“Curveless Line” nga Donjeta Hyseni reflekton rreth abortit në Kosovë

Kultura

“Curveless Line” nga Donjeta Hyseni reflekton rreth abortit në Kosovë

Më: 9 gusht 2018 Në ora: 17:50

Jeta e disa të rinjve të cilët përballen me situata të ndryshme në Prishtinë, është në fokus të filmit më të ri të realizuar nga regjisorja Donjeta Hyseni, .

Sara dhe Shkurta janë dy vajza të reja të cilat njihen aksidentalisht në rrugë dhe vendosin që ta mbështesin njëra tjetrën.

Sara është një studente dhe ajo është në një marrëdhënie dashurie me një djalë i cili është pjesë e përkrahësve të klubit ”Plisat” si dhe punon në market. Sara mbetet shtatzënë me të por ai kërkon nga ajo që ta abortojë fëmijën. Por, Sara një studente e cila banon në konvikt e vendosur që ta mbajë fëmijën fillon e vetme rrugëtimin si prind.

Në anën tjetër Shkura është një aktore. Ajo luan së bashku me të dashurin e saj, i cili për të fituar të holla punon si Drag Queen, në një film. Në një moment ai bëhet xheloz gjatë xhirimeve dhe të dy humbasin rolet e tyre. Ajo është jashtë në rrugë, pa para dhe pa asgjë.

Edhe në këtë film si në shumicën e atyre ku Donjeta Hyseni është regjisore, trajtohen temat sociale në shoqëri.

“Skenarin dhe regjinë e filmit e kam bërë unë vet. Të gjitha temat që i shkruaj janë kryesisht drama sociale pasi që zakonisht kërkoj reagim nga shoqëria për tema të ndryshme. Unë mendoj që duhet si shoqëri të reagojmë më shumë kundër aborteve dhe braktisjes së fëmijëve”, tregoi ajo për KultPlus.

Sipas saj arsyeja prapa situatave të ndryshme që hasim në film ka lidhshmëri të madhe me atë që po kalon shoqëria në Kosovë.

“Jemi në një vend ku ka shumë pak punësim të të rinjve ndërsa paret të duhen për me jetu edhe me i bë gjërat që t’i dëshiron. Prandaj, në një formë apo tjetrën të rinjtë duhet me i gjet këto të holla. E në anën tjetër të rinjtë po ashtu duhet që të marrin më shumë përgjegjësi për veprimet e tyre”, u shpreh ajo.

Në kastën e aktorëve të këtij filmi janë studentët nga Akademia e Arteve- Dega Aktrim: Florist Bajgora, Vlora Dervishi, Edon Shileku dhe Arbesa Hysenaj.

“Unë si njëri dhe si një artiste jam kundër aborti të bebeve. Shume femra që ndodhen në situatë te ngjashme me Sarën në film detyrohen që të abortojnë beben e tyre pasi qe nuk kanë përkrahje financiare dhe morale nga shoqëria ku edhe paragjykohen”, theksoi për fund regjisorja Donjeta Hyseni.

Filmi “Curveless Line” do të shfaqet edhe nesër në kuadër të DokuFesti-it duke filluar nga ora 22:00 në Kino n’lum.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat