Në Klinë u promovuan dy libra me poezi

Kultura

Në Klinë u promovuan dy libra me poezi

Më: 12 tetor 2018 Në ora: 21:46
Klinë

Shoqata Kulturore “Jehona e Dukagjinit” dhe Klubi Letrar “Dritëro Agolli”, që funksionon në kuadër të kësaj shoqate sot shënuan manifestimin tradicional “Dita e Agollit”.

Manifestimin e përshëndetën shumë pjesëmarrës, autoritete nga fusha artistike, por, në fokus të veçantë manifestimi kishte përurimin e dy librave me poezi, “Vezullimë” të autorit Imer Pantina dhe “Grimca Jete” të autorit Ilir Desku.

Kumtesë shkencore për veprën e Dritëro Agollit paraqiti Mahir Morina, ndërsa Vilson Culaj prezantoi themelimin e çmimit letrar “Dritëro Agolli”, çmim për të cilin tha se shoqata “Jehona e Dukagjinit” do ta ndajë për personalitete të letërsisë nga viti i ardhshëm.

Fjalime recensuese u lexuan për të dy librat e botuar. Shkrimtari Ardian Haxhaj, në punimin recensues të tij ndër të tjera shkruan “Poezia e Pantinës duket qëllimshëm që nuk pranon komunikim të lehtë, e aq më pak të njëtrajtshëm në kuptimin e perceptimit të mesazhit nga lexuesi. Poezitë e përmbledhjes poetike “Vezullimë” janë metaforë dhe performancë e lartë artistike për t’i dhënë brumë stilistik gjuhës sonë. Mjeshtëria e artit letrar, veçmas atij poetik, vërehet në funksionalizimin e shprehjeve gjuhësore të zakonshme për të dhënë kuptime të ndryshme. Pa dyshim se ky aspekt mbërrihet qartësisht në poezitë e librit “Vezullimë” të Imer Pantinës”.

Ndërsa, sa i përket librit “Grimca Jete”, redaktori i këtij libri, Imer Pantina, ndër të tjera theksoi se “Autori Ilir Desku detekton hapësirat artistike të cilat reflektojnë dritën e moralit, dhe më pas ndjek këta reflektorë gjersa ia zbulojnë lexuesit porosinë që e percepton autori. Ai madje nuk mbetet me kaq, pra, nuk mbetet thjesht vetëm mbledhës i urtësive, por ai i mvesh këto me figuracionin artistik duke ia shtuar edhe frymën personale poetizuese, me metagjuhën që jep porosi shumëdimensionale, derisa t’i stërholloj ato “grimca jete” të cilat marrin jetë me temat interesante që shpërfaqen  si dhe marrin dekorimin teksa stilizohen për të gjetur shtigjet nga ku duhet “goditur” me sarkazmin e gjuhës artistike”.

Recensenti i këtij libri (Grimca Jete) Bashkim Hoti, ndër të tjera tha se ”Libri i Ilir Deskut “Grimca jete” paraqet në mënyrë të letrarizuar faktografinë për fatin e kolektivit përmes përshkrimit të vuajtjeve dhe sakrificave të individit”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat