Kështjella e Jerinës dhe Shpella e Kusarit

Kultura

Kështjella e Jerinës dhe Shpella e Kusarit

Nga: Gani MEHMETAJ Më: 27 prill 2017 Në ora: 07:07
Gani MEHMETAJ

Emrin e cilës Jerinë mori kështjella malore në lartësinë mbidetare 933 metra? Emrin e Jerinës ilire, mbretëreshës së luleve, që i këndoi me aq mall Gjergj Fishta, apo emrin e Jerinës, princeshës shqiptare të bijës së Lekë Dushmanit, në të cilën u dashurua Lekë Zaharia, ndërsa e donte edhe Lekë Dukagjini famëmadh, prandaj dolën në dyluftim.

Të vizitosh lokalitetet antike të Komunës së Gjakovës  në këtë fillim pranvere është përjetim e kënaqësi e veçantë. Të bashkëbisedosh me vendësit është orë historie. Kur i pyet për ndonjë lokalitet parahistorie, antike a të mesjetës jo vetëm nuk ngurojnë të të rrëfejnë legjenda të pafundme, qe nga koha e Noas, kur kjo pjesë, sipas tyre u përmbyt, ndërsa barkat lidheshin në zinxhir në cepin e malit, por të bëjnë shoqëri, duke ecur disa orë këmbë gërnjave e kodrave, që të tregojnë të kaluarën e tyre të lavdishme. Vendësit janë mirënjohës për interesimin tënd, janë të entuziazmuar që po i nxjerrë vendet e tyre nga harresa, por dëshpërohen kur shohin se si po shuhet e kaluara e tyre pa u nxjerr në pah.

Asnjëri nga katundarët të ri a të moshuar, nuk të lëshojnë pa një gotë raki shpie që të shijon si eliksir. Vendësit kanë shumë legjenda për katundet e krahinën e tyre. 

Mirëpo, zgjon kureshtje të veçantë Kështjella e Jerinës, afër gropave të sapunit, sipëri katundit të Botushës. Katundi e mori emrin sipas botës (dheut) që nxirrej afër. Po emrin e cilës Jerinë mori kështjella malore në lartësinë mbidetare 933 metra? Emrin e Jerinës iliro që i këndoi me aq mall Gjergj Fishta? Apo emrin e Jerinës, princeshës shqiptare të bijës së Lekë Dushmanit, në të cilën u dashurua Lekë Zaharia, trim, ndërsa e donte edhe Lekë Dukagjini famëmadh. Për princeshën Jerinë, u derdh shumë gjak, bënë dyluftim të egër dy Lekët, ku u plagos rëndë Lekë Dukagjini, ndërsa Jerinën e bukur e mori princi Lekë Zaharia. Në atë betejë për dashurinë e Jerinës së Lekë Dushmanit, Fan Noli shkruan se u vranë 105 burra, ushtarë- truproje të të dy princave. Zaharia nuk e gëzoi të bukurën e dheut, sepse thuhet se Lekë Dukagjini e vrau në pritë afër Lezhës. Princesha shqiptare ia ruajti nderin Lekës së vrarë, u mbyll në manastirin e Sardenjës, ku e ngrysi pjesën tjetër të jetës... 

Në katundin Botush, pasi e vizituam Kështjellën e Jerinës, rastësisht takuam intelektualin vendës, emrin e të cilit fatkeqësisht nuk e shënuam, ndërsa na tha se emrin e Jerinës ilire e ka trashëguar e bija e tij, studente e mjekësisë. Më emrin domosdo u trashëgua edhe bukuria.

Arkeologu Haxhi Mehmetaj mendon se Kështjella e Jerinës i takon antikës së vonë, kohës së turbullirave e pasigurisë, kur u riforcua fortifikimi i Ilirisë. Kështjella malore mbanë emrin e mbretëreshës ilire të luleve, ashtu sikurse e mbanë këtë emër edhe Kështjella e Jerinës në komunën e Klinës, afërsisht e së njëjtës kohë.

Shpella e Kusarit, ku ka jetuar njeriu i parahistorisë, i cili la pas vizatime e gravura interesante, e ka kështjellën e vjetër disa minuta po ece këmbë, ndërsa që të dyja këto raritete arkeologjike e natyrore, nuk janë larg rrugës së asfaltuar. Shpella e Kusarit është pikë turistike për gjakovarët që kur nuk mbahet në mend. Mund të bëhet vendpushim i këndshëm edhe për të gjithë shqiptarët e vizitorët e huaj. Janë tri hyrje natyrore shpellash, ndërsa hyrja e epërme ka pamje impozante me strehimore, ku mund të jetonte e të mbrohej nga armiku një fis i tërë i bashkësisë së parë primitive.   

Kështjella e shpellat duhet t'u shpalosen vizitorëve, sepse janë pjesë e trashëgimisë interesante jo vetën në Rrafshin e Dukagjinit, por në tërë Ilirinë e dikurshme a Shqipërinë e mëvonshme.    

Rrënojat e kishave të vjetra e ndërtimeve të vendeve të shenjta, në maje të kodrave a sukave mbizotërojnë shumë katunde. Në arat e priftit, (këtë emërtim e ndeshim aq shpesh në këtë krahinë), dalin themele të vjetra nga parahistoria e antika. Muret e moçme të fortifikatave malore, janë atraksion që e vlen të hulumtohen, në mënyrë që të shpalohet e kaluara nga parahistoria e antike  deri në mesjetë.

Plaku 84-vjeçar me emrin Dervish, që erdhi me neve maje kodre, ku kishte rrënoja të antikës, ta thoshte me siguri të pakundërshtueshme se Gjergj Kastrioti është nga Hasi, krahina e tij; se të parët e Lekë Dukagjinit nga kjo krahinë vinin. Pastaj të fliste për Lekën e Filipit (Aleksandrin  e Madh) sikur të ishte fjala për njeriu e katundit fqinj, apo për një kushëri të fesë së moçme, sepse gjysmën e kushërinjve i kishte të fesë katolike në katundin e afërt. Jo vetëm ai, por të gjithë katundarët e komunës së Gjakovës deri në një ta vënë në pah se ata para 200-300 vjetësh katolik ishin, ndërsa ndërruan fe nga zori, ta thonë pa ngurrim, ndryshe nuk i lejonte turku të ktheheshin në tokat e të parëve që i kishin braktisur, kur perandoria otomane ishte në kulm të mizorisë.

Katundet e Gjakovës nga Ura e Fshejt deri në Has e Koshare, nga Dushkaja në Sukë të Cërmjanit e më larg janë të pasura me livadhe, ara e kullota, kanë visore që të mrekullojnë, katundarët janë dashamirës e tejet energjik. Kështjellat, vendbanimet nga parahistoria, antika e mesjeta, nuk janë të rastit, sepse në këtë krahinë të pasur e me ujë të bollshëm është  zhvilluar jetë dinamike nëpër të gjitha periudhat e zhvillimit njerëzor.

Rrënojat e urës së Rogovës, ku vetëm një këmbë e saj që i ka rezistuar kohës ka lartësi pesë metra mbi tokë, thuhet se është ura më e madhe në Gadishullin Ilirik. Nëpër këtë urë kanë kaluar ushtarë e banorë të një varg kështjellash fushore e malore të periudhave të ndryshme. Nëpër këtë urë është bërë qarkullimi e tregtia me tërë gadishullin. Ura e Tabakëve dhe Ura e Terzive, dy objekte monumentale arkitektonike janë ndërtuar shumë vjet më vonë, megjithatë kanë histori treqindvjeçare.

Nesër: Ku është kështjella e Lekës dhe çfarë perle është Suka e Cërmjanit?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat