Motivimi dhe demotivimi shoqëror në Kosovë

Kultura

Motivimi dhe demotivimi shoqëror në Kosovë

Nga: Mr. sc. Shefki STUBLLA Më: 12 tetor 2021 Në ora: 18:20
Mr. sc. Shefki Stublla

Të nderuar lexues e lexuese, këtë shkrim timin po e filloj me një mendim të të madhit Zh.B.P.-Molierit: “Nuk jemi përgjegjës vetëm për atë që kemi bërë,por edhe për atë që nuk bëjmë”.

Bazuar në momentin aktual dhe shumë të ndjeshëm në të cilin gjendet aktualisht Republika e Kosovës,pas pavarësisë së saj, atmosfera shoqërore, domsdoshmërisht duhet të kthjellet,standardizohet dhe të humanizohet, sepse këtë periudhë e karakterizojnë dhe e bëjnë shumë të ndjeshme edhe shumë gjëra të dëmshme, në të gjitha aspektet. Një ndër to është edhe mungesa e motivimit dhe shfaqja shumë e rrezikshme e demotivimit.

Të kuptohet mirëfilli: ka kaluar koha që ne fajin e gjejmë,vazhdimisht, vetëm tek të tjerët.Ka ardhur koha për një autokritikë dhe fajin kryesor, tani për tani, e kemi edhe vetë.Andaj, urgjentisht, kërkohet angazhim i njerëzve trima, të dijshëm dhe të ndershëm, për hartimin e një strategjie,të mbështetur në një kronometër afatgjatë për të dale nga kriza e dis-harmonisë së brendshme, së pari ndërmjet partive politike shqiptare. Është e paqartë si nuk po e kuptojnë këto parti që janë produkte të një mielli ?!

Ç’ËSHTË MOTIVIMI

Motivimi është tërësia e arsyeve,e argumenteve që sillen për të provuar a për të treguar se diçka është e drejtë,e vërtetë, dhe e pranueshme (Fjalori i gjuhës së sotme shqipe,f.1173,Rilindja Prishtinë, 1981). Fjala motiv, lat. “motivum”- shkas, nxitje, që në të vërtetë mbështetet në nxitjen e individit për të krye një punë e që lidhet për vullnetin dhe interesin individual dhe shoqëror.

Çfarë e motivon qytetarin e Kosovës

Qytetarin e Kosovës e gëzon dhe motivon çlirimi i vendit nga okupatori fashist serbomadh,Kushtetuta e Re, ndërtimi i sektorit të sigurisë, FSK-ja, Policia e Kosovës, ekzistenca e institucioneve të arsimit dhe kulturës e shëndetësisë, trafiku i rregulluar urban dhe ndërurban, furnizimi me gjëra ushqimore dhe me sende të veshmbathjes dhe me gjera të tjera për jetesë. Shumica e kosovarëve dëshirojnë të kenë ushtrinë e vet – forcën mbrojtjëse, si force e identitetit shtetëror,e cila nga intitucionet përkatëse shtetërore duhet të përkrahet finaciarisht për pajisje adekuate të standardizuar me NATO-n. Sepse forcat e armatrosura justifikohen parimisht si domosdoshmëri për sigurinë e vendit.

Qytetarin e Kosovës e motivon dhe ndjehet krenar me origjinën dhe veprën e Nenës Terezë,Fadil Vokrrit,Ismail Kadaresë, Majlinda Kelmendit, Distria Krasniqit,Nora Gjakoves, këngëtareve Rita Orës dhe Dua Lipës, ekipeve sportive të futbollit dhe basketbollit,edhe shumë veprimtari të tjera të pranuara ndërkombëtarisht dhe kombëtarisht..

Ç’ËSHTË DEMOTIVIMI

Demotivimi është një gjendje e rëndë kur njeriu lodhet nga vetvetja dhe e humb besimin se mund të ndryshojë. E ndjen veten të vetmuar të humbur, i mungon forca për të gjetur një rrugëdalje,një perspektive për arritjen e qëllimit. Për të dalur nga kjo gjendje e rëndë shpirtërore sugjerohet këshilla: bëhu trim, kreshnik i rrugës sate. Sajo një tregim jetësor. Gjeje dashurinë e vërtetë. Lehtëso stresin mental,sepse çdo njeriu i ndodh të përjetojë gjatë jetës një moment hutie dhe pasigurie, kur nuk di kah t’ia mbaj. Në këtë rast, kur dikush afrohet të të ndihmojë për të dalë nga kriza, për të marrë frymë lirisht,e falëndero dhe mos e harro të mirën e atij njeriu.

Çfarë e demotivon dhe demoralizon sot qytetarin e Kosovës

Qytetarin e Kosovës e demotivon: korrupsioni,nepotizmi,krimi i organizuar,trafiqet ilegale,aktivitetet e ndryshme terroriste,papunësimi i lartë,rrogat e ulëta,lënja anash e njerëzve të moshës së tretë, pensionet mjerane,migrimi i madh i të rinjve dhe të rejave,shëmtimi i gjuhës standarde,trajtimi banal i çështjeve të rëndësishme të jetës nga disa (b)analistë,për çdo mbrëmje në televizione të ndryshme,të cilët çorientojnë popullin,me gënjeshtra e shpifje të ndryshme,ndotin ambientin mental,dhuna ndaj femrës shqiptare.

Pastaj: cilësia e dobët e arsimimit në të gjitha nivelet e dijes,sidomos në kohën e pandemisë,kur shumica e nxënësve nuk kishin kushte as mjete të domosdoshme për ndjekjen e mësimit onllajn,mungesa e reagimit me kohë e institucioneve shtetërore dhe mungesa e zbatimit të ligjit,mungesa e azhuritetit veprimtarisë të institucione gjyqësore shumë,ku shumë lëndë me karakter individual dhe shoqëror vjetrohen e çështja nuk zgjidhet,privatizimi i padrejtë i disa aseteve të pasurisë shoqërore,toka e lënë djerrë në shumë fshatra dhe shpërnuglja e tyre nëpër qytete,dhe në botën e jashtme,ndërtimet e egra nëpër fshatra e qytete,migrimet e mëdha në Prishtinë dhe zbrazja e fshatrave,ndotja dhe shkatërrimi ekologjigjik i mjedisit dhe ndotja e ajrit dhe ujit,

Mosangazhimi adekuat i partive politike dhe shoqërisë civile në mbrojtjen e ambientit të njeriut,lufta e ashpër,banale e partive politike brenda dhe jashtë parlamentit të Kosovës,sidomos i krerëve të këtyre partive politike,deklarimi dhe rrahja patriotike e gjoksit e disa prijsve dhe individëve të tjerë kur e shpallin veten veten si patriot dhe shpëtimtar të Kosovës,sharjet dhe ofendimet e të gjitha varianteve ndërmjet deputetëve në Parlamentin e Kosovës, shkrepja me armë dhe plagosja me to nëpër ahengje të ndryshme,vrasjet e shumta,për një fjalë goje,mosdurimi dhe largimi i bashkëbiseduesit me fjalën banale “shko në rrotsamës!”,shëmtimi i gjuhës shqipe në diskursin e përditshëm në takime publike, televizive, etj.Diskutimet e thata të mërzitshme dhe të gërditshme, Premitimet“donkishotiane” parazgjedhore,për shndërrimin e kryeqytetit dhe qyteteve tjera në kopshte xheneti,ku për habi mungon të përmendet vetëm mrekullia e Taxh Mahallit! Pasurimi megaloman i individëve të ndryshëm pa djersë,me shumë shtëpi në fshat e qytet,në vende turistike dhe në bregdet!Nuk është turp të jesh i pasur me djersë dhe me ligj,por krijimi i privilegjeve pa merituar irriton masën e gjerë.Krijimi i gënjeshtrave nga individ dhe analist të ndryshëm duke inspiruar përçarje të ndryshme.Mungesa e empatisë,njerëzore për tjetrin.Mashtrimi i lehtë i disa prijsve tanë në biseda të ndryshme me të cilat u dëmtua Kosova.

Kur qytetari bën një shëtitje të shkurtër në qytetet tona dhe në kryeqytet lexon (pothuaj), vetëm emra firmash,në gjuhë të huaj.O Zot, sa lehtë asimilohemi, (pa fije nevoje) gjuhësisht,duke harruar se gjuha është çelësi i kulturës së çdo populli.

Përfundim

Pa marrë parasysh të metat dhe dobësitë aktuale sot, është detyrë njerëzore dhe patriotike, të mbrohet rendi kushtetues dhe shoqëror i shtetit të Kosovës,i cili gjatë zhvillimit të vet është i orientuar dhe vendosur për një rend të mirëfilltë demokratik, shumëetnik, properëndimor,për antarësim në BE dhe në NATO.

Kanë kaluar 21 vjet, kur me 10 qershor të vitit 1999, u hap për Kosovën rruga e lirisë e cila duhet të ndiqet,duke përmirësuar dhe korrigjuar lëshimet dhe gabimet e bëra gjatë ecjes së ndërtimit të shtetit.Në asnjë moment duke mos lejuar të shuhet prushi i atdhedashurisë për Kosovën,që të rritet dhe kultivohet ndjenja e përkatësisë ndaj saj.Çdo i ri dhe çdo e re, të aftësohet për ta ndërtuar dhe mbrojtur shtetin e vet,sepse, Ai dhe Ajo,së bashku, do ta udhëheqin Kosovën.Ky duhet të jetë motivi kryesor për jetë.Më mire se këtu nuk mund të gjesh askund.Ndoshta jashtë mund të gjesh më shumë para,por dashuri prindore e vëllazërore s’ka.Rrini këtu dhe hidhni poshtë paragjykimin e regjimit serbomadh, se shqiptarët nuk dinë të bëjnë shtet.Vazhdimisht në shpirtin e çdo qytetari të Kosovës, të mos shuhet “genius loci”(shpirti mbrojtës) dhe “genius saeculi”,shpirti mbrojtës i kohës së tij.Vetëm kështu rrëzohet qëllimi i regjimit serbomadh që ishte dhe vazhdon të jetë, bjerrja e identitetit kombëtar shqiptar në aspektin nacional dhe internacional. Andaj, imperativ duhet të jetë ruajtja e identitetit kombëtar shqiptar dhe komuniteteve tjera kombëtare në Kosovë,pa marrë parasysh numrin e tyre.

Po theksoj si lajtmotiv:Kombi shqiptar ka tri të mira që ia ka falur Zoti:malet e larta me burime të pashterrshme të ujit,fushën pjellore dhe detin,që rrallë kund mund t’i gjesh. Pra,t’i përvjelim mëngët dhe të punojmë dhe të lirohemi nga çfarëdo kompleksi të inferioritetit.

T’i imitojmë pemët,që ndërrojnë vetëm gjethet,por i ruajnë rrënjët.

Prishtinë,11.10.2021

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat