Lamtumirë zemërbardhi Gafur Dudaj

Kultura

Lamtumirë zemërbardhi Gafur Dudaj

Nga: Albert Z. ZHOLI-shkrimtar, publicist Më: 23 shtator 2021 Në ora: 14:37
Gafur Dudaj

Një burrë i qetë, fisnik, që në çdo tipar të fytyrës shprehte vetëm mirësi. Ai tashmë kaloi në përjetësi, por puna, mirësitë, bamirësitë, vizioni jetësor e kanë bërë të pavdekshëm. Në 30-vjet demokraci jeta e tij përmblidhet në togfjalëshin punë-suksese-bamirësi. Jo vetëm në Labërinë martire, por në gjithë hapësirën shqiptare është ndjerë zemra bujare e Gafurr Dudës. Një burrë i shtruar, që nuk ngutej kur fliste, e peshonte fjalën pasi e dinte rëndësinë e saj. Në qetësinë e mendimit ai shprehte rëndësinë e fjalës së dhënë. Fliste pak, dëgjonte shumë dhe ndihmonte shumë. Kjo ishte pamja e jashtme e një njeriu që jeta e kishte kalitur për t’i bërë ballë asaj me djersë dhe sakrifica.

Kush është Gafur Duda?

Gafuri është me origjinë nga fshati Gumenicë i Vlorës, që ka bëma e histori patriotike, trimërie e bujarie. Stërgjyshi i tij Dudë Meta, ishte oficer i Ali Pashë Tepelenës, i cili ndër të paktit në krahinë me kontributin e Pashait, ndërtoi një shtëpi-kullë me frëngji në Gumenicë. Në trashëgiminë fisnore, gjyshi i Gafurit, Nur Duda, ishte një trim i çartur komit, është vrarë në Janinë. Për bëmat dhe trimëritë e tij, populli i krahinës e përjetësoi në këngë Nur Dudën me vargjet: “Kush është Duda edhe Nuri, ish i ati dhe i biri, që nga Ali Pashë veziri, Dudë Sinani, me taborë, i zoti i kalasë në Vlorë.”Babai i Gafurit, Feriati është lindur dhe rritur në këtë kullë shtëpi të ndërtuar nga Duda. Feriati jetoi në këtë kullë dhe në shtëpinë ngjitur derisa u vra në vitin 1941. Pra jeta e fisit të tij është një jetë e çuditshme, mbushur me luftëra dhe me vështirësi. Kur hedh sytë pas dhe e shikon jetën e fisit Gafurit i duket si një film i gjatë që nuk do të mbarojë kurrë. Ai ishte krenar për këtë prejardhje, në radhë të parë për trimërinë dhe patriotizmin e fisit të tij. Por një tjetër e veçantë e këtij fisi deri tek Gafuri është se ky fis ka patur vetëm nga një djalë për vazhdimësinë e jetës. Kjo ishte dhe ajo që e ka goditur rëndë fisin. Me pasuri të madhe, patriotë, njerëz dashamirës, kurrë nuk janë thyer, por vetëm se kanë pas nga një djalë për derë. Ndërsa tek brezi i Gafurit ndodhi mrekullia. Ata u bënë dy vëllezër që e shtuan derën e madhe me emër të Dudajve patriotë. Gafuri ka një vëlla me emrin Tasim që është në Amerikë. Ata tashmë kanë një trashëgimi krejt tjetër, duke e shtuar fisin e Dudajve duke ndryshuar rrjedhën shekullore. Gafurri lindi më 15 janar 1939 në Gumenicë. Gafurri që në vegjëli trashëgoi nga të parët trimërinë, bujarinë, mikpritjen dhe humanizmin. Qysh në moshën 3 vjeç Gafurri ka ikur nga fshati, për në Tiranë. Në rini të tij ai shquhej për prakticizëm dhe intuitë jetësore.

Image

 

Krijimi i familjes

Familja na mëson të krijojmë mendimin për veten dhe për të tjerët. Gjithashtu, themelet tona emocionale varen nga mënyra sesi janë sjellë prindërit ndaj nesh, dhe çfarë mesazhesh kemi marrë nga sjellja e tyre. Fëmijët krijojnë bindjen që çdo gjë që thonë prindërit është e drejtë dhe e vërtetë. Derisa zhvillohen mendimet tona për veten, ne identifikohemi me nënën, por nga ana tjetër, babai është modeli ynë i parë sesi ai sillet me nënën tonë dhe si e shikon jetën në tërësi. As filmi, as televizioni, as shkolla nuk mund të jetë mësues më me ndikim se përditshmëria e prindërve tanë. Sjellja e prindërve bëhet model që na shërben si shembull kur të rritemi. Duke pasur fëmijëri të vështirë Gafuri donte të krijonte një familje sipas traditave të vendit ku u rrit dhe që ja kishin lënë amanet prindërit: Familja baza e jetës. Në moshën e rinisë Gafurri u martua me Xhemile Kapllanin nga Kanina, fshat i shumë vezirëve, bejlerëve, e fisnikërisë vlonjate, e cila do t’i qëndronte në krahë për të përballuar çdo sfidë të jetës. Kur Gafuri ishte me punë natë dhe ditë Xhemilja ishte shtylla e shtëpisë. Një amvisë e përkryer dhe një nënë e shkëlqyer. Ata lindën dhe rritën dy fëmijë, Besnikun dhe Adriatik Dudajn, dy djem që i gëzuan shumë pasi ritën numrin e djemve në këtë fis, dikur me djem pakë. Burrë dhe grua ditën t’i edukojnë, t’i arsimojnë dhe t’i orientojnë si duhet dy djemtë e tyre në jetë dhe ata u bënë të mbarë duke gjetur drejtimin e duhur. Sot të dy djemtë kanë krijuar familjet e tyre duke ruajtur traditat e të parëve dhe duke shtuar fisin patriot të Dudajve.

Image

 

Biznesmeni vizionar

Të zgjidhni rrugën e duhur në biznes në një shoqëri tregu të hapur është po aq e rëndësishme sa zgjedhja e partnerit të jetës. Nuk është e lehtë dhe komode të bësh biznes pasi mos harroni që nëse biznesi nuk funksionon, atëherë, jeni duke vendosur marrëdhënien personale në risk. Prandaj, para se ta nisni këtë aventurë, mendohet më kujdes, e mira, e keqja dhe e shëmtuara.


Të njohësh me saktësi vlerësimin e kërkesës potenciale në treg për një produkt apo shërbim është çelësi nëse një biznes projektohet për sukses apo dështim. Këto parime jetësore pati Gafurri parasysh në hapjen e biznesit të tij, pasi ai diti të orientohet në ekonominë e tregut, që në fillimet e proceseve demokratike. Ai shfaqi dy cilësi të domosdoshme për të qenë një biznesmen i sukseshëm: Intuitën dhe iniciativën. Kjo strategji e përdorur në biznesin e tij, e ka bërë të jetë i suksesshëm pasi të gjithë sektorët e biznesit, që ai ka drejtuar si hotel “Ballkan”, Shtëpia Botuese, “Dudaj”, “Universiteti “Marin Barleti” hoteli me 5 yje, “Hotel Adriatiku” në Durrës tregojnë për vizionin por edhe për intuitën e tij në tregun real. Gjatë luftës në Kosovë, në hotel “Ballkan,” u strehuan me dhjetëra kosovarë dhe krahas tyre edhe akademiku kosovar, Profesor Rexhep Qosja, njëherazi edhe Kryetar Nderi i Shoqatës Labëria. Aktualisht Shtëpia Botuese, “Dudaj”, renditet në 10 shtëpitë më të mira botuese. Universiteti “Marin Barleti.” mbetet edhe sot ndër më të mirët në Shqipëri, me projekt gjerman, ku vetëm projekti ka kushtuar 300 mijë Euro dhe që drejtohet nga një staf pedagogjik i kualifikuar, me pjesëmarrjen e elitës së intelektualëve të vendit dhe përgatit një gjeneratë studentësh të formuar me dije e njohuri bashkëkohore, në shumë fusha shoqërore dhe ekonomike. Në fushën e hotelerisë Gafurri ka rindërtuar e konstruktuar një hotel model bashkëkohor me 5 yje, “Hotel Adriatiku” në Durrës. Ai hotel ishte i pari i këtij lloji në Shqipëri duke terguar kështu vizionin e tij elitar si në fushën e arsimit po ashtu dhe të hotelerisë. E ardhmja në fushën e investimeve është nisma në “Gjirin e Lalsit” ku në 6 ha tokë që ka blerë, do ndërtojë një fshat turistik, si dhe një hotel me 5 yje, me 120 dhoma ku projektuese, është një studio Italiane.

Image
Gazeta Labria

 

Kontributi në sport dhe në gazetën Labëria

Gjithmonë në punë, gjithmonë i suksesshëm, por gjithmonë dhe human. Të jesh human do të thotë të mbash qëndrim njerëzor e fisnik dhe të tregosh dashuri të thellë ndaj të gjithë njerëzve. Zemra jote duhet të jetë e madhe dhe t’i nxërë të gjithë njerëzit, pa dallim dhe të kontribuojë financiarisht kur i jepet mundësia. Në fushën e humanizmit dhe sponsorizimeve Gafur Duda mbetet një vlerë e veçantë e shoqërisë shqiptare. Një ndër sponsorizimet më të mëdha dhe me vlera të mëdha monetare mbetet ndaj skuadrës së volejbollit të femrave të Durrësit, 4 herë kampione, ku Gafurri është edhe president i klubit. Një nismë të tillë me plot dashuri dhe përgjegjësi ai e ka bërë edhe në qytetin e Vlorës dhe për fshatin e tij të lindjes, Gumenicën. Si veprimtar shoqëror në Shoqatën Kulturore Atdhetare “Labëria.” ndihma e tij financiare, ka qenë e madhe. Për më shumë se 20 vjet Gafurri ka qenë i pari që ka investuar dhe po vazhdon të investojë për gazetën “Labëria”. Pa ndihmën e tij bujare botimi i kësaj gazete (tashmë së bashku me z. Agim Ciraku) me një histori të madhe në momente të caktuara do ishte i mëdyshëm. Gafurri prej 14 vjetësh është zgjedhur n/kryetar i shoqatës dhe gatishmëria e tij për të ndihmuar financiarisht në organizimin e veprimtarive, ka qenë e pakursyer. Shoqata “Labëria”për këto kontribute e ka nderuar me titullin “Mirënjohje e Labërisë.” dhe po me propozim të Shoqatës Kulturore Atdhetare Labëria “Nderi i Kombit”, Gafuri është nderuar nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani, me Titullin “ Për merita të veçanta civile”.

Një shtëpi Muze

Shtëpia kullë e fisit Dudaj në fshatin Gumenicë për karakteristikat e saj të veçanta u shpall Monument Kulture e kategorisë së parë në vitin 1984. Shtëpia kullë është me dy kate. Kati i parë ishte si bodrum, (katoi), si i thonë, ndërsa kati i dytë dhomë e madhe, tashmë e përshtatur me orenditë që i përkasin asaj kohe. Në vitin 2013 me investimet dhe interesimin e tij Gafurri me ndihmën e Ministrisë së Kulturës e ktheu shtëpinë-kullë në një muze të fshatit Gumenicë. Sipas Gafurit pas inagurimit si muze pleqësia e fshatit do të interesohet për mirëmbajtjen dhe do të pasurohet dhe me sende të tjera që i përkasin historisë së fshatit. Në një festë të vërtetë e kthyen gumeniciotët inaugurimin e godinës së Muzeut Historik të fshatit të tyre, dhuratë dhe financim i një prej personaliteteve më të njohur të Labërisë Gafur Dudaj, me rreth 30 milionë lekë. Historia e ndërtimit të kësaj shtëpie të vjetër është për t’u treguar me imtësi të gjithë brezave jo vetëm të kësaj treve, por të gjithë Shqipërisë për vetë historinë e saj magjike dhe thuajse të pabesueshme. Në vitin 1805 Ali Pashë Tepelena, bashkë me 70 trima të tij që e shoqëronin erdhi në Gumenicë ku kaloi edhe natën në mikpritjen dhe besën e stërgjyshit të Gafurit. Stërgjyshi i Gafurrit bënte pjesë dikur në ushtrinë e Ali Pashës. Ai ishte treguar besnik dhe tepër korrekt në detyrat që i kishte ngarkuar Aliu. Në shenjë mirënjohje për të gjitha sa kish bërë për të, luani i Tepelenës urdhëroi të nesërmen që të ndërtohej me shpenzimet e tij një shtëpi me dy kate dhe t’i lihej si dhuratë fisit të Dudajve të Gumenicës. Aq e fortë u ndërtua kjo shtëpi sa u rezistoi dy shekujve luftërash e rrebeshesh të historisë. Sipas arkitekturës së kohës së ndërtimit u krye rikonstruksioni i saj dhe Gafuri ia fali fshatit për ta kthyer në Muze’ historik.

Disa nga dhjetra titujt me të cilat është nderuar z. Gafur Dudaj

-Durrës, 16.08.1999, Bshkia Durrës shpall z. Gafur Dudaj :”Mik i Qytetit të Durrësit”.

– Shoqata “Durrësi” i akordon z. Gafur Duda titullin “Simbol i qytetit të Durrësit”

-Durrës, dt. 10.10.2001, Shoqata “Durrësi” i akordon z. Gafurr Dudaj titullin “Nderi i qytetit”

-Tiranë 2006, Shoqata Atdhetare Kulturore “Labëria” i akordon z. Gafur Dudaj titullin “Mirënjohja e Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria”

-Vlorë, 22.06.2009, Këshilli i Qarkut Vlorë i jep z. Gafur Dudaj titullin “Personalitet i Shquar i Qarkut Vlorë”

-Tiranë 16.12.2016 Presidenti i Republikës së Shqipërisë i jep z. Gafur Dudaj titullin “Për merita të veçanta civile”, e shumë tituj të tjerë
 

Agim Çiraku, botues i gazetës “Telegraf”

Nën/Kryetar i Shoqatës Labëria

Ishte një lajm i papritur. Kemi mbi një dekadë që bashkëpunojmëunojmë me njeriun korrekt Gafurr Dudaj. Për vite me radhë tek ai pashë labin e mirë, njeriun e dashur, biznsesmenin e suksesshëm, familjarin korrekt, shokun besnik. Cilësitë dhe virtytet e Gafurrit janë të rralla tek njerëzit. Ai fliste pak në takime por sytë e tij që shkëlqenin flisnin shumë. Do na mungojë për këshillat, do na mungojë për fjalën e urtë, do na mungojë për ndihmën e madhe financiare që i ka dhënë Shoqatës Labëria. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve për ikjen në përjetësi të Gafur Dudës. Ai ishte një mik i veçantë i gazetës Telegraf. I përjetshëm kujtimi i tij!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat