Bizhuteri mërgimtare për dashuri dhe atdhetari

Kultura

Bizhuteri mërgimtare për dashuri dhe atdhetari

Nga: Baki Ymeri Më: 24 shtator 2021 Në ora: 18:14
Foto ilustrim

Një vëllim i ri krijon gjithmonë burimin e një lumturie të madhe. Ai përfaqëson çastet më intime që i ka përjetuar autori, rrëfimet më të thella dhe mendimet më të larta të tij. Poemat e Remzi Bashës nuk janë as melodrama, as telonovela, as shqetësime të shkruara, por ato janë një filozofi e jetës, mendime fisnike mbi një jetë të përbujshme që ka përjetuar autori përgjatë jetës së tij. Jeta në lirikën e Remziut kaplon dimensione reale dhe emocionale. Poezitë e tij janë produkt i përpunuar i një mundi të sinqertë.

Mos prit të të jepet diçka prap! Mos prit të të njihet mundi, të të zbulohet gjeniu, të të kuptohet dashuria! Mbylli disa etapa! Jo nga mburrja, nga pamundësia apo krenaria! Mbylle derën! Ktheje diskun! Fshije pluhurin dhe pastroje shtëpinë! Mos mendo më se kush ishe, por shndërrohu në atë që je!, thekson Paulo Coelho në njërën nga veprat e tij. Nuk na merr, ndërkaq, shumë kohë, të kuptojmë se kush është Remzi Basha: një shpirt i mbushur me dashuri, që ia ka dhurruar dashurinë familjes, farefisit dhe atdheut të tij.

Bota ka ditur t’ia vlerësojë mundin. Ka dashur t’ia kuptojë mendimet, dhe t’ia çmojë dashurinë dhe patriotizmin, poezia duke qenë për të, partnere e reflektimit të ndjenjave, që nga rinia e tij e hershme. Poezitë e tij janë produkt i përpunuar i një mundi të sinqertë. Në to shpërthen një gurrë e kristaltë përjetimesh të mëdha shpirtërore, sidomos falë përvojës së një jete që e përshkojnë dallgët e shqetsimit dhe lumturisë. Remzi Basha, si poet, ka arritur në një mënyrë kaq sublime, të gërshetojë nytyrshmërinë me ndjenjat e zjarta të atdhetarizmit dhe dashurisë, aq saqë disa tekste të tij shëmbëllejnë me një pikturë vlerash të veçanta artistike. Një vepër arti që vlen të lexohet faqe për faqe, sepse libri është një burim ujërash të bekuara, e jo një pemë që tenton t’ia lëmosh vetëm lëvoren, pa ia shijuar frytet.

Çdo poezi e lexuar duket se është një ngjarje e papritur. Diçka që nuk të mbush me shqetësim, por me gëzim, një papritshmëri e bukur sa i përket formës dhe femrës, përjetimit dhe ndjenjës. Kur vjen fjala për përmbajtjen, që i tejkalon pritjet tona, së bashku me domethënien, jemi të befasuar me shkrepje fjalësh direkte, të ashpra dhe simpliste. Para nesh kemi edhe një gamë shprehjesh elegante që i japin një domethënie më të thellë diskursit lirik. Në tekstet e tij, pos talentit dhe llojllojshmërisë së motiveve, del në pah edhe bujaria, qëndresa e trimërisë shqiptare dhe dashuria ndaj flamurit kombëtar: Buzëqesh dhe kërce më thoshte Flamuri/ Tani është koha të shpaloset arti i një burri./ Plisi i bardhë i një plaku m’i ndriçonte brigjet/ Dhe m’i jepte mundësitë që t’i përjetoj shtigjet/ Rrugët zgjeroheshin dhe m’i çlodhnin këmbët./ Të kaluarën e lavdishme e pasqyronin këngët. (Dita e Flamurit)

Remzi Basha shkruan dhe boton poezi, merr pjesë në manifestime të rëndësishme dhe vlerësohet me çmime, duke punuar me përkushtim të vazhdueshëm, me seriozitet, këmbëngulje dhe në mënyrë krijuese. Falë këtyre dhuntive të padiskutueshme, të çmuara dhe të rralla, ka arritur të pushtojë një hapësirë ​​të caktuar dhe miq e dashmirë të panumërt, duke qenë i mirëpritur dhe gjithnjë e më tepër i vlerësuar. Me thjeshtësi dhe emocione të jashtëzakonshme, ai deshifron dhe zbulon një gamë të larmishme ndjesishë të përjetuara gjatë ekzistencës së tij.

Remziu e zbërthen në mënyrë melankolike temën e largësisë nga vendet e pandotura të tokës amtare dhe nga dashuritë e njerëzve të afërt. Ai përshkruan me modesti të matur episode kontrastuese, magjepsjen që nuk mund të përshkruhet me fjalë të dashurive rinore, mendimet, projektet dhe ëndrrat që nuk veniten në perëndim të diellit. Është, në fund të fundit, analiza e mprehtë dhe sinteza e zhvilluar më së miri e vetë jetës. Thurrja e poezive mbyllet me notat e kujtimeve të filtruara përmes asaj velloje të hollë të një lloj optimizmi që e përshkon të gjithë veprën me tone të qeta, pa u shndërruar kurrë në pesimizëm apo në viktimizim. Forma që parapëlqen më shumë autori, është ajo e shprehjeve të sinqerta, të qarta e të buta, shpesh të pasuruara me imazhe metaforike të goditura dhe befasuese, që e bëjnë leximin të këndshëm dhe tërheqës.

Një mëmëdhetar me ndjenja të zjarrta dhe ideale të larta

Në mërgatën e sotme të botës letrare, ky libër i shkruar nga Remzi Basha, lulëzon si një balsam i çmuar dhe çlodhës. Poezitë e tij i përkasin një shpirti të ndjeshëm që deshifron jetën dhe ekzistencën, i gjendur në pjekurinë e plotë. Libri shëmbëllen me një ditar lirik të një përvoje të gjatë diturishë dhe njohurishë. Bota e poezisë vetëngulitet në shpirtin e poetit, për të zbuluar gëzimet dhe pasionet, guximin dhe këmbënguljen, me fjalë të tjera, me jetën dhe me gjithë hijeshinë e saj. Ky vëllim deshifron një shpirt të ndjeshëm dhe zbulon një vetëdije të lartë, me plot dëshirë për të kapërcyer gjendjen e ikjes nga vetja, në një kontingjent të krijuar nga misioni i miqësisë dhe dashurisë. Të gjitha gjestet lirike të Remzi Bashës kanë një qëllim të ndezur, atë të përshkallëzimit të universit të vërtetë, të "rishpikjes" së ritmeve të natyrës.

Arti i mëmëdhetarit tonë nga kontinenti i veriut, artikulon një rrjet temash e motivesh të ndryshme dhe të freskëta. Kështu, poezitë e përfshira në këtë vëllim, përqëndrohen në jetën me të gjitha implikimet e saj, dashurinë që kapërcen botën dhe arrin planin kozmik. Poezitë kushtuar dashurisë janë fort mirë të ripërfaqësuara, dhe ato përbëjnë motive të denja për lexim dhe admirim. Koha konstituohet si një dimension transformues. I preokupuar me kalimin e pakthyeshëm të kohës, autori zbulon se vetëm dashuria është ajo që e shpëton botën dhe individin nga një "perëndim dielli", sepse ajo ndikon që përkohësia e momentit të perceptohet si pjesë e ritmit natyror të secilit. Në faqet e librit, hipostazat e ekzistencës së Dardanisë në trojet e Skandinavisë, ndërtohen të lartësuara jo vetëm përkohësisht, por të mbajtura mendërisht me kujtesën specifike të një shpirti të ndjeshëm.

E kemi thënë paraprakisht se Remzi Basha është njëri nga poetët më të talentuar të diasporës shqiptare, një mëmëdhetar me ndjenja të zjarrta dhe ideale të larta, një vlerë e veçantë që digjet për kombin tonë dhe atdheun e të parëve tanë, për dashuri ndaj vargut të gërshetuar me ndjeshmëri, si dhe për adhurim ndaj fjalës dhe hijeshisë së saj. Në këtë kontekst, duke shfletuar veprat e tij, konstatojmë se poezia për autorin është dëshmi e dashurisë dhe pasqyra e shpirtit që të bën të famshëm po qe se din ta “ngarkosh” vargun me thjeshtësi dhe thellësi, me dritë dhe ndjeshmëri, me me ëndërra dhe me përmallim, me dashuri ndaj atdheut dhe familjes: Në ëndërr na erdhi vjeshta/ Piqet rrushi nëpër vreshta/ Mbi do kodra e mbi do fshatra/ Mbi do bregore e male t’larta/ Fluturojnë shqiponjat e zjarrta.

Që në faqet e para të kësaj vepre briliante ballafaqohemi me meditime mbresëlënëse, erotike, patriotike dhe filozofike. Në vargjet e tij ndeshemi me subjekte kushtuar atdheut dhe dëshmorëve të kombit, familjarëve dhe dashamirëve, në totalitetin trokitjeve të zemrave. Duke vajtur nga nevoja e gjetjes së esencës, poeti vjen në mënyrë kategorike të justifikojë vlerat atdhetare, hyjnore e natyrore të asaj që ka arritur të fanitet gjithmonë dhe gjithandej. Autori buzëqesh, edhe pse shikimet e kalimtarëve ia ndajnë shpirtin në dy pjesë. Në pjesën e parë përjetimi, kurse në të dytën ëndërrimi. Mburremi me faktin se si arriti të punojë me sukses për realizimin e projekteve, ura e tij duke u bërë më e fortë, për të kaluar çdo sfidë për të arritur në prag të lumturisë me realizime ëndërrash dhe projektesh.

Dhuntia e tij lirike gërshetohet me një kulturë të gjerë dhe edukatë të shëndetshme, duke joshur kështu edhe vëmendjen e lexuesit të Kosovës ndaj një lënde poetike që meriton të mbahet mend. Remzi Basha dëshmon përmes këtij vëllimi të jetë një shërbestar besnik i penelit të shenjtë, duke i ofruar lexuesit bizhuteri kosovare mbi dashurinë dhe vdekjen, mbi heshtjen dhe mosheshtjen, mbi jetën dhe mosvdekjen, mbi një botë emocionesh të gjalla, duke patur, përndryshe, një qëndrim ferm ndaj jetës, me vargje prekëse, të mprehta e mbresëlënëse. Ka edhe shumë për të thënë për poemat që Remzi Basha që na i vë në disponim, por tani ua lë juve të zbuloni valencat e shumëfishta të fjalëve të tij. Unë e bëra timen: ua tërhoqa vëmendjen mbi një poet shqiptar autentik. Merrni si shembull duke medituar gjatë mbi këto vargje, ngase, siç thot Friedrich Nietzsche në veprën“Tejmatanë mirësisë dhe ligësisë”: „Jo forca e ndjenjave të mëdha i bëjnë njerëzit të famshëm, por vitaliteti dhe jeta e tyre.” (Bukuresht, 15 Shtator 2021)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat