Premtohet rritje e buxhetit për ansamblin “Shota”

Kultura

Premtohet rritje e buxhetit për ansamblin “Shota”

Më: 2 gusht 2018 Në ora: 16:26
Kujtim Gashi ka vizituar ansamblin “Shota”

Ansambli i këngëve dhe valleve “Shota” për vitin 2019 do të ketë buxhetin me rritje dhe do të pajiset me instrumente muzikore të reja.

Kështu ka premtuar ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Kujtim Gashi, gjatë vizitës që i ka bërë gjatë ditës së sotme këtij ansambli.

Ministri Gashi, përveç rritjes së buxhetit, ka premtuar edhe inicimin e projektit për arkivin e këtij ansambli.

Gashi: Do ta kenë buxhetin me rritje për 2019

“Do ta kenë buxhetin me rritje për vitin 2019, varësisht edhe nga programi që do ta paraqesin në këshill. Po ashtu, ne jemi dakorduar edhe në takimet paraprake që ky institucion ka nevojë për arkivin e vet për shkak të ruajtjes dhe të materialeve të tyre shumë të rëndësishme. Sot jemi për ta konfirmuar që këtë projekt do ta iniciojmë si procedurë, në mënyrë që Shota ta ketë edhe hapësirën e arkivit, për shkak të rëndësisë që e ka ky institucion kulturor”, tha ai.

Kreu i kulturës, ka premtuar se do të gjejë një zgjidhje që ky ansambël të pajiset me instrumente të reja muzikore, kjo pasi që ato me të cilat operojnë tani janë të vjetruara.

Gashi: Do të gjejmë zgjidhje që ky institucion të pajiset me instrumente të reja

“E pamë që edhe salla ka filluar një lloj renovimi dhe jemi të interesuar që çdo nevojë që e ka ansambli "Shota" ta marrim me seriozitetin ma të madh. Po ashtu, ky ansambël, ky institucion i rëndësishëm kulturor ka nevojë edhe për instrumente. Pasi që një pjesë e tyre janë të vjetra, të amortizuara dhe besoj që bashkërisht do të gjejmë zgjidhje edhe buxhetore që ky institucion të pajiset me instrumente të reja”, tha ministri Gashi.

Ndërsa, drejtori i Ansamblit “Shota”, Shefqet Gjocaj, vlerësoi vizitën e ministrit Gashi të rëndësishme, për faktin se sipas tij tani përballen me probleme për të vazhduar punën dhe për të filluar sezonin në shtator.

Gjocaj: Tash i kemi ato sforcimet tona për vazhdimin e punës

“Ka ardhur në një kohë jashtëzakonisht të rëndësishme për neve, unë i thash ministrit në takim se po ta kishim zgjedhur kohën nuk kishim gjetur kohë më të mirë, më të përshtatshme për të ardhur. Kjo pasi ne tash i kemi ato sforcimet tona për vazhdimin e punës edhe për fillimin e punës për sezonin shumë intensiv që nga pret prej shtatorit, prej premierës së ardhshme që do ta kemi kushtuar Skënderbeut në shtator”, tha ai.

Ndryshe, gjatë kësaj vizite ministri Gashi ka zhvilluar edhe një takim me sindikatën e këtij ansambli, si dhe është njoftuar për së afërmi me sallat dhe kushtet e punës së këtij ansambli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat