Bardhësi plisash në kullën e Zahir Pajazitit

Kultura

Bardhësi plisash në kullën e Zahir Pajazitit

Më: 5 gusht 2018 Në ora: 23:26
Në Orllan të Besianës u shënua “Dita e Plisit”

Kulla e Zahir Pajazitit në Orllan më 4 gusht kishte tubuar nga të gjitha anët e vendit plisbardhët që shënonin Ditën e Plisit, edicioni i pestë -pjesa e dytë. Ishte kënaqësi që aty të jesh ndër të parët dhe të vështrosh se si vinin mysafirët të gjithë të buzëqeshur me plisat në kokë dhe me vështrim nga shtatorja e të madhit Zahir dhe nga Kulla e tij. Shumë nga këta mysafirë ishin për herë të parë në këtë vend dhe mahniteshin me bukurit magjepse të kësaj ane  dhe kur ato i kombinonin me  historinë e lavdishme të heroit kombëtar Zahir Pajaziti nuk kishte se si të mos e ndjejnë vetën të kënaqur dhe të privilegjuar që këtë ditë kishin pas fatin të gjenden aty.

Si zakonisht në këto manifestime  aty arrin  i pari ideatori i këtij manifestimi tashmë tradicional Ismet Krasniqi-Lala, për ti prit mysafirët që vinin me radhë. Pritja ishte e ngrohtë dhe miqësore. Aty vinin mysafirë nga të gjitha viset e Kosovës dhe viseve tjera shqiptare po edhe nga Diaspora, madje edhe nga Australia. Këta të diasporës nuk mundnin ta fshehin gëzimin që kësaj radhe pasi patën fatin që të jenë në pushime në vendlindje dhe të marrin pjesë në këtë aktivitet me karakter kombëtar që kujton trashëgimin historike të popullit tonë.

Posa u tubuan të gjithë në këtë vend dhe vetëm pritej fillimi i manifestimit, të gjithë së bashku u drejtuan nga varri i Heroit Zahir Pajaziti dhe aty pranë varreve bënë nderime për jetën dhe veprën e heroit dhe gjithë të rënëve për liri. Prej aty më pas morën drejtimin dhe hynë në Kullën e Zahirit ku zunë vendet e tyre.

Kjo bardhësi plisash dhe këta njerëz të ardhur nga shumë vise shqiptare na kujton rrezet e lirisë që lëshonte Zahiri nëpër të gjitha viset shqiptare në rrugëtimin e tij për mobilizimin e të rinjve për formimin e UÇK-së dhe luftën e sajë të lavdishme për liri. Andaj falë asaj lufte dhe ndihmës së aleatëve tanë ne sot, tubohemi, kuvendojmë, këndojmë, vallëzojmë, recitojmë dhe të lirë jetojmë.

Dhe pa vonuar shumë në derë u shfaq Ismet Krasniqi bashkë me Nazmi Hajdarin duke kënduar këngë maje krahu që shënoi fillimin e manifestimit. Krasniqi në krah mbante një palë duq dhe pasi para të pranishmëve foli për rolin dhe rëndësinë e duqve se për çka kanë shërbyer në të kaluarën ndër tjera tha se ata kanë shërbyer edhe për bartjen e librave dhe nga aty nxori librat “Dita e plisit” e i vendosi në sofrën e shtruar në ballë të oxhakut mbi të cilin qëndronte edhe mbishkrimi për manifestimin e sotëm.

Moderator të këtij aktiviteti ishin Ismet Krasniqi dhe Prend Buzhala të cilët e freskonin atmosferën më ndonjë pjesë humori të lehtë (Lala) dhe me ndonjë citat të shkurt për kullat shqiptare dhe trashëgimin tonë (Buzhala).

Për librat që u përuruan “Dita e Plisit” I, II, III, IV folën  Idriz Berisha, Migena Arllati dhe Ndue Sanaj, ndërsa me nga një fjalë rasti para të pranishmëve u paraqitën edhe Gjon Gjergjaj, Ramadan Mehmeti, Hajdar Fejzullahu, Halit Barani, Fahri Xharra, prof dr. Liman Rushiti,  Milazim Kadriu, Shaban Zeneli nga Tropoja lexoi përshëndetjen  e plakut 92 vjeçar, Shaban Nokshiqi drejtuar Ditës së Plisit dhe ekzekutoi me fyell një valle baritore ...

Ndërkaq poetët mërgimtar që ishin prezent në këtë manifestim, Ajet Shala, Neki Lulaj, Gjin Morina, Hysen Berisha lexuan nga poezi kushtuar plisit. Gjithë këtë aktivitet herë pas here e shoqëronte me këngët e tij me lahutë e sharki rapsodi i mirënjohur Nazmi Hajdari. 

Me këtë rast Kryetari i Shoqatës Atdhetare “Dukagjini” nga Shkodra z. Ndue Sanaj në emër të Kryesisë së Shoqatës Atdhetare “Dukagjini” Kullën e Zahir Pajazitit e nderoi me mirënjohjen dhe medaljen “Mehmet Shpendi”.

Më pas organizatorët e Manifestimit “Dita e Plisit” ndanë disa mirënjohje për ata që kanë kontribuar për realizimin e të gjitha manifestimeve të deritashme që nga manifestimi i parë i mbajtur në vitin 2014 në Muzeun privat “Agimet e Gjytetnisë” të pronarit Gjon Nikë Gjergjaj në Krushevë të Vogël, komuna e Klinës, i dyti në Kullën trashëguese tradicionale të Brahim Ukës, në Kullën e Zenel Berishës në Dobërdol të Klinës, i treti në Kullën muze të Vehbi Ukë Isufajt në Junik, i katërti në Kullën muze  të Azem Bejtë Galicës në Galicë, i pesti ( pjesa e parë) në Odën e Daut Ferataj në Uçë të Istogut, (pjesa e dytë) në Kullën e Heroit Zahir Pajaziti në Orllan të Besianës. Po ashtu me mirënjohje u nderuan edhe disa radio dhe TV që e kanë përcjell aktivitetin e këtij manifestimi gjatë këtyre pesë edicioneve  e po ashtu edhe disa shoqata  dhe individ që kanë pas bashkëpunim dhe kanë kontribuar sadopak për mbarëvajtjen e manifestimeve për Ditën e Plisit, në mesin e tyre edhe donatorët që kontribuuan  për rregullimin e ambientit për mbajtjen e manifestimit në Kullën e Zahirit.

Për të gjithë pjesëmarrësit u shpërnda falas libri “Dita e Plisit” edicioni i IV-të . Po ashtu edhe gazeta e Shoqatës atdhetare  “Dukagjini” botuar në Shkodër, e po ashtu edhe disa libra iu dhuruan organizatorit nga autorët pjesëmarrës të këtij manifestimi.

Nga këtu Ismet Krasniqi-Lala në emër të organizatorit dhe Halit Barani në emër të mikpritësit  u bënë ftesë të pranishmëve që me 27 tetor të jenë në pjesën e tretët të manifestimit “Dita e Plisit” që do të mbahet në Kullën e Isë Boletinit në Shalë të Bajgorës.

Me këtë rast organizatori njoftoi se katër edicionet e kaluara i kishte organizuar dhe mbajtur me financa  personale nga Këshilli themelues në krye me Ismet Krasniqin,ndërsa këtë vit MKRS ka ndarë mjete modeste financiare  e organizatori pjesën më të madhe të tyre  i ka parapa për përgatitjen e Dokumentarit filmik për pesë edicionet e manifestimit “Dita e Plisit”.

Kullës së Zahir Pajazitit me këtë rast për nderë të Ditës së Plisit  iu dhurua shtroja e odës  në vlerë prej 475 euro që është donacion nga donatorët llapjanë ( Mentor Kamerolli “Agnesa”, Xhafer Beselica “EuroBllok”, Halit Asllani “Alumin Astra”, Mr. Ph. Ekrem Bashota “Gentiana  Pharm” dhe Rasim Sinani) dhe ky inventar tashmë  është në pronësi të kullës.

Organizatori i Manifestimit “Dita e Plisit” është kategorik që pjesëmarrësit në këtë manifestim kudo që mbahet të vijnë të gjithë me plisa në manifestim.

Në fund Prend Buzhala në emër të autorëve të librit “Dita e Plisit” falënderoi pjesëmarrësit në përurimin e këtyre katër librave  dhe paraqiti të mbyllur manifestimin e sotëm me dëshirën që të takohen në manifestimin e radhës që do të jetë dita e tretë e edicionit të pestë dhe do të mbahet në Boletin.

Në  fund organizatori i manifestimit për të gjithë pjesëmarrësit shtroi drekë me ushqime tradicionale shqiptare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat