I pengonte mençuria e kokës së tij

Kultura

I pengonte mençuria e kokës së tij

Nga: Naxhije Doçi Më: 9 maj 2017 Në ora: 13:32
Fehmi Agani

Para morgut të spitalit çdo gjë i dukej e ngrirë personazhit të këtij rrëfimi, mësueses Sadije Agani. I bëhej se edhe njerëzit që lëviznin andejpari bënin lëvizje jonormale, e sikur edhe nuk ishin fare njerëz. Ata ishin ushtarakët kriminelë serbë, që shikonin me sy të gjakosur dhe që flisnin me gjuhën neperkë. Ecnin neveritshëm dhe rëndë, ashtu si edhe plumbat e pushkëve të tyre që i godisnin shqiptarët e pafajshëm, që jetonin në tokën e tyre dhe në rrënjët e tyre të lashta.
Gjendja në spitalin e robëruar të Prishtinës ishte e rëndë prej më se dhjetë vjetësh të fundshekullit njëzet. Ishte dhjetëvjetësh i gjendjes së luftës në Kosovën e robëruar nga pushtuesi serb. Kishte më se dhjetë vjetë që mesueses Sadije nuk i kishte shkelur këmba në spitalin e robëruar dhe tani aty i dukej sikur gjendej në gojë të një përbindëshi. Edhe oborri i spitalit, edhe trasetë e edhe krejt ndërtesat spitalore i ishin dukur sikur ishin shndërruar në morg. 

Pushtuesi serb prej kohësh i kishte uzurpuar spitalet dhe i kishte dëbuar mjekët dhe punëtorët shëndetësorë shqiptarë nga vendet e tyre të punës dhe në këtë mënyrë e kishte bërë të kontestueshme të drejtën e pacientëve shqiptarë për të hyrë në to. Njëherit edhe pacientët shqiptarë dyshonin që të shkonin për shërim në spitalin e Prishtinës, ku kishte vetëm mjekë serbë, si edhe vetëm personelë ndihmës serbë. Kështu ishte edhe në krejt Kosovën. Nga kjo të rrallë kishin qenë ata të sëmurë shqiptarë që kishin shkuar për shërim në spitalet e uzurpuara nga serbët. Edhe më të rrallë ishin ata shqiptarë, që kishin dalë të shëruar nga ato spitale. Ndoshta e vetmja e drejtë që iu kishte mbetur shqiptarëve të Kosovës për të shkuar në spitalet e pushtuara nga pushtuesi serb kishte qenë e drejta e morgut.

Image
Sadije Agani

Eh edhe kjo jetë e jonë –Kishte thënë Sadije Agani! Gjithçka përjetuam, gjeneratë pas gjenerate. Gjithëherë me ofshamë e me lotë na shkoi kjo jetë. Pse, o Zot, përse kështu për ne shqiptarët?!

Atë ditë të tetë majit 1999 të shkuarjes në spitalin e Prishtinës, mësuesja Sadije kishte vërejtur se si personeli serbë i spitalit kishte shkelur me arrogancë herë poshtë e herë lartë nëpër shkallët e spitalit dhe nëpër korridoret e gjata, duke sharë e kërcënuar se kudo që do të gjenin shqiptarë do t’i bënin copë e grimë. Kishin qarkulluar aty edhe lloj-lloj njerëzish të tjerë me uniforma ushtarake e policore serbe nëpër atë hapësirë të trishtueshme spitalore, të cilët ishin ndërruar sipas rolit kriminal që kishin pasur për ta kryer. 

Ishin kohë të rënda të luftës së pabarabartë në pranverën e vitit 1999, në Kosovë. Ishin ditët e pushtuesit serb mbushur përplotë me trishtime për shqiptarët.

-Zonjë, po që se doni mund të hymë në morg! – I kishte thënë një zë në gjuhën serbe, duke e shkëputur atë nga mendimet e thella, të ngarkuar me dhembje. Ngjyra e atij zëri se si i ishte dukur e trishtueshme. I neveritshëm i ishte dukur ai zë i kamufluar.

 -Që dy ditë është këtu trupi pa jetë i Fehmi Aganit- I kishte thënë zëri i përcjellësit, përkatësisht i drejtorit të mjekësisë ligjore, mjekut Dobriçanin. Si është e mundur që nuk keni ditur asgjë për këtë?! Mjeku serb si duket nuk e kishte ditur, apo ndoshta ishte bërë se nuk e kishte ditur, që ajo që dy ditë, pra që nga gjashtë maji kishte bredhur në të gjitha dyert e policisë serbe për të marrë ndonjë lajm se ku e kishin dërguar Fehmi Aganin e kidnapuar. Të tillët jo vetëm që nuk i kishin treguar asgjë për bashkëshortin e saj, Akademik Fehmiun, por edhe e kishin larguar dhunshëm duke e fyer rëndë në ndjenja kombëtare e familjare. Ajo të gjitha i kishte gëlltitur me lotin e dhembjes. Nuk i kishin treguar drejtë kriminelët serbë, por e kishin endur, duke i thënë që të shkojë herë në një stacion të policisë e herë në tjetrin, që kishin qenë të shumtë dhe gjithkund nëpër lagjet dhe nëpër rrugët e Prishtinës. Nuk kishte lënë vend pa shkuar dhe askund nuk i kishin dhënë kurrfarë informate, pos kërcënimeve. Megjithatë ajo nuk ishte ndalur, kishte vazhduar që t’i bije rreth e rrotull Prishtinës që të dijë me çdo kusht për njeriun e jetës së vet, të cilin ia kishin marrë para syve të saj me 6 maj 1999. Dinakërisht ia kishin marrë nga autobusi, ku kishin qenë bashkë të ulur, me arsyetimin se gjoja vetëm do ta pysnin diçka dhe pastaj do ta kthenin. Nuk e kishin kthyer kurrë më. Kishte mbetur pastaj ajo duke e kërkuar në çdo vend të gjallë, se ashtu kishte dashur e shpresuar ta gjente. Nuk e kishte parë më të gjallë! 

Nga të ecurit e shumtë prej më se dy ditësh dhe nga të ndenjurit e gjatë në këmbë i ishin enjtur shumë këmbët, sa nuk ia kishin zënë as këpucët. Nga lodhja e tepërt në një moment ishte ulur që të pushojë pak në skaj të një rrugë të lagjës “Kodra e Trimave”, si edhe që t’i heq pak këpucët nga këmba. Nuk kishte mundur që t’i dathte këpucët se i ishin ngjizur nga gjakosja e këmbëve dhe sikur do të dilnin vetëm bashkë me lëkurën e këmbës. E kishte vazhduar menjeherë rrugën nga frika se do t’i bllokoheshin këmbët dhe se nuk do të mund ta vazhdonte më tej odisejadën e kërkimit. 

Duke ecur rrugës i ishte dukur trishtim i madh prej vetmisë dhe prej heshtjes së rëndë nga mosfrymimi i njerëzve nëpër rrugët e Prishtinës. Prishtina gati krejt ishte zbrazur nga shqiptarët. I kishte përzënë ushtria dhe policia serbe, duke i nxjerrë me dhunë dhe me krisma armësh nga shëpitë e tyre, Disa kishin ikur edhe vet të tmerruar dhe për t’i shpëtuar vdekjes së sigurtë. Për një moment heshtja se si ishte ndërprerë. Ishte dridhur toka nga detonimi i topave, që i kishte shkrepur armiku serb në shkatërrim të shtëpive të shqiptarëve dhe të çdo gjëjë jëtike për të tyre. Kishin këcitur edhe pushkë të shumta, me të cilat ishin vrarë shqiptarët kudo që ishin gjendur, të cilët për arsye të ndryshme kishin mbetur në Prishtinë. Asaj i ishte rrënqethur shpirti nga dhembja kur i kishte parë të vrarë shqiptarët, të cilët kishin mbetur shtrirë nëpër rrugë. 

Përkundër të gjitha vështirësive dhe përjetimeve, mësueja Sadije kishte vazhduar rrugën në zbulim të gjurmëve të bashkëshortit të vet Fehmi Aganit. Frika prej kohësh i ishte zhdukur nga vetja e saj. Nëpër rrugët e Prishtinës kishte parë vetëm serbë të uniformuar. Shqiptarët i kishte laguar tmerri dhe lufta e pabarabartë. Kjo edhe kishte qenë tragjika e dhimbjes së madhe për të. Kjo kishte qenë edhe dhembja që e kishte munduar tërë kohën edhe Fehmi Aganin. Sipas Sadije Aganit, ditëve të luftës tremujore, sa kishin qenë në Prishtinë, Fehmiun e kishin gëzuar shumë të dhënat se në Prishtinë, përkundër tmerrit të luftës, kishte ende shqiptarë. Kjo, kuptohet që nuk kishte qenë e mjaftueshme për ngushllim. Në të vërtetë Akadamik Fehmi Agani e kishte dashur shumë shpëtimin e popullatës në Prishtinë, por njëkohësishtë e kishte dashur edhe frymimin e qytetit me shqiptarët e vet.

Në shtëpinë në Prishtinë, ku kishin qenë të strehuar, ishte kthyer vetëm kur ishte errësuar. Ishte kthyer e lodhur, e rraskapitur dhe pa kurrfarë lajmi. Nuk kishte mbërritur që të shkojë edhe në Fushë-Kosovë e në Lypian, të vetmet vende që i kishin mbetur pa pyetur për Fehmiun. E dërmuar nga lodhja ishte ulur në një skaj të dhomës me shpresa të pashuara. Në ditën e 8 majit 1999, duke u nisur për ta vazhduar kërkimin e gjurmëve të Akademik Fehmi Agani ishte step në vend nga tmerri për atë që e kishte dëgjuar. Një radio shtetërore serbe kishte dhënë lajmin e zi se afër Lypianit ishte gjetur i vrarë Akademiku shqiptar, Fehmi Agani. Kishte dëgjua edhe fjalë të tjera të tmerrshme nga ajo radio dezinformuese, që ishin fjalë shpifëse dhe të trishtueshme, synim i të cilave ishte vetëm si për t’i ngatërruar ndërmjet veti shqiptarët si popull dhe si forca të organizuara për liri të Kosovës nga pushtuesi shekullor serb. Nga kjo edhe e kishte kuptuar menjëherë se armiku edhe të vret e edhe përpiqet të të etiketojë si popull. Fjalët e rrejshme të dëgjuara nga ajo radio e pushtuesit, sipas Sadije Aganit kishin qenë: “Akademik Fehmi Aganin e vrau UÇK-ja, qerim hesapesh si pasojë e mosmarrëveshjeve LDK-UÇK”.

 Ofshama i kishte dalë nga thellësitë e shpirtit mësueses Sadije Agani nga dhembja për vrasjen tragjike të bashkëshortit të vet, Fehmi Agani, por shumë edhe nga mllefi për gënjeshtrën e dëgjuar, që kishte qenë shpifje e kurdisur serbe, që t’i mbulojnë krimet e veta të bëra mbi shqiptarët e pafajshëm në Kosovë.

 -E vratë ju ushtarakë kriminelë serbë Akademik Fehmi Aganin – I ishte drejtuar vetëmëvete zërit të spikeres së radios serbe mësuesja Sadije Agani. E ndatë prej familjes, kur ishim duke hypur në autobusin në Fushë-Kosovë për t’u nisur për Prishtinë. E zbritët nga autobusi dhe e morët me veturën tuaj të zezë dhe e zhdukët dikah. Atë e morët, ndërsa neve na latë të mpirë në vend. Ne, familja e tij ishim dëshmitarë të një kidnapimi të tillë, se na e morët para syve tanë. Dëshmitarë ishin edhe shumë të dëbuar hallemëdhenj shqiptarë të pashpresë, të cilët të kthyer me dhunë me trenin e orës një të datës 6 maj 1999 nga Hani i Elezit, gjendeshin në autobusin ku ishim edhe ne. Ai autobus qarkullonte në relacionin Fushë Kosovë - Prishtinë. Ishte e trishtueshme ajo ditë dhe njerëzit ishin të mpirë nga e keqja mbi ta– Ishin fjalët e mësuese Sadije Agani! 

Atë ditë mësuasja Sadije Agani, krahas dhembjes për lajmin e zi të dëgjuar nga radioja serbe, kishte pasur frikë edhe për djalin, Mentorin, se mos po ia merrnin. Ato ditë forcat serbe i kishin marrë ku i kishin gjetur të rinjt shqiptarë dhe i kishin zhdukur pa gjurmë. Përkundër këmbëngultësisë së Mentorit që ta shoqëronte në hulumtime, ajo e kishte kundërshtuar më përgjerim që të mos dilte me të në kërkim të gjurmëve të babait të tij.
-Është rrezik për ty!- i thash Mentorit. Ata mezi presin që të hasin në ty dhe të të vrasin. Unë do të shkojë vet! Ti rri - E këshillova aq sa dita djalin, që të mos më bëhen dy të zeza të mëdha, se atëherë çka më duhej jeta mua! Kjo ishte dëshirë edhe e Fehmiut. Fëmijët të mos binë viktimë për mua - Thoshte vazhdimisht! Askush të mos sakrifikojë për mua! Fëmiu brengosej për të gjithë shqiptarët–Ishin fjalët e Sadijes.

 Odisejada me shpresa të pashuara të mësueses Sadije, në kërkim të gjurmëve të bashkëshortit të saj, Akademik Fehmi Aganit të gjallë, kishte pushuar. Tani asaj i duhej për ta gjetur trupin pa jetë të tij. Se ku do të shkonte dhe ku do ta kërkonte, kjo kishte qenë udhë qorre për të. Më në fund se si i kishte shkuar në mendje asaj, por edhe Mentorit, se mos ndoshta do të mundë ta gjenin trupin pa jetë të më të dashurit të tyre në morgun e spitalit të Prishtinës. Për të shkuar në spital e kishte shoqëruar edhe mikja e saj, Qamile Jaka, stomatologe, e cila u kishte ndihmuar edhe në shumë aspekte të tjera. Ndër të tjera u kishte ndihmuar edhe që të shpëtonin nga gazetarët dhe fotoreporterët serbë, të cilët ishin renditur para hyrjes, në spital dhe kishin pritur që t’i pysnin e t’i fotografonin. Një gjë e tillë i ishte dukur tmerruese dhe e pafalshme Sadije Aganit. Të gjitha formalitetet në spital rreth marrjes së kufomës, formalitetet në ndërmarrjen komunale për varrim, si edhe varrimi i Akademik Fehmi Aganit ishin bërë me ndihmën dhe në shoqërim të Qamile Jakës. Bashkë me to ishin edhe motra e Fehmiut, Hidajetja e mbesa Lulja.

 -Urdhëroni hyni brënda – I kishte ftuar mjeku që kishte punuar në morg dhe i kishte njoftuar edhe se si mund ta merrnim kufomën. Para se ta merrnim trupin pa jetë, mësuesja Sadije kishte kërkuar nga mjeku serb që në prani të tyre dhe bashkë me to ta shifte edhe ai se ku e kishin qëlluar Akademik Fehmi Aganin fara e tij, kriminelët ushtarakë serbë dhe si e kishin vrarë. E kishte parë se e kishin vrarë me tre plumba në kokë. E kishin qëlluar me paramendim dhe me planifikim pikërisht në kokën e tij. Një plagë e kishte pasur mu në lule të ballit. E kishin vrarë në kokë ushtarakët kriminelë serbë Akademik Fehmi Aganin, se u kishte penguar koka e tij. Mençuria e kokës së tij ua kishte zbuluar dhe prishur planet asimiluese dhe gjenocidale për shqiptarët. 

-Fragment marrë nga libri “Shpirti i dërmuar–Dhuna serbe ndaj femrës shqiptare në Kosovë 1997-1999” – Autore: Naxhije Doçi  –Botuar në Prishtinë – Janar 2000.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat