Kemi jetë letrare të pasur me tallava

Kultura

Kemi jetë letrare të pasur me tallava

Nga: Hejza art Më: 8 tetor 2021 Në ora: 20:43
Vaid Hyzoti

Vaid Hyzoti është lindur në Ishëm të Durrësit. Përfundoi studimet për letërsi në Universitetin e Tiranës më 1982 dhe specializimin pasuniversitar për kritikë letrare në vitin 1986. Ka punuar mësues e gazetar. Ka botuar këto libra: “Zërat e ditës së re”, Tiranë, 1986, “Qyteti i të më marrëve”, Nju Jork, 2o06, “Jemi të pandehur”, Nju Jork, 2008, “I dënuar të qesh”, Nju Jork, 2011, “Kafe me djallin”, Nju Jork, 2013, “Dita ime – një cigare”, Nju Jork, 2016, “Thashetheme të vërteta” (prozë), Detroit, 2004, “Fëmijë i vjedhur” (prozë), Nju Jork, 2007. Prej 23 vitesh jeton në Nju Jork. Është përfshirë në shumë antologji dhe merret edhe me kritikë.

HEJZA: Larg atdheut, larg vlerave kulturore të kombit, me valixhet plot kujtime, ndrydhur në vetmi e përmallime, lemeritur nga pesha e papërballueshme e asimilimit – ky është motivi krijues, apo, është ai fat që i ndjek të mërguarit për të bërë letërsi të mirëfilltë. Dikur, krijuesit nga diaspora, shqetësimet letrar si rrjedhojë e rebelimit shpirtëror anti-pushtet (disidenca), i orientonin në krijimin e kryeveprave në letërsinë tonë shqiptare, sot këtë gjë e bëjnë me qejf, për ta përcjellë traditën e prurjeve të reja në letërsi dhe, përgjithësisht, në kulturë! Apo ndoshta, tashmë, ky vlerësim është demode, sepse, shkrimtari ynë sot, në kohën e globalizmit, kudo qoftë në botë, ai është në atdhe!

HYZOTI: Po hyj direkt në temë: Kudo që të shkosh si mërgimtar je i huaj. Dhe kjo të shoqëron tërë jetën. Flas për ne mërgimtarët e Shqipërisë, që erdhëm pas viteve ‘90. Sado që Amerika ka “ ingranazhe” të forta mbështetur në ligje të zbatueshme, përsëri deri në fund ne “ të parët” mbetemi të pa ambientuar tërësisht. Kam lexuar diçka nga aktori kosovar, Çun Lajçi, para shumë vitesh, kur i drejtohej mërgimtarëve: ”Ju jeni larg atdheut sot. Por akoma më larg do jenë fëmijët tuaj”. Pra malli, kujtimet, përputhjet e mospërputhjet shpirtërore këtu larg janë të shumta. Por, kjo nuk duhet të jetë i vetmi motiv që shpesh të bën sentimental e folklorik. Parë më gjerësisht, në balancën që bën shpirti, kupton se krijuesi nuk është kurrë i vetëdijshëm për çfarë do të shkruajë. Vetëm atëherë kur nuk detyron veten të mos shkruash me dhunë mendore, mund të nxjerrësh një krijim që rravgon fort nga cilësia artistike.

Një tjetër trendi i një grupi krijuesish është bërë sot paraqitja “ artistike” e të qenit të persekutuar. Është krejt e dalë boje! Gjemëni një shqiptar që nuk ka qenë i persekutuar! Gjemëni një qytetar të rritur në monizëm që s’ka një shenjë të përdhunimit të lirisë së të menduarit. Edhe rrobat artistike moderne me fiction që trajtojnë tema të tilla nga disa syresh, nuk u shkojnë këtyre krijuesve kur trajtimin e të persekutuarit e kthejnë në mani.

HEJZA: Gërshetimi i kulturës hispane me kulturën e indigjenëve përgjatë kolonializimit të “kontinentit të ri” (Amerikës), solli deri te “lindja e madhe” e Letërsisë Hispanoamerikane, e cila, botës letrare i dhuroi kryevepra të paarritshme, nxori një plejadë shkrimtarësh mbase të papërsëritshëm ndonjëherë! Mund të vërehet ndonjë element i tillë gërshetues te krijimtaria letrare e krijuesve tanë në diasporë?

HYZOTI: Më pyet ku më dhemb e ku ndjej më shumë! Sepse në do të përveçoja dy nobelistë të zemrës sime të të gjitha kohëve, ata do ishin Markez dhe Neruda. I mbaj gjithnjë në tavolinë. Por, kur erdha këtu rrëmova në letërsinë e indigjenëve amerikanë që janë “ pronarët” më të hershëm të këtij kontinenti. U mahnita, siç jam mahnitur me letërsinë e hershme arabe e persiane, me atë kineze, greke e të tjera. Dhe të gjitha filozofit artistike të krijimeve (më saktë: më të shumtat) ishin për jetën e lirë, forcën e njeriut dhe bisedën me natyrën. Mund të sjell sa e sa krijime këtu, por nuk është vendi. Pra, realizmi magjik, letërsia hispanike që vazhdon të tronditë botën dhe sot ( unë e pëlqej veçmas) ka pasur një truall poetik. E keqja e shumë autorëve tanë në mërgim dhe në atdhe është “përshtatja” pa themel e realizmit magjik me elemente baladash të njohura e rrëfenja. Letërsia hispanike në prozë e poezi është syri i të vërtetës ndijore me të vërtetat dhe mënyrën e vërtetë që u sheh shpirti krijuesve. Sa më shumë ta njohësh e të zhytesh në të, më shumë të mbushet mendja që të heposh gjatë para se të shkruash.

HEJZA: Është më me vlerë ndjekja e traditës për të sjellë “krijime unikale”, apo, të bëjmë përpjekje që letërsinë tonë ta sjellim në gjuhën e popujve me të cilët bashkëjeton diaspora jonë! Sa stimulohet përkthimi, a kemi përkthyes të mirëfilltë në diasporë. Bibliotekat si dhe libraritë tona, gjithandej viseve etnike, po “gogësijnë” nga veprat e përkthyera nga letërsia botërore. Apo ndoshta ndani mendimin se çështja e përkthimit të veprave tona nga shqipja në gjuhë të ndryshme, është problem që duhet ta zgjidhin ekskluzivisht institucionet tona qeveritare dhe nacionale!

HYZOTI: Fatmirësisht ne kemi një traditë të mrekullueshme letrare. Krijuesit e sotëm para se të hyjnë në arenën shkrimore, duhet ta njohin thellësisht letërsinë e shkruar të folklorit dhe atë të kultivuar. Nuk jam kategorikisht të përshtatemi me modelet e vendeve ku jemi. Se, siç e thashë në fillim, ne jemi pak larg atdheut dhe nuk kemi mbërritur si fëmijët tanë apo nipërit dhe mbesat... ne mendojmë shqip. Ne u drejtohemi se pari lexuesve shqiptar. Çdo stërmundim t’u përshtatemi Folknerit, bie fjala, do na bënte qesharakë. Në është e vlertë dhe e përbotshme ideja artistike, nivel, pavarësisht se shqipja është gjuhë më pak e njohur për botën, se është grupim i mëvetësishëm në gjuhët indoevropiane, ajo do të çajë dikur, ose se paku do mbesë në syrin e ndonjë lexuesi.

HEJZA: Cili është raporti i atdheut me krijuesit shqiptarë të diasporës! Shtëpitë tona botuese që i kemi me bollëk, dinë gjë për këta shkrimtarë, apo, nisin e i njohin sapo ndonjëri prej tyre të shpreh gatishmëri për vetëfinancim të veprave të veta? A mendoni se vetëfinancimi i botimeve është një “korrupsion kulturor” i cili duhet të ndiqet, madje edhe me mbyllje të shtëpisë botuese, nga organet respektive shtetërore?

HYZOTI: Pa merak fare për këtë. Dihet se ne shqiptarët në vendlindje dhe në emigrim më shumë kemi “krijues” se lexues. Pra dhe nëse nuk na njohin lexuesit (është mëkat letrar për shumë krijues të talentuar e të vlertë), shtëpitë botuese na njohin e na afrohen, sidomos ne emigrantëve që “jemi të pasur”. Nuk flas për veten time, por shumë miq të mi këtu që besoj janë krijues cilësor, marrin ftesa me shënimin: jemi më të lirë se të tjerët”. Është neveri dhe tallje me veten të botosh me pagesë. Falë njohjeve dhe miqve të mi (falënderoj me këtë rast Petraq Riston kur drejtonte Globus R dhe Rexhep Shahun qe ka Klubin e Poezisë), nuk kam botuar me pagesë për majmen e botuesve, të cilët në të shumtën, nuk i lidh asgjë me letërsinë. Vetëm është biznes dhe jo i pastër. Nuk flas se kam vlera të veçanta. Te kuptohemi. Ndërkohë kam njohur e hasur në rrjete sociale autorë që kanë botuar 9-13 libra në një vit. Ka botues fatlumë!

HEJZA: A e ka thënë akoma fjalën e vet kritika letrare për krijimtarinë që po zhvillohet në diasporë. Apo, janë dy vlera që po ecin paralelisht dhe assesi të takohen diku sy më sy!

HYZOTI: Jo për diasporën, por në tërësi për letërsinë shqiptare kritika thuajse nuk ekziston. Unë e përligj këtë gjendje. Se ndërsa krijuesi është një i sëmurë i padurueshëm për të shkruar (krijuesit cilësor), studiuesi me prirjen e përgatitjen e tij duhet të bëjë punë të vërtetë studimore me vlerat e një kritike të mirëfilltë. Kush do ia shpërblejë këtë punë atij? Kush tjetër veç botuesve duhet ta bëjnë këtë? Njohja ime mbase është e paplotë, por e quaj sakrificë mundimet e Behar Gjokes dhe Emi Krosit. Madje, me sa jam në dijeni, kjo e fundit po bën një studim monografik të letërsisë së diasporës. Mbërriftë dhe botoftë atje... se duhet të paguash ti që je për t’u paguar.

HEJZA: Antologjitë e më hershme të poezisë, por edhe të tregimit shqiptar, nuk janë llogaritur si të “kompletuara” pa përfshirjen e autorëve shqiptarë të diasporës! Sa vend zënë sot krijuesit nga diaspora nëpër antologjitë e tilla bashkëkohore? Apo nuk njihen fare nga hartuesit e antologjive, aq më pak nëse nuk paguajnë për përfshirje!

HYZOTI: Nuk di të jetë botuar ndonjë antologji e plotë për letërsinë shqiptare deri më sot. Të gjitha janë almanaqe, ku kërkojnë të përligjin fëlliqshëm nominimin si antologji, duke futur dy- tre autorë tashmë të konfirmuar. Antologjia është flamuri i prozës apo poezisë kombëtare. Një poet në arrin në jetë qoftë dhe një poezi që të jetë antologjike, ka mbërritur diku. Te ashtuquajturat antologji janë bëzhdile letrare. Se kemi ne të shumtën krijues letraresk dhe jo letrar. Në një shkrim tuajin e kenë kapur saktë problemin e antologjive dhe mbaj mend që lashë një shënim në formë komenti.

HEJZA: Jeta letrare e shqiptarëve sot është më e pasur se dikur apo më e varfër?

HYZOTI: Është jetë më e pasur në tallava letrare dhe shumë më e varfër në cilësi. Krijues të shumtë me nivel ka, por i mbulon byku në kalbje i sharrashkruesve (term i huazuar ky).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat