Historiku një shekullor i arsimit shqip në Cërmjan të Dushkajës - Bota Sot
Historiku një shekullor i arsimit shqip në Cërmjan të Dushkajës

Kultura

Historiku një shekullor i arsimit shqip në Cërmjan të Dushkajës

Nga: Milazim F. KADRIU Më: 18 shtator 2018 Në ora: 22:13
Monografi e SHFMU “Ali M. Hasi” – Cërmjan, botues SHPKL “Penat e Dushkajës”, 2017

Tashmë në Kosovë gjithnjë e më shumë  po dalin në dritë monografi për shkollat e ndryshme  të cilat po sjellin një histori të rëndësishme të  fillimit të mësimit shqip  në mese të ndryshme. Njëra ndër këto monografi është edhe Monografia e SHFMU “Ali M.  Hasi” në Cërmjan të Dushkajës e titulluar “100 VJET HISTORI DHE ARSIM KOMBËTAR 1915 – 2015” që është mjaft mirë e realizuar  nga autorët Luz Shkoza & Xhafer Kida.

Njëra ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Kosovës padyshim se është hapja e shkollave shqipe që është një faqe e ndritur  dhe e lavdishme atdhedashurie e arsimit tonë kombëtar. Nuk duhet harruar se  njëri ndër figurat kyçe në misionin e hapjes së shkollave shqipe në Kosovë ka qenë intelektuali, studiuesi, publicisti dhe shkrimtari i njohur, Ernest Koliqi. Ai aso kohe ishte ministër i arsimit në Shqipëri. Ky ishte misioni më i rëndësishëm, më atdhetarë që ka ndërmarrë ndonjëherë ndonjë qeveri shqiptare për shqiptarët që mbetën jashtë kufijve shtetëror. Thirrjes së ministrit të arsimit, Ernest Koliqi, iu përgjigjen qindra mësues atdhetarë që erdhën vullnetarisht për të punuar në Kosovë dhe trojet tjera shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi. Ishin këta mësues të rinj me plot energji rinore, entuziazëm, mësues që kishin kryer Normalen e Elbasanit.

“ Arsimi është një bimë  tejet kryeneçe, e cila nuk gjelbrën, e as që lidh kokërr në qoftëse nuk ujitet me lot e gjak “ Artur Graf, shkrimtar

Me këtë thënie për arsimin hapet Monografia  e shkollës së fshatit  Cërmjan të Dushkajës që është njëra ndër shkollat e para Shqipe në komunën e Gjakovës e më gjerë, e cila me angazhimin e Bajram Currit që në vitin 1915 e filloi punën e saj të mësimit në gjuhën Shqipe.

Me rastin e kremtimit të 100 vjetorit të punës së suksesshme edukativo-arsimore të SHFMU “Ali M.  Hasi” në Cërmjan, u botua edhe monografia e kësaj shkolle, shkollë kjo e vlerësuar lart për kontributin e dhënë, duke nxjerr personalitete të shquara të jetës politike, kulturore e sportive.

Këtë e dëshmon edhe dëshmori i kombit  Ali M.  Hasi, i cili ra në luftën e lavdishme të UÇK – së , e që tash me krenari shkolla mban emrin e tij. Po ashtu, nga kjo shkollë ka dal edhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga.

Në këtë monografi janë përfshirë periudhat kohore që nga fillimi i mësimit shqip në këtë shkollë  e deri në ditët e sotme. Fillimisht në libër vjen shkrimi i Hasan Hasanit “ Cërmjani në kujtimet e një fëmije” ku sjell kujtime nga fëmijëria e tij kur për herë të parë  e ka njohur Cërmjanin. Më pas  vjen recensioni i Besim Muhadrit i titulluar “Libri i rrjedhave njëqindvjeçare  të arsimit dhe  edukimit në Cërmjan dhe Dushkajë”. Në recensionin e tij Muhadri ndër tjera shkruan : ”Duke shkruar me pasion dhe me një dashuri të pashuar për arsimin dhe shkollën shqipe, autorët Luz Shkoza & Xhafer Kida, me shumë kujdes  janë munduar të shkruajnë  për rrjedhat e arsimit dhe edukimit në Cërmjan dhe Dushkajë gjatë një shekulli të tërë, me ç’ rast ata vënë në  pah rrugëtimin historik të shkollës shqipe në këto anë. Në libër, përveç tjerash, jepen momente relevante të akteve të hedhjes  së gurthemeleve  të themelimit dhe të rrugëtimit të arsimit shqip në Cërmjan dhe Dushkajë, në veçanti, por edhe në Gjakovë dhe Kosovë  në përgjithësi ...”  Pastaj gazetari i njohur Esad Dujka në shkrimin e tij të titulluar “Dushkaja bujare dhe  ndershme ...” sjell kujtimin e tij për këtë vatër diturie dhe për këtë krahinë bujare që e kishte pritur mirë kur  në shtator të vitit 1966 për herë të parë kishte filluar punën si mësues në këtë shkollë. Në vazhdim  vjen parathënia dhe falënderimi i autorëve për gjithë ata që  u ndihmuan në realizimin e kësaj pune mjaft të vlefshme. Më pas autorët  materialin e kanë konceptuar në dhjetë kapituj ( Historia e shkollës shqipe ndër shekuj,Historia e krahinës së Dushkajës nëpër  shekuj, Shkolla e Cërmjanit ndërmjet dy luftërave  botërore (1925-1941), Lufta e Dytë Botërore  dhe hapat e parë të arsimit në Kosovë (1939-1944), Veprimtaria arsimore e shkollës në Cërmjan prej vitit 1945 deri më sot, Dhuna dhe krimet serbo-malazeze në SHFMU “Ali M. Hasi”Cërmjan 1990-1999, Çlirimi i vendit dhe kthimi masovik i popullit shqiptar në trojet e tyre, Manifestimi Jubilar-1000 vjetori i shkronjave shqipe në Cërmjan, Statistika e përgjithshme e nxënësve, numri i paraleleve, numri i nxënësve dhe struktura gjinore dhe kombëtare – Dy etapa 1946/47 - 2014/15 dhe Albumi - shënime, dokumente fotografi )

Në të gjithë kapitujt e kësaj monografie autorët sjellin pjesë të historisë së arsimit tonë kombëtar  nëpër shekuj e me theks të veçantë  të shkollës së Cërmjanit të Gjakovës. Po ashtu vlen të përmenden biografitë e dëshmorit të kombit Ali M. Hasi që ra në luftën e lavdishme të UÇK- së e që nga pas lufta kjo shkollë me krenari mban emrin e tij. Pastaj vjen biografia e heroit Bajram Curri, mësuesit të parë të shkollës në Cërmjan,  Muharrem A. Domi, pastaj biografitë e drejtorëve, punëtorëve arsimor që kanë punuar në këtë shkollë në periudha të ndryshme  gjatë një shekulli të punës së suksesshme arsimore dhe edukative. Në libër hasim edhe shumë të dhëna për hapat e parë të arsimit në Kosovë, për mësimdhënësit e parë, për historikun e Cërmjanit dhe Dushkajës, për aktivitetet kulturore, sportive të nxënësve të kësaj shkolle dhe shumë e shumë aktivitete tjera, statistika mjaft interesante  që tregojnë për rrjedhën e punës dhe numrin e paraleleve të nxënësve, nëpër vite  që kanë ndjekur mësimet këtu. Po ashtu ka edhe shumë faksimile të dokumenteve të vjetra të shkollës dhe foto të gjeneratave të ndryshme të nxënësve dhe mësimdhënësve që ruajnë kujtime nga ditët e kaluara në këtë vatër diturie. Të gjitha këto zgjojnë kërshërinë e lexuesve dhe lirisht mund të themi se faksimile dhe foto të tilla nuk mund të hasim në monografitë e tjera të botuara deri tash në mese të ndryshme në Kosovë ngase shumë dëshmi të kohës i ka shkatërrua lufta e fundit, e autorët e kësaj monografie kanë arritur që të sigurojnë shumë dëshmi dokumentacione dhe foto të ndryshme që e pasurojnë monografinë dhe ia shtojnë vlerën historike dhe dokumentare këtij libri. Më pas vjen fjala përmbyllëse, burimet dhe literatura e shfrytëzuar nga autorët për hartimin e monografisë, emrat e kontribuuesve dhe donatorët.

Edhe recensenti tjetër i librit Muharrem Kurti ndër tjera shkruan : “Edhe SHFMU “Ali M. Hasi” në Cërmjan të Dushkajës së Gjakovës, që kohë më parë shënoi njëqindvjetorin e themelimit të saj dhe që në kuadër të këtij përvjetori po botohet kjo monografi, dedikuar historikut të arsimit shqip të viteve 1915-2015, me autorë z. Luz Shkoza dhe z. Xhafer Kida, shënon një ngjarje të rëndësishme të arsimit shqip në Cërmjan të Dushkajës, ndër më të parat fidanishte të shkollimit shqip në komunën e Gjakovës”.

Në fund  janë edhe biografitë e autorëve të librit, të cilët kanë bërë një punë përkushtuese  duke sjellë këtë monografi mjaft të rëndësishme  për historinë e shkollës shqipe në Kosovë, Gjakovë e veçmas në Cërmjan të Dushkajës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test
Tjera