Historia flet dhe thërret – 550 vjetori i vdekjes së Gjegj Kastriotit – Skënderbeut

Kultura

Historia flet dhe thërret – 550 vjetori i vdekjes së Gjegj Kastriotit – Skënderbeut

Nga: Don Lush Gjergji Më: 16 tetor 2018 Në ora: 16:16
Don Lush Gjergji

Të nderuar pjesëmarrës,

Si përfaqësues i Kishës Katolike, Dioqezës së re Prizren-Prishtinë, në emër të Shkëlqesisë së Tij, Imzot Dodë Gjergji, i cili gjendet në Vatikan, në Sinodin e Ipeshkvijve, dua të bashkëndaj disa fjalë, mendime mbi Gjergjin tonë të madh, në 550-vjetorin e kalimit të tij në amshim.

Historia flet dhe thërret në këtë përvjetor të madh, 550 vjetorin e vdekjes së të pavdekshmit Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, i cili si dikur i mblodhi dhe afroi Arbët, asht edhe sot na afron dhe bashkon ne Shqiptarët me shumë porosi, qortime, vërejtje, synime dhe frymëzime për të tashmen dhe të ardhmen tonë më të mirë.

Kush ishte Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe si ndodhi “mrekullia” që një popull i vogël, Arbërorët, t’i bënte ballë perandorisë turko – otomane në krye me kryetrimin e Arbërisë së atëhershme Gjegj Kastriotin - Skënderbeun? Pse dhe si ai u shpall nga Papa Piu II “AthletaChristi et difensorfideichristianae”? Si e ka njohur dhe vlerësuar bota Gjergj Kastriotin, nëpërmjet tij Popullin tonë? Çka na mëson dhe dhuron jeta, figura dhe personaliteti i tij ne për kohën dhe hapësirat tona?

Ja strategjia largpamëse dhe vendimtare  i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut:

Takimi–rreth kërkimit dhe zbatimit të mirës së përbashkët me princat arbërorë të asaj kohe, duke i vlerësuar ata si përkrahës dhe mbrojtës të rëndësishëm të lirisë dhe trojeve tona kombëtare;
Afrimi -  rreth drejtësisë dhe barazisë  me të gjithë dhepër të gjithë, pa përjashtuar askënd, pa të cilën nuk ka jetë, edhe më pak sukses dhe fatbardhësi;

Bashkimi – si  shprehje fuqie të bashkimit në dallime, kush ky për çdo ngadhënjim dhe sukses, që mbështet në të vërtetën dhe në dashurinë për njëri-tjetrin,  për idetë dhe idealet e përbashkëta, i bazuar në vërtetën historike ilire dhe arbërore për përballimin vëllazëror të baticave dhe zbaticave historike dhe aktuale;

Bashkëpunimi- si  domosdoshmëri për çdo kohë dhe vend,  shprehje e fuqisë dhe jetës, veprimtarisë  dhe synimeve të përbashkëta, ku ne shpesh çalojmë dhe mungojmë,  si një lloj dobësie pothuaj  karakteristike e “thembrës së Akilit” për Popullin tonë;

Bashkëjetesa – si shprehje atdhedashuri dhe flijimi,  kërkimi i vazhdueshëm i të mirës së përbashkët, pa të cilën s’ka as të mira personale, individuale, familjare, grupore,që lehtëson fuqinë shpirtërore, morale, jetësore, që edhe ne, si Gjergji ynë dikur, t’i kthehemi  vetvetes dhe të vërtetës. Prandaj, takimi, afrimi, bashkimi, bashkëpunimi dhe bashkëjetesa e bëjnë Gjergj Kastriotin – Skënderbeun figurë historike dhe aktuale unike për ne dhe për botën, Njeri që diti, deshi dhe  mundi të krijonte këtë rrugëtim shkallor, si art të suksesit, vëllazërisë,  afërsisë, vlerësimit pozitiv, të jetës dhe të suksesittë përbashkët me të gjithë dhe për të gjithë.

Nga ajo që dimë mbi personalitetin, porosinë, personifikimin dhe aktualizimin e tijduhet të theksojmë:

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu pati forcën, vizionin, guximin, trimërinë t’i kthehet vetvetes, rrënjëve ilire dhe arbërore, fesë së krishterë dhe të vërtetës historike. Kthimi te burimi është porosi dhe testament shpirtëror i tij edhe sot për ne, kaq të ndarë dhe të përçarë, të shkapërderdhur anekënd, pa ndonjë identitet dhe personalitet bazik, pa vetëdije dhe përcaktim në këto tri pika: kush jemi, çka duam dhe si duam të realizojmë atë çka vërtet duam.

Ai nuk e kishte humbur kujtesën historike personale, familjare, fetare dhe kombëtare. Edhe pse babai i tij Gjon Kastrioti  qe i detyruar t’ua dorëzonte Gjergjin në moshën e brishtë 9 vjeçare, diku në fillim të vitit 1415, Gjergji ynë i mbeti besnik historisë familjare, kombëtare dhe fetare.

Ai është shembëll i shkëlqyer i përfaqësuesit të “diasporës”, i cili nuk mendonte me “bark”, por me krye, vlerësonte me mendje dhe me zemër, dhe thënë me gjuhën e Shën Nënës Tereze, e “jep pjesën më të mirë të vetvetes”, por për të tjerët, për të mirën e përbashkët për të gjithë, si model flijimi dhe dhurimi, altruizmi dhe atdhedashurie shembullore. Shtyllë jete dhe veprimi pati BESËN, dhe me Besëlidhjen Shqiptare më 2 mars 1444, vuri themelet e reja dhe të vjetra tona kombformuese dhe shtetformuese, duke nderuar traditat e përbashkëta, simbolet, mbi të gjitha synimet, idetë dhe idealet tona, nën flamurin e përbashkët drejt histories dhe ardhmerisë.

Ai është dhe mbetet model i intelektualit, filozofit, dijetarit, vizionarit, burrështetasit, luftetarit të pashembull për popullin ilir dhe arbëror, për ta gjetur edhe një herë vendin dhe dinjitetin e humbur, bashkimin dhe vëllazërinë tonë gjithëkombëtare me popujt dhe vendet e qytetërimit të krishterë dhe evropian.

(Fjala përshëndetëse me rastin e hapjes së konferencës shkencore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në 550-vjetorin e vdekjes)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat