Qendrës Kinematografike të Kosovës i rritet buxheti 100 për qind

Kultura

Qendrës Kinematografike të Kosovës i rritet buxheti 100 për qind

Më: 7 gusht 2018 Në ora: 12:43
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi gjatë vizitës që i bëri sot Qendrës Kinematografike të Kosovës bëri të ditur se kjo qendër do ketë rritje buxhetore për 100 për qind.

Gashi ka deklaruar se kanë vendosur për këtë rritje buxhetore duke marr parasysh sukseset filmike.

Gashi: Kemi bërë rritjen 100 për qind të buxhetit për QKK-në

“Kjo qendër ka pasur një buxhet rreth 600 mijë euro për mbështetjen e filmave, dhe ne kemi vendosur që këtë buxhet ta rrisim për 100 për qind. QKK do ta ketë buxhetin për filmat rreth 1 milionë e 200 mijë euro, kurse buxheti total i QKK-së do jetë rreth 1 milionë e 400 mijë euro, kjo për shkak të punës së madhe që po ndodh në këtë qendër të filmit, për shkak të angazhimit të madh dhe çmimeve dhe rezultateve që kanë pasur filmat tonë“, ka thënë Gashi.

Duke inkurajuar të gjithë filmbërësit që të vazhdojnë punën e tyre, Gashi u shpreh se me këtë rritje buxhetore do të mbështesin 28 filma.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi po ashtu tha se Qendra Kinematografike e Kosovës do i merr mjetet varësisht prej kërkesave nga film bërësit.

Gashi: Këto mjete kanë dal nga ridestinimi i buxhetit

“Me rastin e ridestinimit të buxhetit të cilën e bënë Qeveria e Republikës së Kosovës dhe kemi hapësirë që brenda buxhetit të ministrisë së Kulturës që disa prej institucioneve të kulturës që kanë pasur rezultate dhe suksese t’ia rrisim buxhetin dhe njëra prej tyre është QKK-ja, pra ka hapësira buxhetore brenda ministrisë së Kulturës për shkak se disa projekte të cilat kanë qenë të planifikuara nuk kanë filluar të implementohet dhe do e ridestinojmë buxhetin aty ku kemi nevoja” , u shpreh ministri i Kulturës.

Kurse, drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku duke shpresuar se buxheti  do vazhdojë të rritet për këtë qendër, u shpreh se kjo ndikon që rritet edhe prodhimet filmike në vend.

Zharku: Me këtë rritje buxhetore kemi mbështetur edhe projekte tjera

“Sot i publikojmë edhe vendimet që i ka bërë këshilli drejtues për projektet filmike fituese sivjet, siç e dini më herët juria vlerësuese e ka bërë një përzgjedhje të projekteve filmike, mirëpo pas rritjes buxhetore që kemi pasur nga ministria e Kulturës, juria është takuar rishtazi dhe i ka mbështetur edhe disa projekte që kanë qenë në listë të pritjes që janë poentuar”, ka deklaruar Zharku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat