Gashi: Nuk do të lejojmë rininë të largohen nga Kosova

Kultura

Gashi: Nuk do të lejojmë rininë të largohen nga Kosova

Më: 24 shtator 2018 Në ora: 11:33
Kujtim Gashi

Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka deklaruar se për herë të parë në Kosovë, do ta kenë një fond rinor për t’i ndihmuar të rinjtë në punësim.

Gashi i bëri këto komente gjatë ceremonisë së ndarjes së certifikatave për grupet e trajnimit “Shkathtësi të buta”, ku kanë qen të përfshirë rreth 250 të rinj.

Ministri Gashi u fokusua te politikat e MKRS-së për punësimin e të rinjve 2018 – 2022. Ai tha se Kosova ka një proporcion shumë të madh të të rinjve dhe të rejave që kanë potencial për zhvillim, prandaj investimi në rini dhe ngritja e kapaciteteve të tyre  është prioritet kryesorë i ministrisë që drejton.

Gashi: Do ta kemi një fond që ndihmon të rinjtë për punësim

“Ky certifikim  që po ndodhë me 250 të rinj nuk do të jetë i pari por as i fundit. Ne kemi një program shumë të pasur për vitin 2019, e kam thënë në takime tjera po e përsëris edhe sot, do ta kemi një fond rinor për herë të parë në Kosovë që ka qëllimin për ndihmën e të rinjve rreth punësimit. Nuk do të tolerojmë në asnjë mënyrë që të rinjtë tonë veç të largohen nga Kosova. E dimë që është një problem shumë i madh por bashkërisht do t’ia dalim sepse potenciali, talenti që ekziston te të rinjtë mund të kthehet lehtë në një Kosovë që ndërtohet nga kjo dekadë që ka një potencial“, tha ai.

Drejtori i Departamentit të Rinisë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Xhevat Bajrami, tha se për të rritur punësimin Qeveria po ofron programe mbështetëse për  rinisë dhe zhvillimin e saj.

Bajrami: Ofruam trajnime për të qenë të përgatitur për tregun e punës

“Ministria e Kulturës mbetet e përkushtuar në përkrahjen e rinisë, në zhvillimin e saj, përmes objektivave konkrete. Në kuadër të orientimeve tona strategjike, ne kemi ofruar programe dhe trajnime për shkathtësi të buta për t’iu dhënë një shancë që ju të jeni të përgatitur për tregun e punës. Me qëllim të avancimit të sektorit të rinisë në Kosovë, ne jemi duke hartuar edhe strategjinë dhe planin e veprimit për rininë“, ka thënë Bajrami.

Ndërsa, Besnik Krasniqi nga organizatat joqeveritare, të cilat kanë qenë implementuese të projekteve për shkathtësi të buta për të rinj, foli për rëndësinë e shkathtësive te të rinjtë.

Krasniqi: Shkathtësitë te të rinjtë, nevojë e jashtëzakonshme

“Në bazë të hulumtimeve që i kanë bërë institucionet me renome ndërkombëtare siç janë UNDP-ja dhe të tjera, ka dal se është një ndër fushat që duhet të intervenohet sa më shumë, kemi ankesa edhe nga sektori privat por edhe nga të rinjtë se këto janë shkathtësitë të cilat nevojiten jashtëzakonisht “, ka thënë ai.

Në fund janë shpërndarë edhe certifikatat për grupet e trajnimit “Shkathtësi të buta".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat