E urreje materien, dashurove marrëzisht dashurinë...!

Kultura

E urreje materien, dashurove marrëzisht dashurinë...!

Nga: Ilir Çumani Më: 5 maj 2017 Në ora: 21:41
Sherife Fikaj dhe Ilir Çumani

Tezja ime, gojëmbëla, e mira dhe e bukura Sherife! U nise edhe Ti në rrugën e gjatë drejt amëshimit... U rrite jetime në strehimoret e bonjakëve që e vogël, pa gëzime, pa lodra, pa dashuri e buzëqeshje, pa fëmijëri. Ngase babai yt Hasan Mero, vuajti kalvarin e gjatë të përndjekjes në burgjet më të egra politike të një rregjimi kriminal, absurd dhe antihuman. E megjithatë, asnjë nga këto privacione nuk të tjetërsuan, nuk të deformuan dhe nuk ta ndryshuan karakterin.

Sepse ti ishe formësuar që në gjenezë për të gjitha vlerat e larta morale dhe njerëzore që i mishërove në perfeksion si askush tjetër, përgjatë 80 viteve të jetës tënde. Jetove me dashuri, bujari, mirësi dhe me dinjitet.

U bëre simbol i altruizmit dhe i vlerave të larta njerëzore, duke mohuar çdo çast vetveten si një stoike e pandreqshme. Shtëpia jote u bë strehëza e të gjithë nevojtarëve; bujtina më e bukur shqiptare që ka pritur e përcjellë njerëz pafund nga të katër anët e Shqipërisë, nga të gjitha viset e vendit, dhe si shpërblim nuk kërkove asgjë. Ti i doje të gjithë njerëzit, pa kushte.

Ata që bujtën tek ty, kurrë nuk e mësuan sa të vështirë e pate jetën, me sa mund e sakrifica e sajdisje mikpritjen, i shtroje tryezat me zahiretë e kursyera si një nikoqire e mirë, me synimin për ti kënaqur dhe ngrohur zemrat e të gjithëve. Shejntoret prandaj janë të tillë, sepse nuk jetojnë as edhe një çast për vete, por për të tjerët..! Jetove në madhështinë e modestisë dhe të thjeshtësisë tënde, ashtu si Shën Tereza.

Shejntët në kohët e soçme janë të dukshëm, por janë edhe të padukshëm. Ti i përkisje kësaj të dytës. Edhe pse jetove në shejntërinë tënde, jeta nuk u tregua aspak bujare me Ty! Ishe vajzë e re, një jetime adoleshente (vetëm 17 vjeçe),  kur krijove modelin shembullor të familjes tënde të bukur. Solle në jetë dy djem të mrekullueshëm Shkëlqimin dhe Lulzimin dhe i rrite me shumë mund e sakrifica.

Ata u rritën me përkujdesjen, përkushtimin dhe dashurinë tënde, u martuan dhe të lumturuan edhe ty, me nipër dhe mbesa plot. Mirëpo nuk ishte e thënë që ky gëzim të zgjaste, kur befas vdekja të rrëmbeu pa mëshirë dhe në mënyrë të beftë djalin e madh Çimin, e më pas xhaxhi Jahon, bashkëshortin tënd të mrekullueshëm dhe fisnik. Dhimbja të kaploi gjithë qënien tënde, por kurrë nuk u dorëzove. Asnjëherë nuk e lëshove veten, ngase kishe një karakter të fortë dhe nuk të pëlqente aspak që të të tjerët të të mëshironin. Ti ishe vetë mëshira e njerëzimit, kreatura që gjalloje plot vitalitet dhe i jepje kuptimin filozofik jetës, melhema ku gjente shpresë dhe shërim nevojtari. Përvoja jetësore  ta kishte dhënë këtë mësim të madh, ndaj dhe kështu veprove si një grua humaniste por, me kurajo, duke qenë e mençur dhe e fortë. Unë, jam dëshmitari më sinjifikativ i kësaj beteje të madhe që bëre me jetën, ngase një pjesë të saj e dedikove edhe mua.  

Ne kishim një fat të përbashkët prej jetimi dhe për këtë arsye më mësove të eci i sigurt në gjurmët e tua. Përse të të falënderoj më parë dhe të shpreh mirënjohjen time për Ty, herohinë e heshtur e brengës dhe e dhimbjes, misionare e përulur e dashurisë dhe e mirësisë...!? Një gjë po ta them publikisht me dorën në zemër: Ti je shembëlltyra Hyjnore më e dashur, më e adhuruar, më e patjetërsueshme dhe shumë kuptimplotë për mua.

Ngase Ti e urreje materien dhe dashurove marrëzisht DASHURINË,  por, dashurove edhe më shumë DHIMBJEN njerëzore, sepse nga dhimbja burojnë të gjitha dashuritë… Kështu më thoje gjithmonë e shtrejnta ime. Ti sendërtove në shpirtin dhe karakterin tim anët më pozitive të tuat, duke më kujtuar në çdo çast se dashuria për Njeriun nuk ka çmim: ajo as as blihet dhe as nuk shitet.  Në këto çaste të trishta që kanë pllakosur zemrën time dhe po më sëmbojnë shpirtin për ikjen tënde pëgjithmonë nga kjo botë, i vetmi ngushëllim tashmë kanë mbetur kujtimet e bukura me ty.

Është imazhi yt engjëllor dhe mëmësor që më bëre të mos e ndjeja aq shumë mungesën e nënës time, të cilën për fatin e keq, nuk e njoha gjatë gjithë jetës. Janë kujtimet e bukura të fiksuara në celuloidin e këtyre fotove, që janë një pjesëz e trajektores në udhëtimin e jetës tonë të përbashkët, që do më kujtojnë se sa shumë të kam dashur dhe të dua, sa shumë të detyrohem...! Prandaj për gjithë jetën të kam thënë dhe do të them me mirënjohje të pashterur: FALËMINDERIT e shtrejnta ime, NËNA  e dhembshurisë dhe e dashurisë njerëzore, Sherife Fikaj! 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat