Shkolla dhe familja në edukimin e brezit të ri – sfidat e shkollimit dhe të edukimit të fëmijëve

Kultura

Shkolla dhe familja në edukimin e brezit të ri – sfidat e shkollimit dhe të edukimit të fëmijëve

Nga: Dedë Palokaj Më: 3 shtator 2018 Në ora: 08:07
Dedë Palokaj

Në kohën e sotme problemet e shkollimit dhe edukimit dalin gjithnjë e më shumë në plan të parë. Si shoqëria, ashtu edhe familja po kuptojnë seriozisht se krahas nivelit ekonomik dhe mirëqenies, krahas arsimimit dhe punësimit të breznive të reja, vërhet qartë domosdoshmëria e një preokupimi serioz dhe me pikësynime të qarta për problemet e mësimit, shkollimit dhe edukimit të fëmijëve. Aq më tepër se edhe vetë bërthama bazë e shoqërisë, e kjo është familja, ka pësuar shumë të çara dhe është lëkundur mjaft këto vitet e fundit. Familja shqiptare nga dita në ditë po pëson tronditje serioze, që vijnë si rrjedhojë e një mendjelehtësie dhe gjykimi të cekët për të përvetësuar ato forma sjellje, veshje dhe jetese që na i ofrojnë zakonet e kulturave të huaja, pa marrë aspak parasysh traditat, thesarinë e çmuar të kulturës sonë shqiptare, kushtet dhe mundësitë tona. Gjymtimet e familjeve, ndarjet e dhunshme të burrave nga gratë, të baballarëve nga fëmijët, qoftë edhe për arsye ekonomike, divorcet e shumta, martesat e mitura, pa përmendur këtu plagët e rënda të prostitucionit, të drogës, të alkoolizmit dhe të shumë sëmundjeve tjera shoqërore, që në radhë të parë prekin dhe dëmtojnë familjen. Janë pikërisht këto arsye që na shtyjnë të trajtojmë këtë problem, jo thjesht për të prekur plagët e hapura të shoqërisë sonë që na dhëmb fort.

Fëmijët padiskutim janë pasqyra e prindërve të tyre. Nëse fëmijëve u thuhet: lexoni e mësoni sa më shumë, kur ulemi të lexojmë vetë të parët atëherë edhe fëmijët kuptojnë që kjo është gjë e mirë. Prindi është model për fëmiun. Fëmija merr në mënyrë instiktive nga personaliteti dhe modeli i prindit. Shtyllat janë: puna, ndershmëria, edukata, kultura, arti, dija, respekti, modestësia e familjes etj., virtyte këto që sot më pak vlerësohen. Veset shtohen për ditë, por përderisa prindërit, modeli i tyre nuk ekziston, atëherë kjo mund ta fundosë familjen dhe shoqërinë tonë pragmatiste. Në suksesin e fëmijës më shumë ndikon edukimi sesa arsimi i dhe shkollimi i mirë. Një proverb thotë: një herë një gaforre e madhe po pyeste të voglin e saj se pse ecte shtrembër? I vogli i përgjigjet: Po unë që kur kam lindur ju kam parë juve që keni ecur në këtë mënyrë të shtrebëruar. E si mund te eci unë ndryshe? Ky shembull na bën të qartë çdo gjë. Fëmija i mirë është suksesi i prindërve, kurse dështimi i fëmijës llogaritet dështimi i tyre. Mund të jetë dikush njeriu më i suksesshëmi në jetë dhe në karrierën e tij, por në të njejtën kohë nëse fëmija i tij është në rrugë të gabuar, kjo i rrënon të gjitha shpresat dhe ardhmërinë e jetës familjare dhe ai të jetë njeriu më i dështuari në botë.

Edukimi i fëmijëve është një proces i vështirë që meriton shumë sakrificë dhe angazhim prindërorë, familjarë dhe shkollorë. Një gjë është shumë e sigurtë: sa sakrificë dhe angazhim të jep prindi aq rezultate do reflektojnë fëmijët e tyre. Disa për mossuksesin e tyre i akuzojnë fëmijët, por sot, psikologët kanë ardhur në përfundim se: nuk ka fëmijë të këqijë në botë por edukimi jo i mirë është ajo që i bën fëmijët e këqijë. Shumë prej prindërve mendojnë se detyrim i tyre është vetëm mirëmbajtja e fëmijëve, që nënkupton: sigurimin e shtëpisë, ushqimit, veshjes, mbathjes, shkollës etj. por në fakt ato kanë një obligim më madhor se kjo, e ajo është edukimi i drejtë i tyre.

Sot, mungesa e edukimit të fëmijëve është një problem global dhe shumë serioz. Pavarsisht se duhet të ketë parime globale për edukimin e fëmijëve, në kultura të ndryshme, ka forma të ndryshme të edukimit të tyre, p.sh.: në perëndim, edukimi dhe mirëmbajtja e fëmijëve zgjatën deri në moshëm tetëmëdhjetë vjeçare, më tej, fëmija bëhet i mëvetësishëm, ata ndahen prej prindërve dhe në të ardhmen ato nuk i lidh asgjë me prindërit e tyre përveç respektit të ndërsjelltë që mund të zgjatë deri në fund të jetës, por mund edhe të thyhet me kalimin e kohës, kështu që prindërit në fund të jetës së tyre detyrohen të zhvendosen në shtëpitë e pleqëve dhe aty të presin vdekjen e tyre në dëshpërim. Një studim që është bërë në shtëpitë e pleqëve në Francë rezultoi që 90 % e pleqëve që jetonin aty mendonin se jeta e tyre ska kuptim, e gjithë kjo, nga malli që ndjenin për fëmijët e tyre. Kurse në vendin tonë, fatmirësisht, lidhshmëria mes fëmijëve dhe prindërve akoma zgjatën deri në fund të jetës. Prindi kujdeset për fëmijën me dashuri derisa ka forcë dhe kur arijnë pleqërinë, fëmijët kujdesen për prindërit me respekt deri në frymën e tyre të fundit.

Kur lind fëmija, ai llogaritet njejtë si “tabula rasa” nga latinishtja që dmth: drrasë boshe apo drrasë e pastër, një teori që tregon se individi është i lindur pa gadishmëri mendore dhe pa karakter dhe se njohuritë e tij vijnë duke ju ndërtuar nga përvoja dhe perceptimi jetësor. Në këtë “tabula rasë – drasë të pastër” ne mund të “vizatojmë” çka të duam, ose diçka të bukur dhe të këndëshme ose mund të “zhgaravisim apo të vizatojmë” diçka të shëmtuar. Në bazë të kësaj psikologët vërtetojnë se shkak i sjelljes të dhunshme të psikopatëve dhe sociopatëve janë pasojat e fëmijërisë të ç’regullt të tyre, pasi ata shpesh kanë qenë dëshmitarë apo edhe vet viktimë të dhunës në familje derisa kanë qenë fëmijë. Prej nesh varet se si do jenë fëmijët tanë, nëse kemi moral të mirë dhe u japim moral të mirë, të tillë do të jenë, në anën tjetër, nëse jemi të pamoralshëm dhe u japim këshilla të këqija, të tillë do jenë, por edhe nëse u japim këshilla të mira por jemi të pamoralshëm ato do shohin punën tonë e jo fjalën tonë. Ashtu siç jemi, të tillë do ti kemi edhe fëmijët, pra, me fjalë të tjera, ne jemi pasqyrë për fëmijët tanë.

Duhet të tregojmë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Përshmbull: kur na ka cingërruar telefoni dhe ndoshta s’kemi dashur të flisim me dikë, duke u thënë antarëve të familjes në prezencë të fëmijëve: thuaji se nuk jam në shtëpi? Në këtë rast fëmija ambientohet natyrshëm me idenë se “nëse babai apo nëna ime gënjejnë atëherë nuk qenka ndonjë problem i madh gënjeshtra”, dhe nesër rrezikohet që fëmiu të kthehet në rrenacak dhe mashtrues i regjur.

Të gjithë mendojnë se familja ideale është ajo familje që e shohim në reklama televizive ku çifti në shoqëri të fëmijëve të tyre qëndrojnë në pallate luksoze dhe në parqe të bukura duke lozur me fëmijët e vet. Por realiteti i familjes është krejt ndryshe nga reklamat dhe makineria propagandistite.

Sot, në shumë debate publike shqyrtohet çështja se a duhet të llogaritet fëmija si shok apo jo? Personalisht mendoj se prindi nuk duhet të jetë shok me fëmijët e tij, por duhet të sillet si i tillë me ta! Atyre duhet tu bëhet e qartë pozicioni i të qenurit “prind”, që duhet të gëzon një respekt maksimal, por në këtë fazë ajo që duhet të ndryshon është edhe metoda e diskutimit, ajo duhet të jetë më elastike, më moderne dhe më atraktive. Në këtë fazë kritike të edukimit, fëmija duhet të testohet sa është i sinqertë në atë çka thotë. Nëse prindi duhet ta pyes fëmiun e vet, ku ka qenë, me kë ka qenë, ai duhet të verifikon a ka thënë fëmiu i tij të vërtetën apo jo. Procedura e kontrollimit të tyre nuk është e lehtë, por është shumë e nevojshme.

Psikologët thonë se dyzet përqind në sjelljen e fëmijës adoleshent ndikon familja, kurse gjashtëdhjetë përqind shokët e tij, prandaj prindi duhet të din se kush janë shokët e fëmijëve të tyre. Nëse shokët janë në rrugë të drejtë, në rregull, kurse nëse shokët janë në rugë të gabuar duhet bërë çmos t’i largojnë prej tyre.

Drejtimi i parë, e ngre rolin e edukatës familjare mbi të gjithë faktorët tjerë duke theksuar se interesi i prindërve dhe i familjes në edukim është parësor dhe determinues, madje arrihet deri në atë shkallë sa të minimizohet roli i shkollës dhe i institucioneve tjera. Edhe në vendin tonë ka tendenca të tilla për të shmangur në një farë mënyre rolin e shkollës, mësimin në kushtet e klasës me mësimin individual të organizuar në shtëpi nga prindi apo nga mësues privatë etj. Psh. ka filluar në mënyrë disi masive mësimi i gjuhëve të huaja me mësues privatë, në shumë raste edhe paralelisht me atë që bëhet në shkollë. E jo vetëm për gjuhët e huaja, por edhe për disa lëndë si matematika etj. Natyrisht shkalla e lartë e interesimit të prindit për ngritjen kulturore të fëmijëve është një tendencë shumë e dobishme, por nuk mund të shkojë në drejtim të kundërt me shkollën, ta nënvleftësojë dhe ta minimizojë rolin e saj.

Kur familja ngrihet mbi baza të shëndosha, kur krijohet një atmosferë e shëndoshë familjare me marrëdhënie të drejta mes pjesëtarëve të saj, e sidomos mes nënës e babait, fëmijëve dhe prindërve; kur ekziston rregulli dhe respekti në marrëdhëniet mes pjesëtarëve të familjes, kur ndërgjegjja e prindit për edukimin e fëmijëve është e një shkalle të lartë e kjo shoqërohet me rritjen e interesit për edukim e me kujdesin e nevojshëm në këtë fushë, natyrisht e shoqëruar me traditën dhe kulturën tonë të pasur shqiptare dhe përvojën e nevojshme, me nivelin e kënaqshëm material etj., atëherë mund të flasim për fëmijë të edukuar mirë dhe për një familje të ngritur dhe stabile. Në të gjitha këto rrethana edukimi i fëmijëve në familje gjen kushtet e përshtatshme dhe niveli i punës rritet e si rrjedhim frutet nuk vonojnë të duken. Shtysat e para dhe shpeshherë vendimtare në fushën e edukatës fëmija i merr në familje e pastaj në shkollë. Fëmijët do të jenë qytetarët e ardhshëm të vendit, ata do të jenë nënat e baballarët e rinjë. Fëmijët tanë janë edhe shkopi i pleqërisë. Edukimi i mirë i tyre janë edhe pleqëria jonë e lumtur.

Prindërit jo rrallë janë të pakënaqur nga qëndrimet dhe veprimet e bijëve dhe bijave të tyre, prandaj edhe ka mospërputhje e kundërshti mes brezit të vjetër dhe brezit të ri, mes etërve dhe bijëve. Nuk duhet harruar se bijtë kanë jetën e vet, ata kërkojnë ta jetojnë dhe të formojnë përvojën e vet në rrymat e jetës. Nuk duhet harruar se ndonjëherë kujdesi i tepruar i prindërve mund të kthehet në një tutelë që shpeshherë paraqet rrezik serioz. Kujdesi i tepruar dhe i rreptë mund ta ndrydh lirinë e mendimit dhe të veprimit të fëmijëve, e kjo është e demshme. Prindi në emër të edukimit mund t’i fus fëmijët tij, si të themi nën sqetull, duke i mëkuar si foshnjet që nuk munden të ushqehen vet dhe duke ua shtruar rrugën e ata të rriten si në serat e ngrohta. E, sa fillojnë të dalin në ajër të pastër thyhen nga vështirësitë më të vogla. Një gjë ka shumë rëndësi: fëmija që në moshën më të njomë duhet të stërvitet, të masë forcat e veta për të provuar se sa është i zoti të bëjë vet një punë.

Edukimi i drejtë është një veprimtari shumë më e lehtë sesa riedukimi. Prindi është përgjegjës për edukimin e mirë të fëmijëve të vet. E kjo don thotë: të formohen marrëdhënie të drejta familjare midis burrit dhe gruas, midis prindit dhe fëmijës, midis të moshuarve dhe të të rinjve duke krijuar një atmosfere të shëndoshë edukative në familje.

Njeriu është në lidhje e në marrëdhënie me vetveten. Ky problem është aq i vjetër sa edhe vetë edukata. S’është gjë më e rreptë dhe më e vështirë se sa të luftosh me veten, por s’ka fitim më të bukur e ngadhnjim më të madh, se sa kur njeriu e mund veten. Njeriu është i lirë aq sa edhe është zot i vetvetes. Kurdoherë në thellësinë e ndërgjegjes lufton e mira me të keqen, e drejta me të shtremtën, gjithnjë janë në luftë kërkesat biologjike me arsyen, me ndërgjegjen, trupi me shpirtin. Sa herë bëjmë një veprim të gabuar apo sillemi në mënyrë jo të drejtë kemi brerje të ndërgjegjes, kuptojmë gabimin apo fajin dhe përpiqemi të ndryshojmë e të vihemi në rrugë të drejtë. Mjafton një gabim i vogël e pa rëndësi në dukje që t’ia ndryshojë rrjedhën e qetësinë e jetës të një njeriut. Shkurt, jeta e njeriut kalon gjithnjë në një rrugë plot zigzake në mes të asaj që është e lejuar dhe asaj që nuk duhet bërë. E kush mësohet që në fëmijëri të llogarisë e të mbasë sjelljet e veta, arrin të përmirësohet e të ecë përpara në fushën e një edukate gjithnjë e më të shëndoshë.  Ky është një problem kyç në edukatë. Kur një fëmijë arrin të jetë zot i vetvetes në çdo kohë dhe në çdo rrethanë, të veprojë duke ndjekur pikëpamjet e veta të arsyeshme, kur të veprojë në mënyrë të pavarur ndaj të tjerëve, të veprojë si i thotë ndërgjegjja, atëherë edukimi i tij ka arritur në një shkallë të lartë. Në këtë rast fëmija ka arritur të jetë përnjimend një qenie e lirë, ai nuk lë që të luaj kush me të apo ta nxisë e ta frymëzojë në një rrugë jo të drejtë. Kush në fëmijëri luan me kohën dhe tallet me jetën, kush në fëmijëri nuk mësohet ta sundojë vetveten, kurrë më vonë nuk ka për ta gjetur fijen e së drejtës dhe gjithmonë i robruar ka për të mbetur. Zotërimi i vetvetes është përdorimi i arsyes dhe ndërgjegjes.

Bashkëpunimi mes shkollës dhe familjes prej ku vinë nxënësi ka një rëndësi shumë me vlerë në procesin edukativo-arsimor të fëmijëve. Shkolla dhe familja përbëjnë dy faktorë të rëndësishëm në edukimin dhe arsimimin e brezit të ri. Megjithë ndryshimet midis këtyre dy faktorëve të edukimit, duhet të theksohet se shkolla ka një rol të rëndësishëm në përgatitjen e familjes për edukimin e fëmijës. Fëmijët janë nxënës më të suksesshëm përgjatë gjithë shkollës nëse prindërit e tyre përfshihen në shkollë dhe inkurajojnë të mësuarit në shtëpi, pavarësisht nga niveli arsimor apo shoqëror i tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat