Gjurmë të identitetit historik në faqet e një libri

Kultura

Gjurmë të identitetit historik në faqet e një libri

Nga: Vlash Prendi Më: 4 tetor 2021 Në ora: 19:14
Kopertina

Të ftuar në një event artistic dhe letrar në Prishtinë, bashkë me studiuesin e mirёnjohur Llesh Ndoi dhe publicistin dhe poetin Mark Gjergji, para pak vitesh, po udhëtonim në rrugën e Kombit. Bisedat dhe diskutimet për letёrsinë dhe fushën e studimeve nuk kishin tё mbaruar. Kishte pak kohë qe Lleshi kishte botuar librin studimor “Domgjoni - Në dokumenta, gojëdhëna dhe histori”, i cili u prit mjaft mirë nga lexuesi, pasi ishte i pari material i plotë qe botohej për një fshat të njohur si vendorigjina e poetit të madh atë Gjergj Fishta dhe shkrimtarit të shquar nga Kosova Hasan Hasani – Përkola. Ishte libri i tretë me studime qё botonte, por qe shënonte një arritje serioze tё autorit në fushën e studimeve, sepse studiuesi i njohur Llesh Ndoi, kishte depërtuar thellë në historinë e krijumit të fshatit të tij të lindjes, historinë e zhvillimit ekonomik, të formimit dhe ndërtimit fisnor dhe evidentimit të figurave të shquara të zonës që kishin bërë histori në Mirditë e më gjërë.

Ndërsa ecnim dhe bisedonim për ҫështje të ndryshme nga fusha e krijimtarisë, në një moment Lleshi ndalon makinën dhe më fton të zbres. Para meje shtrihej një panoramë e bukur, qe fillonte nga lugina e Fanit, deri lart mbi male, një pamje alpine, me male të larta, lëndina me bar, kopshte e livadhe, ara të mbjella, ndërtesa shumëkatëshe.

- Këtu jemi në Fanë të Mirditës, - më thotë Lleshi me krenari, - ja tek është mali i Munellës, rrëzë tij shtrihet edhe fshati im i lindjes, Domgjoni.

E kundroj me vemendje natyrën e egër të këtyre maleve dhe mendoja të kaluarën e vështirë të këtyre malësorëvë, menyrën e vështirë të jetesës, apo vështirësitë e papërballuashme të sigurimit të bukës, izolimit disa mujorë për shkak të dimrave të ashpër, mundësitë e kufizuara të lidhjes me njësitë e tjera vendore për shkak të mungesës së rrugëvë etj. Lleshi sikur i lexon mendimet e mija, prandaj shton: - Kam punuar disa vite në zonën e Fanit si specialist dhe drejtues ekonomie, vërtet ishte terren i vështirë, por kishte njerëz të mirë, punëtorë dhe bujarë, që ta lehtësonin punën. Ato vite ishin vërtetë të vështira, por më krijuan mundësinë të njoh historinë e lavdishme të kësaj treve dhe të mësoj shumë për jetën dhe veprimtarinë e figurave të shquara që kanë dalë nga Fani ose jetojnë në këtë krahinë.

- Atje shmanget rruga për në Domgjon, - më thotë Lleshi. Nga Fani në Domgjon e bëja në këmbë. Më kishin dhënë një motor, po nuk e përdorja për shkak të terrenit të vështirë, prandaj nuk ka fshat të Fanit qe nuk e kam shkelur në këmbë, nuk ka të moshuar fanas që nuk kam takuar, shpesh jam ulur këmbëkryq në vatrat bujare të fanasve. Kam kaluar vitet më të bukura, por edhe më të vështira tё jetёs në këtë trevë, - e mbyll mendimin ai.

Nisemi në rrugëtim, po nuk mund të hesht, prandaj e pyes Lleshin: - Kur e njeh aq mirë historinë e kësaj krahine, ke biseduar me burra të moҫёm dhe tё mënҫur të Fanit, i njeh mirë fshatrat e kësaj zone, fiset dhe prejardhjen e tyre, zhvillimin ekonomik, figuarat e shquara të kësaj treve, pse nuk projekton një monografi për këtë trevë të bukur dhe me tradita? Kisha parasysh punën madhore që kishte bërë Lleshi me monografinë për Domgjonin, fshatin e tij të lindjes dhe isha plotësisht i bindur që studiuesi Llesh Ndoi, mund ta realizonte më së miri një projekt të tillë.

Pasi u mendua pak, Ai e theu heshtjen: - Ma ka propozuar edhe studiuesi i mirënjohur me origjinë nga Fani një projekt të tillë, por nuk mundem, më duhet të gjurmoj në arkiva, të mbledh materiale, të takoj të moshuar, është një punë tepër e vështirë. Megjithatë do ta mendoj këtë ҫështje dhe do të hartoj një projekt – studim. Se sa mund të arrij, nuk mund të premtoj.

- Kam besim se Ju mund ta realizoni një vepër të tillë, - ndërhyn Mark Gjergji, - sepse këtë e vertetuat edhe me monografinë “Domgjoni - Në dokumenta, gojëdhëna dhe histori”, një libër qe u pëlqye mjaft nga lexuesi.

Kanë kaluar pak muaj dhe ne tani kemi në duar librin e ri të studiuesit Llesh Ndoj, një vepër e munguar jo vetëm në tregun e librit, por edhe në literaturën historike dhe monografike shqiptare.

x x x

Pas katër veprave monografike, që kulmuan me librin “Domgjoni - Në dokumenta, gojëdhëna dhe histori”, lind një vepër e re nga dora mjeshtrore e studiuesit Llesh Ndoi, “Fani dhe fanasit – kështjellë e pamposhtur”, qe pa dritën e botimit këto ditë. Vepra në fjalë, është përbën një material me shumë vlera për historiografinë shqiptare, bazuar në kritere shkencore dhe mbështetur fuqishëm në literaturë dhe dokumente arkivore kër këtë krahinë të njohur, jo vetëm në Mirditë. Në këtë libër është përshkruar historia e zhvillimit të trevës së Fanit, është dhënë si e gjallë jeta e mjaft figurave të shquara të krahinës duke iu përmbajtur fakteve dhe duke shtjelluar me kujdes nyjat e nderlikuara të të ngjarjeve historike të jetës. Në këtë monografi me vlera janë rrahur problem të historisë së krahinës, të zhvillimit ekonimik dhe kulturorë, është paraqitur realisht jeta dhe veprimtaria e disa personaliteteve, në këtë kontekst autorit i është dashur të shfletojë material studimore, të gjurmojë dokumente historike, të konsultojë dhë bisedojë me deshmitarë dhe të moshuar të krahinës për zgjedhjen, interpretimin historic dhe shkrirjen e tyre në monografi.

Udha krijuese e studiuesit të njohur Llesh Ndoi ka nisur relativisht vonë, por pati një shperthim të menjëhershëm në shumë zhanre, si poezi, studime dhe monografi, vepra të cilat kanë ka ngjallur interes tek lexuesit e shumtë, para kësaj vepre kanë qëndruar me nderim brezat qe jetojnë dhe brezat qe do të vijnë. Veprat e tij në fushën studimore, janë libra ku gjëmon historia e lashtë dhë e sotme, e përgjakshme dhe e vaditur me djersë, qe tashmë kanë hyrë në jetën e njerëzve dhe janë bërë symbol i punës, luftës dhe veprimtarisë së tyre. Sa herë sjellim ndërmend Fishtën, kujtojmë librin “Domgjoni…”, sa herë sjellim ndërmend Domgjonin, kujtojmë shkrimtarin e njohur Hasan Hasani – Përkola, sa herë sjellim ndërmend Mirditën, kujtojmë veprën më të fundit të studiuesit Llesh Ndoi “Fani dhe fanasit…”.

Duhet theksuar se në këtë vepër, fakti historik është transformuar nga autori në në material monografik, sepse është lidhur ngushtë me historinë, jetën dhe figurat e krahinës, është bërë një mbështetje e vërtetë për të shpjeguar drejt, jo vetëm të dhënat historike për Fanin, por edhe veprimtarinë, psikologjinë, botëkuptimin dhe evolucionin e mendimit të banorëve të asaj treve. Kur lexon këtë vepër, qe nga lashtësia deri në ditët tona, vetvetiu fillon e ndjen se si rritet para teje kosiderata per nje krahinë të tillë plot tradita dhe figura e shumë patrijotëvë qe dhanë gjithҫka për Fanin dhe atdheun.

Duke qënë një njohës i thellë i problemeve të vendlindjes, i dukurive historike, ekonomike dhe politike, studiuesi Llesh Ndoi diti ti derdhë mendimet në 388 faqet e librit me shumë vlera qe kemi në dorë sot. Kjo vepër është sjellë nga autori jo thjeshtë për njohje, por si një material bindës historik, qe pohon rolin e pazëvendësueshëm qe ka luajtur Fani dhe bijtë e saj në ҫështjen kombëtare shqiptare, qe në periudha të hershme të historisë. Historia e krahinës jepet në zhvillim, që nga lashtësia deri në ditët tona, ndërsa figurat e personaliteteve më të spikatura të krahinës janë paraqitur me ngjyra reale dhe të ngrohta, nga ana tjetër vihet re se faktet jepen sipas kriterit kronologjik, por edhe sipas një strukture të studiuar, qe i përgjigjet pikësynimit ideoartistik të veprës. Nuk gabojmë nëse themi se epoka historike, sidomos kapitulli Origjina, emir dhe lashtësia, vjen në vepër si një panoramë historike, si një studim i mirëfilltë shkencorë, që lidhet me prejardhjen dhe vendosjen e banorëve të parë në Fanë dhe origjinën e tyre. Duke qënë i hapur dhe mjaft i qartë, autori hedh për diskutim disa opsione të prejardhjes së emrit Fanë. Autori na bën me dije se emir Fanë, vjen nga emir “Faunus”, përkatësisht një perendi romake, nërsa mësohet se këtë emër e mban edhe nje perendi e hershme irlandeze, perëndeshë e deteve, perla e bukurisë, ashtu siҫ është edhe Fani në të vërtetë. Një vend me rëndësi zë në vepër edhe problem i popullsisë, rritja, zhvillimi dhe problemet e emigrimit, ku autori thekson se në vitin 1905 Fani ka 3353 banorë, ndërsa në vitin 1989, numri i banorëve arrin në 13000, për të ardhur në vitin 2020, ku numri i tyre bie ndjeshëm, në 4280 banorë. Këtë fenomen autori e shpjegon si dukuri e lëvizjes migratore të popullsisë, sidomos pas viteve 1990. Kështu autori ka korrur material arkivore për të dhënë fakte historike, mbi të cilat mban qëndrim dhe nxjerr përfundime. Kthimi i faktit historik në material monografik është padiskutim process krijues, sepse autori ynë në këtë rast kalon në procesin e sintetizimit të materialit historik dhe të pergjithësimit duke filluar nga detajet e veҫanta dhe konkrete, duke patur pikësynim ndërtimin e tërësisë monografike për një rajon të njohur, siҫështë Fani. Në këtë formë vjen para nesh edhe materiali monografik i studiuesit Llesh Ndoi, ku ndërthuren aq mjeshtërisht të dhëna nga fusha të ndryshme si historike, gjeografike dhe etnografike. Autori na njeh në vazhdim me pozitën gjeografike të Fanit, burimet natyrore, zhvillimin ekonomik, vlerat tradicionale dhe shpirtërore të trevës, deri tek figurat e njohura në Fanë dhë më gjërë, të cilat janë tipike për trevën e Mirditës. Interest ë vëҫantë paraqet kapitulli qe u kushtohet figurave të shquara nga treva e Fanit, që kanë dhënë kontribur të shquar për ҫështjen kombëtare shqiptare. Figura të tilla si ajo e atë Gjergj Fishtës, Mark Ҫetës, Zef Kol nokës, Anton Ҫetës, Prengë Tuc Dodës, Prengë Ndec Prengës, Zef Prengë Lleshit, llesh prengë tomës etj, janë pasqyruar me kujdes dhe dashuri nga autori. Por nuk harrohen edhe personalitete të tjera nga bota e letrsisë dhe shkencës që kanë kontribuar për Fanin, Mirditën dhe mbarë trojet kombëtare si: Hasan Hasani – Përkola, Zef Vorf Nekaj, Gjet kaza, Zef Loka, Gjin Mark Doda, Nikollë Shyti etj, të cilët punuan me përkushtim në fusha të ndryshme, qe krahina e Fanit të njihej në arenën kombëtare dhe më gjërë.

Edhe shperngulja e fanasve nga vendlindja dhe vendosja e tyre në Lugun e Drinit, trajtohet në menyrë të veҫantë nga autori. Ҫështja e emigracionit ka ekzistuar gjatë gjithë periudhave të historisë në vendin tonë dhe shkaqet kanë qënë të ndryshme. Studiuesi Llesh ndoi na bën me dije se emigrimi i fanasve ka ndodhur kryesisht për ҫështje ekonomike. Emigrimi i tyre filloi aty nga shek. XVII, ku u vendosën kryesisht në Klinë, Krushë të Madhe, Leskoc, Ranoc, Zllakuqan etj. Tërheqin vëmendjen disa familje dhe personalitete të njohura qe punuan për ҫështjen kombëtare si familja Marniku, familja e Nek Dodëve, Milici, Tanushaj, Xhuxha, Ramaj, Alia, si dhe Gjokë Domgjoni e Tomë Domgjoni të cilët nuk iu nënshtruan kurrë dhunës dhe robërisë shoviniste serbe. Vepra të tilla studimore dhe historike janë shumë të dobishme për edukimin atdhetar të brezave që vijnë, qe të ndjekin me besnikëri rrugën e lavdishme të paraardhësve, duke mos kursyer asgjë për t’i dalë zot fateve të atdheut dhe për të qënë kurdoherë afër dhe në sherbim të vendlindjes. Njohja e historisë së trevës dhe përpjekjeve të paraardhësve tanë për të mbijetuar, është një përvojë e vyer, që i ndihmon brezat e ardhshëm për të përcaktuar saktë rrugën e drejtë qe duhet ndjekur për të mbajtur gjallë frymën e dashurisë për atdheun. Vlerat librit ia shton edhe puna plot passion e redaktorit, studiuesit të njohur dr. Nikollë Loka, recensentit dhe konsulentit, shkrimtarit të shquar prof. Mikel Gojani, të cilët kanë bërë një punë mjaft të kualifikuar dhe me vlera. Për idetë qe pasqyron, gjuhën, leksikun dhe shprehjet ndërkrahinore dhe problemet historike qe parashtron, vepra e studiuesit Llesh Ndoi ka vlera të pamohueshme historike, sepse kjo vepër hedh dritë mbi historinë e nisjes zhvillimit të trevës së Fanit, një nga më të njohurat në Mirditë dhe në trojet mbarëkombëtarë shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat