Arti si frymzim

Kultura

Arti si frymzim

Nga: Bislim Aliu Më: 10 maj 2017 Në ora: 10:17
Bislim Aliu

Arti si frymëzim është një brengë e madhe e harlisur e shpirtit. Ajo bukur e ndieson mendjen. Ky “kataklizëm” i harlisur, të shëtit në bredhërisjet e pafund. Dhe, kjo ndiesi e sfilisur, e sfidon kohën me memorien e brengosur. Zatën, ky sfidim, e sfidon mendjen në procese rrëfimi. Kjo “vezullimë” shpirtërore e sfidon krijuesin me ndiesi shpirtërore.

Andaj, këtë brengë ndiesore, e përjeton gjithnjë krijuesi i mirëfilltë, nëse e përjeton shpirtërisht. Pra, nëse atë, e ka brengë vetjake dhe shpirtërore. Dhe, nëse e ka atë përherë një drithërimë të lartë prekëse. Dihet mirëfilli, arti i bukur është një dritë e hapur e mendjes. E, nëse shpirti dhe mendja drithërohen (bashkohen), ato së bashku përherë do të bëjnë dritë. Kjo dritë, do të rrezojë bukur, nëse e ka ndjesinë e lartë shpirtërore. Dhe, kuptohet, nëse në te ka estetikë.

Pra, nëse në te, ekziston përherë estetika drithëruese e shpirtit. Krijuesi i mirëfilltë, këtë ndiesi frymzuese, do ta ndiejë dhe do ta përjetojë përherë në veprat e krijuara. Këto vepra, do të jetojnë gjatë, në se në to është “kataklizma shpirtërore”.

Sa sakrifikojnë krijuesit e mirëfilltë?

Krijuesit e mirëfilltë sakrifikojnë shumë. Ata përherë kanë pasur lëkundje të mëdha shpirtërore. Në këtë drejtim, Van Gogu, përherë pati shpirtin e vet të sakatosur. Dhe, gjithnjë e pati ndiesinë e madhe shpirtërore…

Çfarë e shtyri, këtë piktor të rafinuar, të bëjë vetëvrasje, brenga shpirtërore e tepruar apo ndiesia e ravijëzuar? Me këtë brengë të, pati edhe piktorë të tjerë të mëdhenj që paten brenga të mëdha shpirtërore.

Zatën, ky autoktonizën shpirtëror, i thukët dhe i ravijëzuar, bukur u vërejt edhe në veprat e Leonardos, Mikelangjelos, Rembrandit, Ticianit, Karavagjos, Pikasos etj. Andaj, në këtë konglomerat të ravijëzimit, secila kohë i pati shenjat e veta karakteristike. Kuptohet, shenja të tjera pati, Baroku, Klasicizmi, Romantizmi, Ekspresionizmi, Renesanca dhe, kuptohet, krejtësisht të tjera pati arti modern.

Dhe, mu për këtë, në këte ravijëzim të ndiesuar, koha ishte barometer dhe udhërrëfyes i shprehjes imanente të ravijëzimit shpirtëror. Në këtë aspekt, edhe ne e patëm kohën, pra kohën e thyerjes shpirtërore dhe të thyerjes kombëtare. Ndaj, këto momente, asnjëherë nuk duhet t’i harrojmë.

Kur do të krijohet ky art i bukur?

Ky art i bukur do të krijohet, kur  të rrokë drithërima prekëse. Pra, kur preket shpirti dhe ndiesohet mendja. Dhe, atëherë, kur gjithnjë ekzistojnë lëvizjet shpirtërore dhe në anën tjetër, ekziston frymëzimi dhe lind ideja ndiesore.

Pa dyshim, është fare e kuptueshme, se asnjë vepër nuk do të krijohet dhe, sigurisht, nuk mund të peshojë peshueshëm, nëse në të, nuk ekziston vazhdimisht, idealizmi shpirtëror i formësimit të lartë ndiesor.

Megjithatë, sot e gjithë ditën po krijohen vepra pa këtë ftymëzim ndiesor, pa shpërfaqje të lartë estetike të cilat shpeshherë i gjasojnë njera-tjetrës si veja vesë. E, kjo sigurisht, po ndodhë, me krijuesit e skematizuar, ose me antikrijuesit, që në shpirt e kanë ravijëzimin e mangët shpirtëror. Sot, kjo mendohet se po bëhet në emër të artit modern, avangard dhe, sidomos, në emër të avangardizmit!

Arti i bukur gjithmonë do të mbetet i bukur. Jo vetëm për një kohë, por për shumë kohë.. P.sh., “Mona Liza” e Leonardos, “Davidi” Mikelangjelos, “I urituri” i Paskalit, “Guernika” e Pikasos, “Elegji për Kosovën” e Emrës, “Hamalli” i Mulliqit, janë gjithsesi vepra të sensibilizuara tej mase dhe që gjithnjë ravijëzojnë prekshëm  në idilën shpirtërore të njeriut.

Kuptohet, ky art u lind nga cytja e lartë shpirtërore e ravijëzimit ndiesor. Këto dhe shumë vepra të tjera, do të jetojnë gjithmonë në shpirtërorën tonë, si vepra që kanë lindur nga shprehja dhe nami i idealizmit shpirtëror dhe ndiesimit të lartë ndiesor.

Arti e bën njeriun të lirë. E, këtë liri, do të mund ta kuptonim nëse ne jemi të lirë, pra në lirinë e qasjes intuitive. Megjithatë, kjo liri kërkon qasje reale dhe në anën tjetër, ngritje profesionale në zbulimin e estetikës ndiesore e artistike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat