Baletit Kombëtar qe tre muaj pa financim

Kultura

Baletit Kombëtar qe tre muaj pa financim

Më: 7 shtator 2018 Në ora: 14:29
Baleti Kombëtar i Kosovës

Baleti Kombëtar i Kosovës nëpërmjet një letre publike drejtuar kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, kryeministrit Ramush Haradinaj dhe ministrit të Kulturës, Kujtim Gashit, kanë thënë se janë të detyruar të shqyrtojnë vazhdimin e aktivitetit, pasi ka tre muaj që i është ndërprerë financimi dhe ka zhytur totalisht në kolaps institucionin e tyre, duke rrezikuar seriozisht realizimin e agjendës sonë si institucion.

NJOFTIM

Kryetarit të Parlamentit të Republikës së Kosovës, z.Kadri Veseli

Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z.Ramush Haradinaj

Ministrit të Kulturës Rinisë dhe Sportit, z.Kujtim Gashi

I nderuari Kryeministër z.Haradinaj dhe Ministër z.Gashi,

Baleti Kombëtar i Kosovës ju drejtohet përmes këtij njoftimi, në lidhje me situatën shqetësuese e cila po mbretëron në tre muajt e fundit në Institucionet e Kulturës, e cila ka përfshirë edhe Baletin Kombëtar të Kosovës.

Baletit Kombëtar të Kosovës, ka tre muaj që i është ndërprerë financimi dhe ka zhytur totalisht në kolaps Institucionin tonë, duke rrezikuar seriozisht realizimin e agjendës sonë si Institucion.

Marrëveshjet me artistë dhe Festivale jashtë vendit dhe turne nëpër Evropë të cilat BKK i ka planifikuar dhe futur në agjendë për vitin 2018, janë të rrezikuara si pasojë e bllokimit të buxhetit, dhe kjo situatë e krijuar ka vënë në pikëpyetje funksionimin dhe kredibilitetin e Baletit Kombëtar të Kosovës.

Ju rikujtojmë që BKK ka reputacion të konfirmuar si brenda ashtu edhe jashtë vendit si Institucion serioz, i cili vetëm brenda këtij viti, është prezantuar me shfaqje në qendra të ndryshme të Evropës si në; Berlin, Hamburg, Paris, Graz, Sveti Vlas (Bullgari) etj, dhe mosrealizimi i marveshjeve paraprake me partnerë kombëtar e ndërkombëtar, do të jetë fatal për rrugëtimin edhe ashtu me shumë probleme të Baletit Kombëtar të Kosovës.

Koreografi z.Israel Rodriguez, ka udhëtuar nga SHBA për në Prishtinë me dt 25 Gusht 2018, për të realizuar premierën e radhës së BKK, e cila do të jetë me dt 4 Tetor, dhë më duhet të ju bëj me dije që Institucioni jonë, për shkak të bllokimit të buxhetit, nuk ka mundësi të kryej obligimet ndaj të ftuarit.

BKK me datë 13 Shtator do të udhëtoj për në qytetin Ruse të Bullgarisë, si të ftuar për të shfaqur baletin “Xhulieta pa Romeon”, dhe për momentin nuk kemi mjete për të realizuar këtë udhëtim.

Në muajin Tetor, BKK do të udhëtoj për herë të parë drejt Finlandës, ku do të ketë turne në katër qytete finlandeze me shfaqjen “Një legjendë për dashurinë”, turne i cili është planifikuar para më shumë së një viti, dhe situata e krijuar kohëve të fundit, rrezikon seriozisht realizimin e këtij turneu me vlerë, jo vetëm për ne si Institucion, por edhe për kulturën e vendit tonë.

Të nderuar, ju rikutojmë që Baleti Kombëtar i Kosovës, që nga mbas lufta, aktivitetin e vet e ka zhvilluar në kushte të rënda, dhe falë vullnetit dhe dështirës për të ruajtur këtë Institucion me vlerë për vendin tonë, kemi bërë të pamundurën, duke punuar përtej kushteve që na janë ofruar, duke shpresuar që vështirësitë do të shkojnë duke u zvogëluar. 

Për fat të keq, ditëve të fundit ka ndodhur e kundërta. Gjendja në të cilën jemi për momentin është tejet dëshpëruese për ne, sepse pamundëson dhe paralizon komplet aktivitetin dhe realizimin e projekteve tona, duke vënë në dyshim mundin dhe sakrificën që e kemi bërë për vite të tëra, që Baleti Kombëtar i Kosovës të gëzoj respektin që ka sot.

Kolegët tanë nga institucione të tjera janë në grevë për mosrealizimin e kërkesave të tyre, të cilat si të tilla ne si Institucion i mbështesim, por pa ndërprerë punën, sepse arti të cilin ne e zhvillojmë, është art fizik dhe çdo ditë e humbur është tejet e dëmshme për realizimin e shfaqjeve.

Rregullorja e cila është në procedim e sipër, për rritjen e pagave të performuesve, ne mendojmë që është diskriminuese për disa nga Institucionet e Kulturës, dhe si e tillë nuk mendojmë se do të zgjidh problemin e pagave për performuesit.

I nderuari Kryeministër dhe Ministër, ne si artistë jemi të obliguar dhe të zotuar që të ruajm vlerat e Institucioneve që iu takojmë, sepse kemi derdhur djersë në kushte të rënda, për të krijuar respekt dhe vlera, por kjo situatë nuk mund të vazhdoj pafundësisht, sepse ne nuk mund të dalim prej vetes dhe të bëjmë mrekulli dhe me shqetësim të thellë ju njoftojmë që ne si trupë, të shtyer nga kjo situtatë e rëndë e krijuar, jemi të detyruar të shqyrëtojmë vazhdimin e aktivitetit tonë si balerinë.

Shpresojmë shumë që kjo situatë të zgjidhet sa më shpejt, për të mirën tonë të përbashkët!

Me respekt,

Baleti Kombëtar i Kosovës

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat