Vangjush Mio piktor i peizazheve poetike

Kultura

Vangjush Mio piktor i peizazheve poetike

Nga: Bislim Aliu Më: 27 prill 2017 Në ora: 14:05
Bislim Aliu

 Piktori Vangjush Mio radhitet në mesin e piktorëve më të mëdhenj të traditës. Veprimtaria e tij është e gjerë. Ai na la një thesar shumë të çmuar të veprave, që sot pa dyshim rrezatojnë me rezonancën e lartë të rrëfimit përmbajtësor.

Vangjush Mio lindi në Korçë më 1891. Mësimet e para i  mbaroi në vendlindje. Në vitin 1915 u regjistrua në Shkollën Kombëtare të arteve të bukura në Bukuresht. Në këtë shkollë mësoi shumë. Dhe, mu këtu, iu hap udha për t’u bërë njohës i mirë i  pikturës. Kjo njohje e vazhdueshme për pikturën, ia mundësoi që të merrte pjesë në veprimtaritë artistike që organizoheshin në koloninë shqiptare ku ndodheshin Asdreni dhe Pogradeci, nga të cilët mësoi për rrjedhat e artit në përgjithësi. Vizatimet dhe pikturat e para të realizuara nga piktori, gjatë kësaj kohe, tregonin mjaft qartë prirjen dhe talentin e rrallë për pikturë. Me 1919, pasi e mbaroi Shkollën Kombëtare e hapi ekspozitën e parë vetjake në Korçë, e cila vlerësohet si ekspozita e parë e arteve figurative në Shqipëri.

Zatën talenti i  rrallë dhe dëshira e madhe e piktorit për t’i  vazhduar studimet e pikturës, e detyruan atë, që në vitin 1920 të regjistrohet në Institutin e Lartë të Arteve të bukura në Romë, të cilën e mbaroi me sukses të plotë në vitin 1924. Gjatë kësaj kohe, piktori Mio i  vizitoi qendrat më të rëndësishme të artit italian, si; Venecian, Firencën, Gjenovën dhe qendra të tjera historiko-kulturore. Zatën, piktori Mio qe admirues i  madh i  realizmit italian të shekullit 19-të dhe fillimit të shekullit 20-të dhe i  drejtimit të impresionizmit.

Individualitet në përdorimin e ngjyrës

Piktori, Mio, ishte piktor dhe njohës shumë i mirë i ngjyrës. Këtë njohje për ngjyrë, me dinjitet të lartë, e shpërfaqi në pikturat e tij. Përgjithësisht, në pikturën e tij, ngjyrat e shpërfaqura janë të harmonizuara me përpikëri. Harmonia e ngjyrave në veprat e tij, tregojnë dendur veçantinë dhe përsosmërinë e lartë të realizmit dhe të idealizmit sensitive, për të cilën mund të veçonim tablonë; “Peizazh i vitit 1919”, ku vërehet një talent i rrallë dhe një përsosje e mirëfilltë idealizuese në pikturë.

Gjithsesi, ngjyrat e përdorura në këtë  tablo, tregojnë individualitetin dhe rezonancën e lartë të rrëfimit. Ai rrëfim është i tij dhe përherë mbetet i tij. Kjo shpërfaqje, gjithsesi, tingëllon bukur në magjepsën e realës. Dhe, puna e palodhur dhe sigurisht, afiniteti i  lartë drejtë njohjes së fshehtësive të rrëfimit artistik në pikturë, e detyruan piktorin që t’i  përkushtohet edhe më me ngulm njohjes së kësaj fushe në shprehjen e mirëfilltë artistike.

Piktori Mio në vitin 1928 e organizoi ekspozitën personale në Tiranë, me peizazhe të ndryshme dhe të llojllojta të realizuara bukur me motive nga Pogradeci, Korça, Elbasani, Tirana, Durrësi, etj.

Piktor i përkryer i peizazheve

Piktori Vangjush Mio, ishte piktori i përkryer i peizazheve. Në peizazhet e tij, piktori Mio, gjithherë e shpërfaqi dashurinë dhe përkushtimin e lartë për peizazhe.Në pikturën e tij, vërehet përherë një nostalgji përmes një note të lartë poetike, që nuk haset te asnjë piktor i traditës.Pra, piktura e tij është një poezi e lartë dhe një muzikë e qetë shpirtërore. Ai, sigurisht, vlerësohet, si piktori më lirik shqiptar i shekullit XX-të. Dhe, në këtë lirizëm gjithherë shpërfaqet idealizmi i lartë ndiesor; sa sensitive aq edhe përmbajtësor. Veprat e tij, gjithherë shëmbëllejnë, me kreativitetin e lartë idilik e përmbajtësor.

 Për ekspozitën e organizuar në Tiranë piktori Mio mori vlerësime të larta. Dhe, në kuadër të kësaj njohjeje, në vitin 1932, vlerësohet në pikturë me vendin e parë. Ky shpërblim, gjithsesi piktorit i jep forcë dhe kurajo, për veprimtari më të dendur në organizimin e ekspozitave të tjera.

Pa dyshim, opusi i tërësishëm kreativ i piktorit madhor dhe tejet sensitive, është i dendur dhe mjaft i gjërë. Ai, numëron më se 500 tablo [piktura], por edhe po aq vizatime të llojllojta të cilat ruhen në shtëpinë-muze të piktorit [Korçë] dhe në galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Në këtë kontekst, për veprimtari mjaft të bujshme, sensitive dhe tejet idealizuese, u nderua me titullin, “Piktor i popullit”.

Përndryshe, piktori Vangjush Mio zë vend të rëndësishëm në historinë e artit shqiptarë. Ai, gjithsesi vlerësohet si njeri nga piktorët më të thuktë  realist të gjysmës së parë të shekullit 20-të, krahas piktorëve të tjerë të traditës, si; K. Idromeno, S. Rrota, A. Kushi, N. Martini dhe Z. Kolombo. Nga krijimtaria e tij e begatë, e rezonuar dhe tejet përmbajtësore dhe  sigurisht, me shpërfaqje tejet idealizuese,  mund t’i dallojmë disa nga veprat që kanë ndjesi shumë të lartë të rrëfimit përmbajtësor, si; ”Liqeni i  Pogradecit”  [1929], “Rrugë në Korçë”  [1940], “Vjeshtë” [1945], “Vjeshtë në Drenovë” [1955], “Kishë në Elbasan” [1956], e ndonjë tjetër.

Zatën, këto peizazhe të piktorit Mio e kanë notën  më të lartë të realizmit, me një shpërfaqje konkrete edhe të impresionizmit, që shprehet përherë me një ravijëzim të lartë përmbajtësor.  Kurse në anë tjetër, vërehet një nostalgji dhe një shprehje e lartë poetike, me një idealizëm sensitiv e ndiesor, që nuk vërehet te asnjë piktor tjetër i traditës. Dhe, mu këtu, në vazhdimësi, në veprat e tij, qëndron ajo veçantia dhe specifika e rrëfimit tejet idealizues në pikturën e tij.

Andaj, piktori madhor Mio, me kreativitetin  e vet sensitive e ndiesor, u dallua shumë nga bashkëkohosit e vet. Ai, zatën, pati një përkushtim të jashtëzakonshëm në punë dhe pati një arritje të lartë në rrëfimin përmbajtësor. Dhe, për këte realitet të rrëfimit të lartë e konkretizues, u vlerësua si piktori më lirik shqiptar i shekullit 20-të. Vdiç në Tiranë më 1957.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat