Skënderbeu, pasqyrë e kontributit tonë për qytetërimin evropian

Kultura

Skënderbeu, pasqyrë e kontributit tonë për qytetërimin evropian

Më: 22 shtator 2018 Në ora: 16:20
Në kuadër të manifestimit tradicional “Takimet e Dom Mikelit”

Në kuadër të manifestimit tradicional “Takimet e Dom Mikelit”, sot është mbajtur tryeza me temën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në 55 vjetorin e kalimit në përjetësi”.

Kryetari i këshillit organizativ, Dom Jeton Thaçi, çmoi lart këtë organizim i cili, sipas tij, ka luajtur dhe vazhdon te luajë një rol të rëndësishëm në zhvillim e kulturës, letërsisë, gjuhës, letërsisë, artit, traditës shqiptare.

Thaçi më tej ka kujtuar figurën e heroi kombëtar shqiptar, Gjergj Katriotit, për të cilin tha se është edhe sot pikë referimi dhe busull që na orienton drejt vlerave perëndimore.

Thaçi: Figura e Skënderbeut na frymëzon edhe sot

“Tema e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në 550-vjetorin e kalimit në përjetësi, që do të trajtohet në këtë akademi shkencore, shpresoj të jetë burim frymëzimi për sendërtimin e një shoqërie më të shëndetshme bazuar tek vlerat kombëtare dhe universale njëkohësisht. Uroj që këto figura dhe këto takime të jenë për secilin prej nesh frymëzim i atdhedashurisë dhe i të mirës së përbashkët për të cilën kemi nevojë më shumë se kurrë” , ka potencuar Thaçi.

Ndërkohë, fjalë të mëdha për Stubllën dhe historinë e saj ka folur rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Mema, i cili vlerësoi kontributin që ka dhënë kjo vatër për të mbajtur gjallë kujtimin dhe frymën e atyre që i dhanë shumë kombit.

Ai ka thënë se ky përvjetor është i veçantë sepse koincidon me 550-vjetorin e vdekjes së Gjergj Katriotit- Skënderbeut.

Dema: Stublla po mban gjallë vlerat kombëtare

“Gjergj Kastrioti është udhëhequr në vlera, të cilat vlera, fatkeqësisht po zbehen. Pikërisht, kjo që Stublla është duke bërë është njëra nga vlerat e mirënjohjes të atyre që dhanë shumë që ne të jemi këta që jemi dhe të jemi të pranishëm këtu në këtë manifestim”, ka deklaruar Dema. 

Manifestimi ka vazhduar më pas me mbajtjen e ligjëratave nga studiues të ndryshëm nga të gjitha trojet shqiptare.

Jahja Drançolli, profesor në Universitetin e Prishtinës prezantoi hulumtimin e tij mbi figurën e Skënderbeut. Drançolli tha se figura e heroit tonë kombëtar nuk duhet e as nuk guxon të reduktohet në një figurë me përmasa shtetërore, pasi që Skënderbeu ka kapërcyer kufijtë lokalë për t’u bërë personalitet botëror.

Drançolli:  Përmes Skënderbeut njihet kontributi ynë në qytetërimin europian

“Duke e ndërlidhur kryendërtuesin e shtetit tonë vetëm me Kosovën nuk ka për synim për të zvogëluar madhështinë e Skënderbeut vetëm në një pjesë të Arbërisë së shekullit 15-të. Natyrisht, Skënderbeun e ka i gjithë populli ynë, e ka Evropa, e ka bota të vetin dhe përmes tij edhe sot njihet kontributi i hershëm i popullit shqiptar në qytetërimin evropian”, ka thënë midis tjerash Drançolli.

Ligjërata mbajtën edhe Antoni Belushi dhe Lucia Nadin nga Italia, Mark Palnikaj dhe Orestina Gjergji Aliu nga Tirana, Muzafer Bislimi nga Shkupi.

Duke prezantuar punimet e tyre, autorët kanë ngritur lartë veprën e Skënderbeut. Mark Palnikaj ka vënë në dukje se mbi 1.500 vepra në formën e jetëshkrimeve dhe librave të ndryshëm janë shkruar mbi jetën dhe veprimtarinë e Skënderbeut, duke treguar kështu për madhështinë e figurës së heroit kombëtar të shqiptarëve.

Edhe ligjëruesit tjerë argumentuan rëndësinë e madhe që ka për shqiptarët figura e Skënderbeut, në mënyrë që shqiptarët të zënë vendin që iu takon në hartën e qytetërimit botëror. Autorët me punimet e tyre mbrojtën pretendimin se Skënderbeu kishte rrënjë etnike shqiptare.

Po ashtu, studiuesit shprehën qëndrime të tilla që mbështesin tezën se shqiptarët janë autoktonë në trojet e tyre dhe kanë të drejtë të kenë shtetin e tyre.

Fjalën përmbyllëse e ka mbajtur Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë GjergJi, i cili ka bërë thirrje për unitet. Ai ka thënë se duhet ta ruajmë laicitetin e shtetit dhe karakterin multifetar të kombit tonë

Gjergji: Ta ruajmë laicitetin dhe toleracën midis feve

“Kushdo që sot përpiqet të ndajë kishën prej kombit, nuk do të bëjë asgjë përveç se do të shpërfytyrojë kombin dhe do të përbuzë sakrificën historike që kasha e ka dhënë për kombin. Sot populli jonë ka nevojë për unitet,  për të siguruar të ardhmen e vet nëpërmjet dialogut me Bashkësinë Ndërkombëtare dhe fuqitë e tjera, e fqinjët e vet sidomos. Për të përforcuar shtetësinë dhe lirinë e të gjithëve në vendet tona, për ta integruar kombin në familjen e popujve të qytetëruar, për ta ruajtur laicitetin e shtetit dhe multireligjiozitetin e shoqërisë” , ka deklaruar Gjergji.

Manifestimi ka vazhduar me Orën e madhe letrare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat