Rëndësia e të investuarit në kulturën personale

Kultura

Rëndësia e të investuarit në kulturën personale

Më: 18 shtator 2021 Në ora: 18:59
Foto ilustrim

Keni dëgjuar ndonjë person kohët e fundit t’ju thotë se do shkojë në teatër? Po ndonjë tjetër që ka vendosur të udhëtojë për të njohur kulturën e një vendi tjetër? Me siguri jo, pasi çdo gjë duket e tjetërsuar kohët e fundit. Njerëzit kanë preferenca të tjera nga ato të viteve më parë.

Sot nuk preferohet më të shkohet në opera, apo teatër. Duken gjëra monotone. Njerëzve u duket më interesante të shohin një film në kinema, që mund ta shihnin edhe në shtëpi. Njerëzve u duket më interesante të vizitojnë një vend për të parë godinat historike dhe për të shkrepur disa foto, se sa të bisedojnë me njerëzit e atij vendi e të mësojnë për mënyrën e jetesës, pakënaqësitë që kanë duke i krahasuar me ato të vendit të tyre, apo të mësojnë për historinë e vërtetë të monumenteve që vizitojnë. Kjo është kultura e vërtetë. Kështu përfiton më tepër, se sa të tregosh me disa foto në rrjetet sociale se ke vizituar një shtet të huaj.

Njerëzit sot preferojnë të mos lexojnë, por të humbasin kohën online duke u marrë me thashetheme e duke harruar se kultura e vërtetë ekziston në faqet e librave. Nuk ka kulturë në thashetheme e paragjykime online, kultura gjendet në historitë që të shkëpusin nga realiteti e të mësojnë mbi jetesën e lehtë apo të vështirë në një vend tjetër që përshkruan një roman çfarëdo.

Njerëzit sot preferojnë të investojnë në ushqime jo të shëndetshme, shpesh të blera jashtë, duke mos blerë një libër me gatime tradicionale shqiptare. Kjo është kultura jonë, e trashëguar në vite. Nuk është një donuts (petull), por një byrek apo tavë kosi. Edhe të njohësh gatimet e huaja është pasurim i kulturës, por është një mungesë shumë e theksuar e saj nëse nuk njeh gatimet shqiptare.

Kohët kanë ndryshuar dhe me ndryshimet e kohërave priten edhe ndryshime në të menduarit e njerëzve. Le të përpiqemi që këto ndryshime të mos i bëjmë kaq drastike, pasi po humbasim identitetin tonë, po humbasim shumë kur kemi mundësi të përfitojmë akoma më shumë. Duhet të besojmë fortësisht se e ardhmja ka nevojë për njerëz sa më të kulturuar në çdo fushë të jetës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat