Vlerat duhet të kthehen në atdhe

Kultura

Vlerat duhet të kthehen në atdhe

Sylejman MORINA Nga Sylejman MORINA Më 7 gusht 2017 Në ora: 14:35
Një shkëputje nga biografia e akademik Pal Deshpalit

Derisa Zara kishte qenë protektorat italian, ajo në krahasim me pjesët tjera të Dalmacisë, kishte pasur një mirëqenie më të lartë, me të cilën italianët donin ta përvetësonin  popullatën jo italiane të qytetit e rrethinës. Ndërsa, me ardhjen e fashizmit në pushtet, në Itali ishin shtuar presionet për asimilimin e tyre. Në këto rrethana, intelektualët e Zarës e të  tjerë, me orientime pro kroate, nuk kishin pranuar të jetonin nën sundimin italian dhe kishin zgjedhur rrugën e migrimit në pjesët tjera të Mbretërisë së Jugosllavisë. Në mesin e tyre kishte edhe arbnesh, si intelektuali, shkrimtari e kompozitori Shime Deshpali, i cili ishte  vendosur në ujdhesën e Korçulës. Ai, aty e kishte krijuar familjen e tij, duke u martuar me një vendase që posedonte kulturë muzikore. Pra, dy fëmijët e Shimes, Pali dhe Maja kishin lindur aty, ndërsa Vallteri, në Zarë.  Të gjithë ishin bërë më vonë muzicientë me renome ndërkombëtare. Pas mbarimit të luftës Dytë Botërore, ku Zara ishte bashkuar me Kroacinë, Shime kthehet në Zarë. Familja e Shimes, për fëmijët ishte një ambient i përshtatshëm artistik. Trashëgimia gjenetike për artin muzikor, ishte një privilegj e fëmijëve të Lalë Shimes. Djali i madh Pali, talentin e tij për muzikë e kishte dëshmuar herët, qysh në moshën 4-vjeçe. Si 5-vjeçar ka dirigjuar grupe muzikore, kurse me kompozime është marr nga mosha 6-vjeçe. Talentin para publikut e dëshmoi në koncertin e SHKA “Arbneshi”, atëherë kur Pali ishte vetëm 18-vjeç . Ishte mirëpritur nga publiku.

Themelues i festivalit me të cilin identifikohet Zara   

Djaloshi ambicioz, që atëherë kishte deklaruar se muzika ishte qëllimi i tij jetësor dhe vërtet ashtu edhe ka ndodhur. Këtë e vërteton karriera e mëvonshme e tij. Pas mbarimin të  gjimnazit në Zarë,  vazhdon studimet në akademinë muzikore në Zagreb. Me përfundimin e studimeve, muzicienti i ri , plot energji, gjallëri e vizion, merr guximin që të fillojë diçka më kreative në profesionin e tij, pikërisht në qytetin e themeluar nga Liburnët – Zaratino(Zarë), ku themeloi festivalin muzikor “Mbrëmjet muzikore të Donatit” dhe Orkestrën Kamertale të Zarës. Festivali u bë sinonim (identifikim) për qytetin e Zarës, duke mos harruar ndihmën e babait të tij, Shimes dhe piktorit arbnesh, akademik Mario Kotlarit si dhe entuziastëve që kishin përkrahur këtë ide. Pra, ky ishte kontribut i arbneshve për kulturën e qytetit të Zarës.

Image

Kapacitet artistike profesionale të Palit, nuk kanë mundur të shfrytëzohen në një qytet si Zara, prandaj  karrierën artistike e vazhdon në Zagreb, metropolin muzikor të ish-Jugosllavisë, ku për pesë vite drejton orkestrën simfonike të RTV Zagrebit. Pastaj, për 14 vite vazhdoi matanë  Atlantikut (Amerikë), në Nju Jork e më gjatë qëndroi si shef–dirigjent i orkestrës së Orlandit në Floridë, duke korr suksese të konsiderueshme. Edhe pse ishte stabilizuar atje, ai vendos të kthehet prapa në Kroaci.  Pali, kthimin e shpjegon në një intervistë dhënë revistës  “Nacional” të Zagrebit. “Kam konsideruar se, nëse fëmijët e mi, vajza Nagja dhe djali Simoni, mbeten në Amerikë, fillojnë shkollimin atje, nuk do të mund të kthehem në Kroaci. Unë nuk kam mundur ta përballoj këtë. Arsye e dytë për kthim, ka qenë oferta që më ishte ofruar për udhëheqjen e Filarmonisë së Zagrebit dhe Lojërave Verore të Dubrovnikut. Këto ishin dy gjëra të cilat  nuk kanë mundur të refuzohen”. Nga shembulli i Palit mund të mësojnë edhe të tjerët si të brengosen për fëmijët kur janë në shtetet tjera duke  mos i lënë pa atdhe, pa marrë parasysh se në cilin vend është fjala. Po ashtu, mund të mësohet që vlerat duhet kthyer në atdhe, ashtu siç ndodhin me Palin. Shqipëria e Kosova   për vlerat  intelektuale  që kanë ikur  nga trojet shqiptare  për shkaqe të ndryshme  duhet  bërë çmos të kthehen në atdhe që të kontribuojnë aty. Kompozitori, dirigjenti dhe pedagogu me famë botërore, kishte qenë i ftuar nga shumë shtete si mysafir, udhëheqës i disa orkestrave  simfonike më të njohura në botë, por jo në Shqipëri. Është e gjatë lista e aktiviteteve muzikore të zhvilluara dhe mirënjohjeve e shpërblimeve të fituara, duke filluar nga viti 1965 e deri më 2017. Nga Presidenca u nderua me yllin kroat me portretin e Marko Maruliqit, qytetar nderi i Dejton Beacha,  katër herë  me mirënjohje për vepër jetësore, dy herë nga Ministria e Kulturës Kroate, etj. Po ashtu, ka punuar edhe si pedagog në Akademinë Muzikore të Zagrebit, profesor emeritus në Universitetin e Tokios, anëtar i HAZU-së (Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kroacisë), si dhe nënkryetar i saj.

 Veprat e Maestro Deshpalit që më së tepërmi janë ekzekutuar dhe incizuar:

Passacaglia dhe fuga për piano dhe harqe, tri paraloja korale për orkestër  kamertale, Variacione për orkestër, koncert për  violinë dhe orkestër, koncert për  alt  saksafon  dhe harqe, koncert për  violonçelo  dhe harqe,  dy hira për lahutë ,parada solemne për brirë  dhe orkestër

Sa është shfrytëzuar talenti, përvoja dhe autoriteti i Palit nga shqiptarët?

Ishim interesuar të dimë pse në këtë vit, në programin e festivalit “Netët e Donatit” nuk  merr pjesë themeluesi i këtij aktiviteti, akademik, Maestro Pal Deshpali, djali i madh i  shkrimtarit e kompozitorit, Shime Deshpali, prandaj komunikuam me të që t`i dimë arsyet dhe shkaqet e vërteta. Deshpali thotë: Jo vetëm sivjet, por qe disa vjet  nuk jam duke marrë pjesë, për shkaqe shëndetësore, edhe pse për vite të tëra kam qenë mysafir i festivaleve verore të Dubrovnikut, Splitit, Opatisë , Osorit  dhe Pulës. Por më së tepërmi më mungon paraqitja në  Mbrëmjet Muzikore në Shën Donat. Poezia e babait të tij ishte mjaft muzikale, por dëshiroja të dija se a kishte pasur orvatje që disa nga këto vargje të bëhen këngë? “Prindi im, tekstin për këngët solo për kor i ka shkruar vet, ndërsa ne fëmijët, Maja, Vallteri dhe unë, nuk dimë shqip”. Edhe pse keni jetuar gjatë jashtë Arbneshit, a keni  kujtime edhe nga Arbneshi.? “Edhe pse fati ishte i tillë që karriera ime të zhvillohet  larg  Zarës –Arbëneshit, megjithatë  më kujtohen vizitat me babanë që iu bënin të afërmve tanë, pastaj ndihmat që i ofroja babait në përgatitjen e korit të arbneshve, të cilin e udhëhiqte ai.  Çdo vit marr pjesë në Zarë, me orkestrën kamertale , vizitoj Arbneshin , rrugën kryesore “Vicko Zmajeviq”, rrugën e babait tim Kolovarën me Fontanën dhe Punta Bajlon. Domosdo e vizitoj familjen e artistit Mario Kotlarit, njëri nga miqtë e mi më të mirë, i cili më ka ndihmuar në themelimin e Mbrëmjeve të  Sh. Donatit  dhe Orkestrën Kamertale të Zarës”. Një numër i madh i arbneshve ishte shpërngulur nga Arbanasi, për arsye të ndryshme, disa ishin të vendosur në Zagreb. Sa i përket bashkëpunimit me intelektualë të njohur, ai thotë se  ka komunikuar me Augustin Stipçeviqin, ndërsa më së shpeshti është takuar me arkeologun Aleksander Stipçeviqin ,si dhe intelektual tjerë arbnesh “Tani bashkëpunojmë me djalin e Stipçeviqit, akademik  Enio Stipçeviqin, muzikolog. Kemi bashkëpunuar edhe me Bozhidar Kalmeten, i cili ka qenë  anëtar i korit prestigjioz i televizionit kroat”.

Po Tirana e Prishtina,  sa ishin  të interesuara të bashkëpunonin me ju?

 “Disa herë kam tentuar të organizoj vizitë në Tiranë por nuk kam pasur sukses, për dallim nga Prishtina e cila ka më shumë ndjeshmëri për origjinën time shqiptare, ku edhe shpesh kam qenë mysafir. Kam përshtypjen se Tirana, ka qenë plotësisht e pa interesuar”. Për mos interesimin e Tiranës   për të komunikuar e  bashkëpunuar me arbneshin Pal Deshpali,  e kemi theksuar edhe në shkrimin tonë të vitit 2009  botuar në gazetën  dyjavore Tung nr. 27. Për shkak të shëndetit fizik, thotë se ka hequr dorë nga udhëtimet e ardhshme në Prishtinë, meqë rruga është tepër e mundimshme. Ndërkaq, sa i përket planeve për të ardhmen ai thotë se, verës nuk punon, por pjesën tjetër të vitit, është goxha i angazhuar. “Sezonin e kaluar kam pasur pesë paraqitje në Zagreb, si dhe nga një në Dubrovnik, Zarë, Vrazhdin dhe Gjakovo. Vitin e ardhshëm kam planifikuar në Zagreb një shfaqje me  Filarmoninë e Zagrebit, Orkestrën Simfonike të HRT-së, Orkestrën Kamertale Kroate,  e po ashtu edhe në Dubrovnik, Zarë, Split Rjekë e Varazhdin”. Para një muaji, në Gjakovo ka dhënë premierë, me Filarmoninë e Zagrebit, kompozimin e vetë më të ri “Variacione romantike në temën e Krezhminit”, të cilën  do ta shfaq edhe në Zagreb, më 1 dhjetor të këtij viti.

Edhe përkundër moshës, sëmundjeve, vazhdon me sukses krijimtaria muzikore e Pal Deshpalit ,ai nuk i dorëzohet pleqërisë, tërë energjinë po ia kushton profesionit të tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat