Ekzistenca si hije e pakuptimtë

Kultura

Ekzistenca si hije e pakuptimtë

Nga: Ilir Muharremi Më: 29 gusht 2018 Në ora: 18:30
Ilir Muharremi

Nga e si mund të them se e njoh veten, gjakun, muskujt, egon e të gjitha që më shtyjnë të mendoj apo t’i zhvesh ngadalë. Ato që mund t’i pohoj e t’i argumentoj janë momenti i vdekjes, ombrellat e përjetësisë. Këtu lind shumimi dhe krijohet diçka për të vazhduar. Në esencë këtë diçka prapë e kap me mëdyshje, sepse mendja, inteligjenca, vetëdija zhvillohen me kohën, ose koha nuk mund t’i zërë të zgjedhurit. Nuk dua t’i ik vetes, nuk jam hije e vetes, nuk më kërcënojnë hijet, të cilat si ofshama me dihatje puqen mbi mua. Shushunja është kërcënim për individin egoist, i cili nuk ndikohet nga kënaqësitë e instinktit. Unë jam instinkti im, ndjenja ime, egoja, peneli i shpirtit, por prapë dyshoj në atë që më kërcënon. Ato që ma bëjnë më të lehtë për të jetuar janë e mira dhe dashuria, por jo dhimbja që kërcënon lartësitë. E vështira për të ngritur gurin në majë sprovon ekzistencën time absolute që vështrohet nga absurdi.

Unë dhe bota, unë dhe fryma aterojmë lirshëm. U zgjidhëm, ngaqë kështu dëshiruam. Po për çfarë? Askush nuk gjen përgjigjen. Vërtitet si një palaço, bën skena, teatër fjalësh e shprehjesh, por prapë pyetje, enigmë, pa përgjigje. Dhe çka ndodh? Pyetje nga të cilat lind pafundësia dhe krijohet ngjyra mbi përjetësinë që nuk ka faj ndaj asaj që e kërcënon. Përse duhet të lindim? Përse duhet të luajmë në jetë? Përse nuk ishim? Por, tashmë ndodhemi. Aksidentalisht. Ndoshta si pasojë, por jo si kënaqësi. Apo si kënaqësi që viktimizohet e aspak nuk shërohet. Ne jemi këta, shfrytëzojmë frymën, ushqejmë trupin, urinojmë, e kthejmë atë që hamë, prapë duhet të kthehemi aty prej nga kemi ardhur, ose humbasim rastësisht. Por, po të ishim rastësisht, do të jetonim rastësisht në këtë univers enigmatik, i cili në shpirt ka zinxhirin e vlerave që nuk mund ta këpusësh.

Shprehje budallenjsh, filozofësh, të cilët përpiqen të ikin, por prapë janë shembje e vlerave ideale. Vdekja. Ajo është armiku, perandoria e pakohë, që nuk ka shpartallim. E, në momentin kur u përcaktova, edhe vdekja ngriti dolli me jetën time si një figurë a imazh që jeton diku thellë në kokën time. Çdo gjë mbaj me vete, por nuk ia di arsyen. Por, kuptim do të kishin të gjitha vlerat sikur të dinim se çfarë janë. Kjo është ajo që na obligon të jetojmë në oazën e përjetësisë enigmatike. Dhimbje, enigmë, përjetësi. Asgjë dhe gjithçka, por prapë pyetje.Lehtësisht shkruaj, por prapë nuk e paraqes atë që e ndiej në thellësi, sepse diçka tjetër është ajo që thellë dhe zbehtë del në letër e pëlhurë, apo në ndonjë material tjetër arti. Unë shndërrohem në një viktimë, në një skllav të ndjenjave, të shpirtit e të trupit.

Diçka tjetër isha dje, diçka tjetër jam sot, por prapë jam ky i njëjti që shkruaj. Nuk ndryshoj në thellësi për asgjë. Ajo kujdeset për veten. Jeton qetësisht. Jeta është një faqe e historisë, e shkurtër për ta jetuar gjatë, e pamenduar për të ardhur, ose njëasgjë momentale, predikim për të menduar, gjykim për t’u përballuar, ose piun i dirigjimit të përjetësisë. Përjetësisë egoiste, individuale, që ecën dhe prapë ecën mbi atë ose nën atë që duhet. Duhet. Çfarë ndodh, duhet të ndodhë. Ndoshta ka ndodhur, ose do të ndodhë,sërish do të ndodhë, andaj unë interpretoj vetveten, ekzistencënabsurde, postmodernen, shërimin e vetes. Shërimi nuk ndodh nga përvoja apo nga ndonjë terapi, por kuptimi dhe zëvendësimi i asaj që kërcënon. Ajo shtypet e pafuqishme e sërish jeton. Sido që të jetë, prapë jeta ecën, e ajo, vdekja, merr në mënyrë procedurale. Ne dergjemi si kufoma të gjalla mbi jetën. E dimë vdekjen dhe frikësohemi, sepse më e bukur, më pragmatike na duket fryma, pra jeta. Prapë jemi të huaj, vetmitarë dhe hije për jetën tonë. E duam të përjetshme, por nuk dimë kuptimin e gjakut, të zemrës, të frymës e të trupit, të cilat na shoqërojnë. Mbase edhe ato nuk kërkojnë përgjigje. Përgjigjja më e kthjellët është lozja me atë që na vjen, ngaqë duhet të vijë ose, nëse nuk vjen, duhet ta ndryshojmë. Po sikur ta ndryshojmë, nuk do ta zotërojmë dhe prapë do të jemi viktima të aksidentit që duhet të jetojmë si sakrificë e jetës për të ardhur në finalen vdekje.

A mund të konstatojmë se jetuam dikur dhe jetojmë prapë, ishim dhe më nuk jemi, me një shenjë libri, pikture, poezie, e cila jeton me emrin tonë? Po ne ku ikëm?! Pse erdhëm për të ikur?! Pse nuk qëndruam absolutisht mbi absoluten, por u shpikëm si relativë, asimetrikë ndaj simetrisë që është reale? Jemi simetrikë për të shpikur asimetrinë. Ndoshta e tëra duhet të ndodhë. Edhe ky shkrim është planifikuar të vazhdojë apo ta vërë pikën e fundit për të më lexuar dikush. Të vulos ekzistencën time për të cilën edhe pas vdekjes do të kërkoj shpjegime. Por prapë nuk do ta di se për çfarë isha në këtë tokë. Nuk do ta quaj lavire që vazhdon të prodhojë fëmijë pa arsye, vetëm për të vazhduar dhe për të na shfrytëzuar ne si materie, qenie të gjalla, që kanë humbur kujtimin e lindjes. Ndoshta asnjëherë nuk ka ekzistuar ndonjë realitet për t’u kujtuar tani.

Çdo gjë fillon nga fillimi, por edhe ai fillim nuk është fillim. Zemra ime nuk rreh për herë të parë në lindjen time. Jam hije, i panjohur, i huaj për zemrën, trupin, vlerën, ekzistencën time në tërësi, e cila qëndron e bashkuar me të gjitha forcat lëvizëse. Nga mendja nuk mund ta nxjerr të pamundurën, sepse e mundura është në këtë botë. Ajo është vijëzuar në kokën time të kthjellët. Dhe kështu jemi egoistë, të ditur, të vendosur ndaj vetes, por prapë pa ndonjë përgjigje për veten. Nuk na duhet fama, sepse ajo shkatërron individualitetin tonë. Të mëdhenjtë nuk janë të famshëm për veten, edhe pse prodhojnë mendime të ëmbla sikurse fiku që bie nga pema. Unë do të jem gjithnjë akull i ftohtë, qetësisht i zhytur në qenien time, e cila nuk më tregon asgjë për të vazhduar. Përpiqem, përpiqem ta hulumtoj atë thesarin që e posedon gjithkush, ngaqë në këtë univers të brishtë jemi familje, të paarsyeshëm, të palogjikshëm ndaj logjikës, të paarsyeshëm ndaj arsyes, të etur ndaj etjes, të ftohtë ndaj nxehtësisë, të zinj ndaj të bardhës. Pra, gjithnjë e kundërta për t’u relaksuar dhe për të krijuar atë që nuk mund ta krijojmë, por vetëm ta kuptojmë. Jemi ujëra të zeza në ujërat pa ngjyrë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat