Librat shqip shpërndahen edhe në shkollat shqipe në SHBA

Kultura

Librat shqip shpërndahen edhe në shkollat shqipe në SHBA

Më: 10 shtator 2018 Në ora: 20:33
Librat shqip shpërndahen edhe në shkollat shqipe në SHBA

Librat shqip për shkollat shqipe në SHBA janë shpërndarë edhe në Qendrën Kulturore Shqiptaro-Amerikane në Dallas. Kjo qendër promovon kultivimin dhe ruajtjen e identitetit shqiptar përmes mësimdhënies së gjuhës shqipe.

“E filluam fushatën e vizitave në shkollat shqipe dhe shpërndarjen e librave me Dallasin, ku së bashku me Komunitetin Shqiptarë atje, përuruam Qendrën Kulturore Shqiptaro-Amerikane”, shprehet ambasadorja e Shqipërisë në SHBA, Floreta Luli-Faber.

“Ky Komunitet, me një vizion të qartë dhe një qëllim “kultivimin dhe ruajtjen e identitetit shqiptarë” me përpjekje të përbashkët dhe punë serioze, tashmë posedon një Qendër dinjitoze ku do të mësohet gjuha shqipe, historia, gjeografia dhe kultura shqiptare, për brezat e rinj të këtij komuniteti”, thekson ajo.

“Ishte kënaqësi e veçantë të shihje një Interes kaq të madh për regjistrimin në shkollë të nxënësve, që deri më tani kishte arritur në 80 fëmijë dhe kjo falë punës dhe përkushtimit të Drejtuesve, Bordit dhe Mësuesve të Qendrës”, u shpreh tutje ajo.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Ambasadorja Faber falënderoi drejtuesit për investimin e vyer në realizimin e këtij projekti tepër funksional. Një qendër Kulturore është një investim për fëmijët e sotshëm dhe për brezat e së ardhmes. Ndër të tjera, Ambasadorja shprehu vlerësimet dhe mirënjohjen për vizionin e qartë dhe afatgjatë kundrejt të ardhmes së përbashkët të Komunitetit me një koncept gjithëpërfshirës ku bëjnë pjesë biznesi, të rinjtë profesionistë, roli i pazëvendësueshëm i grave dhe edukatorët e brezit të ardhshëm.

Gjjthashtu, Ambasadorja ftoi të gjithë prindërit të vijojnë të regjistrojnë fëmijët e tyre dhe të kultivojnë tek fëmijët krenarinë e identitetit kombëtar dhe i uroi suksese nxënësve në këtë vit shkollor.

Aktiviteti vijoi me bashkëbisedime me të pranishmit dhe me një tur në ambientet e shkollës ku gjithçka kishte “ngjyrë shqiptare”. Të gjithë duhet të japim kontributin tonë, ndaj Ambasada furnizoi shkollën me tekste shkollore, një kontribut modest për këtë shkollë, por me mjaft vlerë që ndihmon fillimin e menjëhershëm të mësimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat