Unë dua të dëgjohem

Kultura

Unë dua të dëgjohem

Më: 8 maj 2017 Në ora: 13:54
Ballina e librit

Koncepti i torturës dhe i dhunës seksuale në luftë mund të mos kufizohet në akte të izoluara të kryera nga individët, për shkak se ato fillimisht përfshijnë një gamë të gjerë strategjish të projektuara jo vetëm për të shkatërruar njerëzit, por përfshijnë edhe ndjenjën e ‘unit’ dhe të të qenit “njeri”. Dhuna seksuale dhe tortura gjatë luftës përdoren qëllimisht si instrumente të terrorit, zhvatjes së parave dhe detyrimit të njerëzve për t’u larguar nga votra. Kjo është një taktikë e gjerë dhe sistematike ‘ushtarake’ kundër një numri të madh të grave (dhe të burrave), që përdoret për të nënshtruar gjithë popullatën.

Dhuna seksuale gjatë luftës nuk mund të kuptohet dhe të trajtohet vetëm si një traumë diskrete (psikologjike apo fizike), që mund të trajtohet sistematikisht dhe të shërohet me kalimin e kohës, për shkak se ajo ka ndikim gjatë gjithë jetës dhe ndër breza. Gati dy dekada pas përfundimit formal të konfliktit në Kosovë, tregimet e torturës dhe abuzimit seksual po mbahen të heshtura dhe jashtë metanarracionit të luftës dhe diskursit publik. Për më shumë, të mbijetuarat(it) e dhunës seksuale dhe të torturës në luftë i nënshtrohen stigmës shoqërore, përjashtimit dhe politikave jokonsistente institucionale. Familjet (në njëfarë mase) dhe njerëzit e afërt janë qarku i heshtjes, ku fshihet e vërteta.

“… Unë isha e plagosur në këmbë dhe krahëror. Ata nuk më kursyen. Nuk kishin konsideratë… Nga krahërori më rridhte shumë gjak. Nuk mbaj mend shumë… Kur m’u kthye vetëdija, mbaj mend se pashë dy burra përmbi mua; njëri po më mbante me forcë, tjetri po më… të gjithë u shkatërruam. Jashtë dhomës ishin fëmijët tanë dhe gra të tjera. Të gjithë kanë dëgjuar klithjet…” Ky është një fragment i një momenti të tmerrshëm, i treguar nga A.G. Ekzistojnë tregime të panumërta të këtyre akteve degraduese, të cilat janë bërë dhe më degraduese duke u kryer në publik dhe para syve të njerëzve të dashur, fqinjëve, e nganjëherë, madje edhe para syve të njerëzve krejt të panjohur.

Këto rrëfime në këtë libër paraqesin një grumbull më të gjerë implikimesh për të gjitha gratë. Kjo jep një shembull se si tortura dhe dhuna seksuale u shërbejnë qëllimeve të pushtetit dhe represionit, gjë që na detyron të rishikojmë mënyrën se si e definojmë torturën, dhunën seksuale dhe mjetet e tjera të dhunës së ushtruar mbi gratë dhe po ashtu strategjitë që përdorim për të çrrënjosur dhunën me bazë gjinore në konfliktet e armatosura.

Vënia e të mbijetuarave të dhunës seksuale dhe torturës në qendër të vëmendjes në këtë libër, na shtyn të shqyrtojmë rolin e strukturave shtetërore, bashkësisë ndërkombëtare, shoqërisë civile, akademive, artistëve, hulumtuesve, etj. në trajtimin e dhunës me bazë gjinore gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ky program ka për qëllim të dokumentojë narrativën individuale të kujtimeve të grave në luftë, duke u fokusuar në dhunën seksuale me bazë gjinore. Kjo kontribuon në procesin e ballafaqimit me të kaluarën, drejtësinë shoqërore dhe transicionale, dhe në të njëjtën kohë, do të paraqesë një burim të qëndrueshëm për aktivistët e të drejtave të njeriut, grupet e vëzhgimit dhe të mbrojtjes, politikëbërësit, hulumtuesit, akademikët dhe artistët, për procesim të mëtutjeshëm.

Promovimi i publikimit “Unë dua të dëgjohem”, libër kujtimi me rrëfimet e grave të mbijetuara të torturës gjatë luftës së fundit në Kosovë, do të organizohet më 15 maj, 2017 në Qendrën e Konferencave ORION në Prishtinë, prej orës 14.00. Diskutantë në këtë ngjarje do të jenë: Atifete Jahjaga – Presidente e Republikës së Kosovës (2011 – 2016), Feride Rushiti – Drejtoreshë Ekzekutive në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Flora Macula – Shefe e Zyrës së UN Women në Kosovë, Vjollca Krasniqi – Sociologe dhe Profesoreshë në Universitetin e Prishtinës. Libri botohet në shqip, anglisht dhe serbisht.

Ky libër botohet nga Integra dhe forumZFD – programi në Kosovë, në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, me mbështetje nga Rockefeller Brothers Fund,  Charles Stewart Mott Foundation,  Ministria Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik e qeverisë Gjermane, dhe UN Women.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat