht si një fill këputet për një qëllim të panjohur ai tempull në vend që mes nesh të ngrinte një urë krejt ndryshe vepron. 

Në kupën e qiellit nga tejlodhja më duket sikur nata thërmon yjet. Nëpër natë djajtë dhe engjëjt bashkohen. E nëpër natën e errët pa hënë mund të bëhesh prehëe lehtë e ujqërve që të vijnë rrotull. Nata erdhi nga zgavrat në thellësi të Azisë Errësira është aq e dendur sa nuk mbahej mend asgjë. Ku legjendat ndër Arbëri lindin e vdesin bashkë. Brenda dramave të mëdha që ca hije të zeza veshur e mbështjellë më çallma me ca sy hileqar kërkuan të t’i vrasin baladat e mbillnin një dihatje drithëruese. Në këtë truall që emrin e kishte Rozafë, Teutë a vetë Zoja e Shkodrës që e fyeme ka ikë thua se deti e fton ndër valë e nëpër dallgë e përtërinë.

 Zhvishet shpirti lakuriq e pengu i fundit iku si era gjethet shkund e ngre kryret vrik e shoh lajmin e fundit që flet për fundfillimin e jetës së re. e ndërsa shoh atë lajm  gjen një shteg të ngushtë ku fillon ngjitjen. Ki kujdes për miqtë që kurrë s’të braktisën mërmëris. Në Shqipëri vjen si shpend hynor të puthë tokën arbënore Papa i shenjtë Gjon Pali i Dytë e një bijë hynore e truallit të shenjtë Nana Terezë.   Koha ikën shpejt e s’kthehet më. Mjafton të shpërfillet gjaku për të mos qënë më Arbër është amaneti i gjyshërve.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat