Aktori shqiptar vjen nga Franca për të marr pjesë në festivalin e Teatrove

Kultura

Aktori shqiptar vjen nga Franca për të marr pjesë në festivalin e Teatrove

Më: 19 tetor 2018 Në ora: 16:24
Ferizaj

Në vigjilje të hapjes së Festivalit të 48-të të Teatrove në Ferizaj, në Kosovë po qëndron aktori shqiptar nga Franca, Rexhep Mitrovica.

Aktori Mitrovica në festival do të paraqitet  të dielën  më 21 tetor me veprën "Le Pont", e cila është me motive nga libri i Ismajl Kadare " Ura me tri harqe".

Aktori Rexhep Mitrovica, është shprehur i lumtur që gjendet në Kosovë për të mbajtur një shfaqje.

"Është një veçanti speciale në këtë rast me veprën se e kam rastin të luaj një vepër e cila rezonon në këtë ambient, në këtë regjion. Sidomos çka flitet, tematika mjaft shumë lidhet me regjionin dhe vendin. Po ashtu, përveç kësaj është një vepër që ka një mesazh shumë universal. Kjo tregon në të njëjtën kohë rëndësinë primare që e ka Kadareja si shkrimtar. Përveç kësaj ndjehem me fat që kam pasur rastin të takohem me një adaptim të tillë në frëngjisht", tha Mitrovica.

Ndërsa, drejtori i Teatrit të qytetit Fatmir Hyseni, ka thënë se për ta është një nder i madh që një aktor si Rexhep Mitrovica do të luaj një shfaqje në qytetin e Ferizajt.

 "Hapja e festivalit do të ndodhë me shfaqjen e mysafirëve nga Franca . ‘Le Pont’, është ura nga motivet e romanit ‘Ura me tri harqe’ të Ismajl Kadare. Do të thotë dramatizimin dhe regjinë e ka bërë Simon Pitaqaj...Është një nder i veçantë për arsye se aktorët tanë të cilët kanë qëndruar jashtë na kanë prezantuar më herët shumë mirë, do të thotë atë çka nuk ka mundur ta bëjë askush e kanë bërë aktorët tanë. Është një nder i veçantë që Rexhepi hera e parë që do të interpretojë në Kosovë", tha ai.

Këtë vit hyrja për të parë shfaqjet është me pagesë, Hyseni ka bërë të ditur arsyen se pse është bërë ky ndryshim.

 "Nuk do të ketë një fitim të madh po është më shumë për një rregull që të vendoset, ta ketë secili një ulëse. Çmimi prej 22 është 1 euro për shfaqje, për 7 net është 8 euro. Kemi shkuar në minimum veç që të krijohet një rregull që të rezervohet bileta", tha Hyseni.

Drejtori artistik i Festivalit të Teatrove “Ferizaj 2018" Besim Osmani, ka thënë këtë vit festivali ka pasur një konceptim për të sjellë në skenë dramat shqiptare.

Osmani: Kemi provuar të sjellim disa risi në festival

“Festivali tash e ka edicionin e 48-të  dhe sigurisht suksesi kryesor i këtij festivali është kjo tradita. Këtë vit ne kemi provuar të sjellim disa risi në festival, mirëpo pa e humbur traditën dhe mënyrën qysh është organizuar 48 vite ky festival. Veçantitë e këtij programi të sivjetme janë 4 tekste shqiptare që vijnë këtë vit, duke e përfshi tekstin nga vepra e Ismail Kadare, një tekst është i Ag Apollonit, duke vazhduar me një tekst tjetër të Kushtrim Bekteshit dhe në fund teksti nga Mehmet Kraja", bëri të ditur Osmani.

Festivali i Teatrove “Ferizaj 2018” do të mbahet nga 21 tetori deri më 28 tetor. Aktori shqiptar nga Franca Rexhep Mitrovica, gjatë ditës së sotme është takuar edhe me kryetarin e Komunës së Ferizajt Agim Aliu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat