Sistemi arsimor dhe lëndët shoqërore!

Kultura

Sistemi arsimor dhe lëndët shoqërore!

Nga: Muhamet Krasniqi Më: 6 shtator 2018 Në ora: 09:55
Muhamet Krasniqi

Padyshim se një prej shtyllave fondamentale të një shteti zhvillimor është arsimi cilësor.

Në Kosovë ka disa dekada që analfabetizmi është gjithnjë në zbehje me tendencë drejt zhdukjes, ndërkohë që kemi edhe përpjekje të vazhdueshme për ngritje të cilësisë së arsimit. Këto janë sinjale të mira për një shoqëri që ende nuk e ka përmbyllur fazën e tranzicionit, veçanërisht kur realiteti i sotëm krahasohet me periudhën para luftës së dytë botërore, në të cilën analfabetizmi ishte shtrirë tek shumica dërmuese e popullsisë, por edhe kur krahasohemi me një pjesë të vendeve të pazhvilluara, të ashtuquajtura vende të botës së tretë. Megjithatë duke qenë se aftësia krahasuese na mundëson që krahasimet t’i bëjmë në dy pole të kundërta, në këtë rast me shtetet e zhvilluara, atëherë edhe vetë ekzaltimi për realitetin që po qon drejtë çrrënjosjes së analfabetizmit, fillon të zbehet. Kjo për faktin se ne sot, sa i përket gjendjes në arsim qëndrojmë shumë mirë në krahasim me të kaluarën tonë dëshpëruese dhe realitetin që e përjetojnë sot disa vendeve të pazhvilluara të kontinenteve të tjera, por megjithatë nuk qëndrojmë mirë në raport me një numër të vendeve perëndimore, të cilat i kushtojnë një rëndësi shumë të madhe fushës së arsimit, i cili shihet si parakusht për zhvillimin e gjithë sektorëve dhe fushave të tjera. Thjeshtë zhdukja e analfabetizmit që pritet të ndodhë në të ardhmen e afërt, nuk mund të na mrekullojë, sepse ky është kalim i një pragu minimal në procesin e gjatë drejt zhvillimit shkencor dhe intelektual, prag të cilin vendet perëndimore e kanë kaluar shumë më herët.

Në fakt, me cilat vende dhe me cilat periudha duhet të krahasohemi realisht!? Natyrisht se njerëzit dhe shtetet janë të lira të krahasohem me kë të donë. Individët mund ta zbatojnë formulën e shpresës, ku për të mos u dëshpëruar mund të krahashohemi me ata që janë poshtë nesh, ndërsa për t’u motivuar të krahasohemi me ata sipër nesh. Por ky parim vlen qoftë në aspektin individual qoftë në atë kolektiv. Edhe në kontekstualitetin politik pozita dhe opozita e secilit vend, pothuajse gjithnjë e gjejnë veten në pikëpamje kontradiktore në raport me njëra tjetrën, ku në njërën anë pozita është e prirur që realitetin dhe arritjet, që janë edhe derivat i saj, t’i krahasojë me të kaluarën dëshpëruese dhe dështimet e vendeve të pazhvilluara, ndërsa në anën tjetër opozita, po të njëjtin realitet tenton ta krahasojë me arritjet e vendeve të zhvilluara, në mënyrë që kështu t’i arsyetojë vërejtjet e saj. Sidoqoftë pavarësisht krahasimeve, realiteti mbetet po ai, ndërsa individët, komunitetet dhe institucionet publike dhe politike janë të thirrur që të gjithë ta ndryshojnë atë për së mbari.

Në Kosovë Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) në vitin 2016 ka nxjerrë dokumentin e Kornizës Kurrikulare (KK) për arsimin parauniversitar dhe derivatin e saj Kurrikulën Bërthamë (KB) me tri nivelet e saj, dedikuar arsimit fillor, arsimit të mesëm të ulët dhe arsimin e mesëm të lartë. KK ndër të tjera, me shumë të drejtë i ka përcaktuar gjashtë qëllime të përgjithshme të arsimit parauniversitar, të cilat janë të një rëndësie shumë të veçantë, sepse nënkuptojnë që parimet, kompetencat, planet dhe programet mësimore, çështjet ndërkurrikulare dhe jashtëkurrikulare, metodologjia, vlerësimi, fushat e kurrikulës, mësimdhënia dhe mësimnxënia të cilat janë pjesë përbërëse e KK dhe KB, janë në funksion të arritjes së këtyre gjashtë qëllimeve të përgjithshme, si në vijim:

“1. kultivimi i identitetit personal, kombëtar, i përkatësisë shtetërore e kulturore, 2. promovimi i vlerave të përgjithshme kulturore dhe qytetare, 3. zhvillimi i përgjegjësisë ndaj vetes, ndaj të tjerëve, ndaj shoqërisë dhe ndaj mjedisit, 4. aftësimi për jetë dhe për punë në kontekste të ndryshme shoqërore e kulturore, 5. zhvillimi i ndërmarrësisë dhe përdorimi i teknologjisë për zhvillim të qëndrueshëm,6. aftësimi për mësim gjatë gjithë jetës”.

Këto qëllime janë shumë të drejta, të arsyeshme dhe në përputhje me kërkesat e nevojat e këtij shekulli të rrëmbyeshëm. Por ekzistojnë arsye të shumta, objektive dhe subjektive pse një numër të këtyre qëllimeve nuk po arrin t'i realizoj arsimi parauniversitar, e që padyshim se njëra ndër to, e cila do të jetë fokus i kësaj trajtese koncize, lidhet ngushtë me faktin se lëndët shoqërore që më së shumti dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë i përgjigjen shumicës së këtyre qëllimeve, fondin e orëve e kanë shumë të vogël ose disa prej tyre fare nuk janë përfshirë në plan programet e shkollave të profileve natyrore dhe profesionale. Qëllimet janë të larta, por mjetet e vogla i vështirësojnë arritjet e tyre!

Lëndët shoqërore nuk sjellin profite dhe rezultate të menjëhershme, siç ngjanë me disa prej drejtimeve natyrore dhe profesionale, të ndërtimtarisë, mekanikës, bujqësisë, inxhinierisë dhe teknologjisë, sepse ndërtimi i një shoqërie kualitative me mentalitet që i ka për bazë tri parime të përgjithshme etike dhe ligjore: përgjegjësinë, ndershmërinë dhe llogaridhënien, kërkon kohë, vullnet, durim dhe përkushtim.

Ne kemi inxhinierë, doktorë dhe profesionistë të fushave e profileve të ndryshme, por gjithashtu i kemi të pranishme edhe rastet kur një pjese të tyre u mungon ndjenja e përgjegjësisë, transparencës dhe llogaridhënies, veçanërisht kur bëhen pjesë jetës publike dhe sidomos asaj politike. Andaj një prej roleve që duhet ta shprehin lëndët shoqërore, me theks të veçantë Sociologjia dhe Edukata qytetare është ngritja vetëdijes tek nxënësit se ndjenja e përgjegjësisë dhe llogaridhënies duhet t’i shoqërojë gjatë gjithë jetës, pavarësisht se në çfarë kohë, vende, situata dhe funksione të gjenden.

Nxënësit përgjithësisht mësojnë shumë apo mjaftueshëm në rrafshin teorik për natyrën, universin, sistemin diellor, shtazët, bimët, elektrotekniken, elektromagnetiken, ndërtimtarinë, arkitekturën, mekaniken dhe teknologjinë, por shumë pak mësojnë për vet njeriun dhe shoqërinë, vlerat dhe solidaritetin, mirëqenien dhe humanizmin, dinjitetin dhe identitetin, tolerancën dhe transparencën, mirësjelljen dhe respektin, liritë dhe të drejtat e njeriut, kulturën dhe diversitetin, Zotin dhe religjionin, ndërgjegjen dhe virtytin, përgjegjësinë dhe llogaridhënien, etikën publike dhe respektimin e ligjeve.

Prandaj, që temat, konceptet dhe drejtimet me profile natyrore e profesionale ta përmbushin kuptimin e tyre, duhet që tek nxënësit të zhvillohet përgjegjësia ndaj vetvetes, shoqërisë, mjedisit dhe shtetit, të cilat përgjegjësi më së miri i përcjellin dhe i promovojnë tek nxënësit lëndët shoqërore, të tilla si Sociologjia, Edukata Qytetare, Psikologjia dhe Filozofia. Cilindo funksion, punë apo shërbim që ta kryej, njeriut i nevojiten njohuritë, cilësitë dhe vlerat e mësipërme. Individi nuk është qenie mekanike që subjektivitetin e tij t’ia nënshtrojë cilitdo profesion dhe veprimtari që i ofrohet dhe kështu të tjetërsohet gjatë atij procesi, duke e humbur kështu dinjitetin dhe identitetin e tij, por është qenie shoqërore dhe organike që veprimtarinë dhe profesionin duhet t’ua nënshtrojë nevojave të tij dhe shoqërisë në përgjithësi.

Megjithatë kjo assesi, aspak dhe në asnjë mënyrë nuk nënkupton nënvlerësim të drejtimeve profesionale, të cilat përgatisin kandidatë potencial për tregun e punës, përkundrazi drejtimeve të tilla duhet t’u garantohen kushte për manifestim praktik të teorisë, por edhe në të tilla profile, lëndët shoqërore duhet ta kenë hisen e tyre, sepse në cilindo profesion të angazhohemi, do të kemi së paku një prej këtyre tre raporteve shoqërore: raporti nëpunës-drejtues, nëpunës - nëpunës dhe nëpunës - klient. Sado që puna të jetë fizike dhe e natyrës krejtësisht praktike, raportet sociale gjithnjë i shoqërojnë individët, siç ka thënë filozofi antik Aristoteli: “njeriu është pjesë e bashkësisë, kush ndihet i pavarur prej saj është ose bishë ose perëndi”.

Po ashtu nuk mund të mohohet rëndësia kruciale që kanë matematika, teknologjia, bujqësia dhe në përgjithësi shkencat natyrore, por as të mohohet fakti se për shkencat shoqërore ende nuk është rezervuar vendi i merituar në arsimin parauniversitar, qëllimet e të cilit nuk mund të përmbushen plotësisht, veç tjerash, pa e rritur edhe fondin e orëve të lëndëve shoqërore në të gjitha profilet e shkollave.

Ndërsa në gjimnazet gjuhësore-shoqërore mësohen të gjitha shkencat natyrore, në gjimnazet natyrore, e sidomos në drejtimet profesionale mësohen shumë pak lëndët shoqërore. Për rrjedhojë disa sjellje destruktive/devijante të një pjese të nxënësve mund të manifestohen, veç tjerash, edhe si pasojë e fondit të vogël të lëndëve shoqërore, të cilat do t’i adresonin dhe shtjellonin shumë shqetësime dhe dukuri negative me të cilat ballafaqohen adoleshentët, duke i vetëdijesuar për shkaqet, pasojat dhe mundësitë e zgjidhjeve të tyre.

Jemi dëshmitarë se dukuritë negative, si fyerjet, sharjet, dhuna psikike, emocionale dhe fizike, bullizmi, ngacmimet seksuale, plaçkitja, konsumimi i duhanit, pijeve alkoolike dhe lëndëve narkotike dhe shumë dukuri me konotacione negative, kohëve të fundit janë shpeshtuar tek një pjesë e nxënësve të shkollave të mesme të larta, por edhe tek klasat e nënta të shkollave të mesme të ulëta. Periudha e adoleshencës, e cila shoqërohet me ndryshime psiko-fizike është një prej faktorëve që manifestohet me ndryshime në qëndrime dhe sjellje tek nxënësit, andaj duke qenë periudhë e ndjeshme dhe përcaktuese për të ardhmen e tyre, ndaj pjesëtarëve të kësaj grupmoshe duhet të jemi më të ndjeshëm dhe kujdesshëm, t’iu qëndrojmë pranë, të konsultohemi, t’i pyesim se çfarë synojnë, t’i orientojmë drejt dijes dhe ambicieve të larta, drejt shkencës, aktiviteteve rekreative dhe sportive, mungesa e të cilave do të krijonte boshllëk tek ata, të cilin kërkojnë ta mbushin me diçka, thjeshtë që të mos ndihen ‘zbrazët’.

Përveç këtyre çështjeve, edhe tekstet e lëndëve shoqërore kanë nevojë të rishikohen dhe plotësohen për t’u shtuar e trajtuar koncepte, tema dhe fenomene të aktualitetit me të cilat po përballet shoqëria në përgjithësi dhe rinia në veçanti. Ndërkohë që vetëm trajtimi i koncepteve, teorive dhe pikëpamjeve të teoricienëve, të shkëputura nga praktika, tek nxënësit nuk zgjon kërshëri të lartë nëse një pjesë e tyre nuk trajtohen nga perspektiva e aktualitetit dhe nuk ndërlidhen me të.

Përfundimisht, shteti përmes institucioneve, institucionet përmes shkollave e universiteteve, shkollat dhe universitetet përmes lëndëve shoqërore duhet t’i ngrenë lartë vlerat, pikëpamjet dhe qasjet si objektivizmi, paanshmëria, toleranca, diversiteti kulturor, drejtësia, barazia, përgjegjësia, llogaridhënia, mirësjellja, respekti, humanizmi, kriticizmi, paqja e solidariteti, të cilat duhet të manifestohen gjatë gjithë jetës, edhe atëherë kur përfundojnë shkolla, studimet universitare e post-universitare, sepse të tilla vlera asnjëherë nuk duhet ta humbasin rëndësinë e tyre tek njeriu, por gjithnjë ta shoqërojnë atë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat