Intelektuali ka mendjen dhe pendën, po aq të fuqishme sa luftëtari armën!

Kultura

Intelektuali ka mendjen dhe pendën, po aq të fuqishme sa luftëtari armën!

Më: 11 maj 2017 Në ora: 12:34
Prof. Migena Arllati

Një libër jo i rëndomtë, as i zakonshëm, përkundrazi një botim prezantues i aktivitetit disa dekadësh në krijimin dhe lëvrimin e shkollave shqipe në Suedinë mike të popullit shqiptar, në Suedinë mikpritëse të mijëra shqiptarëve refugjatë, si të atyre politikë, ashtu dhe të atyre ekonomikë, në Suedinë e vlerave perëndimore, simbol të demokracisë dhe të respektimit të të drejtave të njeriut. “Vepra (Arsimi shqip në Suedi 2” vjen si një ndërmarrësi serioze e autorit Hysen Ibrahimi.

Ai këtu paraqitet jo vetëm si një shkrues i zellshëm por edhe si një kërkues i papërtuar i arkivave dhe shënimeve të shumta, të cilat i ka kërkuar dhe hulumtuar me një vullnet të admirueshëm. Po me këtë vullnet dhe dëshirë të përhershme ai i ka shërbyer shqipes dhe shqiptarëve gjatë gjithë kohës sa ka jetuar në Suedi, duke u shndërruar në një avokat të palodhshëm të ëështjes shqiptare.

Që në fillim, autori e hap librin me pohimin se shqipja është një gjuhë më vete, se ajo i takon vetëm popullit shqiptar, dhe se s’ka të bëjë asgjë me sllavishten sikurse shqiptarët s’kanë të bëjnë fare me sllavët. Teza e prejardhjes nga ilirishtja e shpjegon në mënyrë shkencore këtë pohim, tashmë të njohur botërisht, po aq të njohur edhe nga suedezët të cilët janë paqësorë dhe pranues ndaj vlerave të të tjerëve, në këtë kontekst ndaj vlerave të shqiptarëve, si pasardhës të arbërve e të ilirëve. është pikërisht teza e prejardhjes ilire pasaporta e parë për ëdo shqiptar që shkel në Europën perëndimore, në të cilën një derë e madhe e hapur ishte shteti suedez, një ndër vendet më të dëshmuara për principet dhe politikat demokratike ndaj vendasve si dhe ndaj të ardhurve.

Autori i është thellësisht mirënjohës popullit suedez, sepse në fund të fundit ai është një djalë shqiptar, dhe vetë shqiptarët nga natyra janë mirënjohës për mikun që iu gjendet në ditë të vështira. Në emër të së vërtetës së madhe dhe në emër të mirënjohjes së pakufishme, ai vë në dukje se në kohën kur në Kosovë po mbylleshin dhunshëm shkollat shqipe, në Suedi merrte hov gjithnjë e më shumë hapja e klasëve të mësimit të shqipes për fëmijët shqiptarë, si dhe të gjithë të tjerët që dëshironin ta mësonin këtë gjuhë, sa të lashtë, aq dhe të bukur. Bile nuk u mjaftua vetëm me kaq, por Enti Shkollor i Suedisë përpiloi tekste shkollore dhe ndihmoi në botimin e tyre, gjë që edhe njëherë vërtetoi faktin se të drejtat e pakicave kombëtare, janë model për gjithë botën perëndimore, sidomos kur bëhet fjalë për fushën e arsimit.

Autori vë në dukje meritën e pamohueshme të mësimdhënësve shqiptarë, rolin e këshillit të prindërve, numrin e objekteve shkollore, mjeteve mësimore e të shumëëkaje tjetër që ai e trajton në planin konkret dhe statistikor, duke plotësuar kështu rrethanat e nevojshme për ta kompletuar temën të cilën merr në trajtesë. Në shtatë kapituj sa ka gjithsej libri, ai i mbetet aq besnik fakteve dhe të dhënave konkrete të mbledhura nga terreni dhe nga dëshmitë e marra prej dëshmitarëve të atyre proceseve, saqë rrëfimi bëhet tërësisht objektiv, dhe kësisoj i qartë dhe i besueshëm.

Këto të dhëna i referohen një varg faktesh, duke nisur që nga data e hapjes së shkollës së parë shqipe në Suedi (vjeshtë 1968), mësuesit të parë të kësaj shkolle (Bejzat Beqiri), mësimdhënësit e shqipes në qytete të ndryshme suedeze, Kuvendi themelues i arsimtarëve shqiptarë “Naim Frashëri” në Suedi (30. 05. 1992), Kongresi i parë mbarëshqiptar (Prizren, nëntor 2001), Konferenca e parë kombëtare e shkollave shqipe të mësimit plotësues në mërgatë (Zvicër, qershor 2003), procesverbale nga Kuvende dhe takime zyrtare, dorëshkrime autentike, aktvendime, fotografi  dhe plot e plot materiale të botuara nga gazetat e atjeshme, e që të gjitha këto i sigurojnë veprës një bazament të fortë faktik.

Vënia në spikamë e kontributit disadekadësh të veprimtarit të palodhur Bedri Paci në arsimimin shqip të gjeneratave të reja me banim në Suedi, i vjen përshtati temës së botimit. Veprimet konkrete dhe të njëpasnjëshme të këtij personaliteti në ngritjen e vetëdijes së popullatës shqiptare, dhe krahas kësaj nxitja e përhershme që krahas ruajtjes së identitetit shiptar të vijohet natyrshëm me pranimin e vlerave dhe përshtatjen në ambientin suedez, janë disa nga pikësynimet kryesore të aktivitetit të tij. Ndikimi i autoritetit të tij “e detyroi” të hidhej në politikë ku do të influenconte me të madhe idetë për një shoqëri sa më demokratike dhe të vëmendshme ndaj pakicave. Karriera dhe aktiviteti i bujshëm i prof. Pacit kishte vetëm një qëllim: t’i vinte në ndihmë popullit të tij në mërgim, dhe këtë aksiomë nuk e shmangu asnjëherë në jetë. Bile ngulmoi dhe arriti që të bëhen hapa të koordinuar në bashkëpunimin mes institucioneve arsimore në Kosovë dhe instancave të arsimit shqip në Suedi; po ashtu u punua shumë në vënien e kontakteve me Mërgatën Shqiptare në Europë për t’i furnizuar ata me tekstet shkollore shqipe të botuara në Suedi.

Intelektualë e veprimtarë të devotshëm nuk i kanë munguar asnjëherë botës shqiptare, ndaj në këtë prizëm autori i vë në dukje emrat e atyre që kontribuuan në Suedi, dhe jo vetëm atje. Si rezultat i punës së vazhdueshme të tyre, ai arrin në konkluzionin se mërgata shqiptare në Suedi kishte mbledhur në gjirin e saj intelektualë të shumtë që dinin, donin dhe punonin. Sidomos gjatë viteve ’91 - ’92 kur Suedinë e mësyu një valë e fuqishme refugjatësh, roli i veprimtarëve gjatë kësaj kohe ishte eminent në: së pari strehimin dhe mbështetjen e tyre, e së dyti në përkrahjen për t’u integruar si gjithë të tjerët. Ishte mërgata shqiptare ajo që për vite të tëra mbajti mbi supe akumulimin e fondeve të dedikuara për Kosovën duke paguar “Trepërqindëshi”,  ndërmori aksionin “Ndihma për Pavarësinë e Kosovës”, ngriti Fondin për raste të jashtëzakonshme, Ndihma zonave të rrezikuara në Kosovë (1998), pastaj më vonë “Vendlindja thërret” etj. 

është i pashmangshëm fakti që arsimtarët punuan në mënyrë humanitare dhe pa pagesë, sakrificë e cila flet për shpirtin e kolektivitetit që kishin këta njerëz, të cilët duke kuptuar rrethanat dhe kohën aspak të volitshme, dhanë një provim tepër të rëndësishëm për sa i përket identitetit të tyre si shqiptarë dhe misionit të tyre si mësues. Po ashtu një betejë e vërtetë ishte përballja me propagandën serbe së cilës ata iu kundërpërgjigjën si intelektualë të vërtetë, duke mos harruar se intelektuali ka mendjen dhe pendën po aq të fuqishme sa luftëtari armën.

Promovimi dhe ruajtja e identitetit, gjuhës amtare, kulturës dhe shumëëkaje tjetër që i përket ambientit shqipfolës, pritej me interesim edhe nga vetë institucionet suedeze, pasi populli suedez e dinte se kur ishte fjala për popullin shqiptar, bëhej fjalë për një ndër popujt më të vjetër të Europës. Për këtë arsye, autori Ibrahimi, natyrshëm tregohet mirënjohës, falenderues ndaj mbështetjes qytetare dhe institucionale suedeze. Ai si shqiptar e djalë shqiptari që është, duke pasur në gen virtytin e fisnikërisë dhe mirënjohjes për njerëzit bujarë dhe pranues, tregohet falenderues ndaj një shteti që mirëpriti dhe ndihmoi në nevojat e tyre të domosdoshme pakicën shqiptare, e cila asnjëherë në ekzistencën e saj nuk është mjaftuar me ushqimin në tryezë, por së pari i është dashur ushqimi atdhetar dhe ai kulturor.

Vetë autori i këtij libri është një nga bijtë më të devotshëm në ndihmesën e dhënë për kombin shqiptar. Ai i ndihmoi ëështjes shqiptare nga kënde të ndryshme duke nisur thjeshtë si një emigrant, mandej si një intelektual, për të arritur deri tek kontributi si kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Papa Klementi XI Albani”, një rrugë e gjatë kjo, në të cilën ai u tregua një shqiptar me zemër të madhe, njeri me energji të pasosura ndaj kombit, me përkushtim dhe dinjitet të pashembullt.

Edhe ky botim që ai sapo vë në duart tona nuk është gjë tjetër veëse vazhdimësi e misionit të tij, për t’iu përkushtuar pa kushte interesave kombëtarë. Puna e tij në këtë libër është një shembull i shkëlqyeshëm se si duhet të trajtohen dhe të evokohen periudha të vështira të ekzistencës sonë, periudha në të cilat janë sprovuar vlerat e vërteta. Urojmë që njerëz të tillë të ketë sa më shumë në botën shqiptare, intelektualë që asnjëherë nuk presin se ë’do të bëjë Atdheu për ta, por apriori ata bëjnë dhe japin shumëëka për Atdheun.

Image
Libri i Hysen Ibrahimi “VEPRA (ARSIMI SHQIP N? SUEDI) 2”
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat