Një vepër shpërblyese

Kultura

Një vepër shpërblyese

Nga: Mira Meksi Më: 25 tetor 2018 Në ora: 15:17
Mira Meksi

Pasi lexon pesëqind faqet e ngjeshura të librit më të fundit të Prof. dr. Eshref Ymerit, “Arti i përkthimit gojor” (Intergrafika, 2018), çdo lexues do të kuptojë lehtësisht së paku dy gjëra: së pari, libri i Prof. dr. Eshref Ymerit mbart shumë më tepër sesa jepet e shprehur në titull; së dyti, leximi i tij na zbulon një vepër, e cila shpërfaqet shpërblyese në shumë rrafshe e këndvështrime, dhe për më tepër sesa një kategori e ngushtë lexuesish, siç mund të mendojë ndokush, duke u nisur nga titulli. E shkruar me një stil të këndshëm, të rrjedhshëm, të qartë dhe të shtruar,

“Arti i përkthimit gojor” është një vepër shpërblyese, më së pari, për lexuesin e gjerë, të cilit kjo vepër do t’i falë jo pak kënaqësi, dhe do t’i shuajë jo pak kërshëri, qoftë në lidhje me jo pak ngjarje, qoftë në lidhje me përvoja njerëzish, përfshirë edhe syresh që nuk janë përkthyes gojorë. Përmes paraqitjes dhe shtjellimit të qartë e të përpiktë të koncepteve themelore të disiplinës, përmes një pune të palodhur, hulumtimit dhe shfrytëzimit të një literature mjaft të pasur, sikundërse edhe intervistave me kolegë të tij përkthyes, “Arti i përkthimit gojor” shpërfaqet një vepër shpërblyese, më pas, për lexuesin e fushës, si me thënë, e këtu kam parasysh jo vetëm lexuesin, puna e të cilit lidhet drejtpërsëdrejti e përjashtimisht me përkthimin gojor, por, më së pari, studentët e gjuhëve të huaja, të cilët do të gjejnë në faqet e kësaj vepre jo vetëm një paraqitje të qartë të koncepteve të përkthimit gojor, të llojeve dhe të teknikave të tij, sikundërse dhe të misionit dhe rolit - jo rrallëherë edhe jashtëgjuhësor - që mund të luajë përkthyesi gojor, por edhe një larushi mjaft të pasur përvojash, idesh e këshillash të vyera, qoftë vetjake, qoftë të përkthyesve të tjerë, vendas e të huaj.

Parë në këtë drejtim, “Arti i përkthimit gojor” mund të cilësohet pa as më të voglin dyshim një udhërrëfyes tejet i çmuar,qoftë për ata që e kanë punë të tyre përkthimin gojor, qoftë për ata që aspirojnë t’i kushtohen një pune të tillë, të cilët do të ndërgjegjësohen gjithnjë e më shumë për një sërë vështirësish që shpërfaq një punë e tillë, sikundërse dhe për faktit se njohja mirë e të dyja gjuhëve në një bashkëbisedim mes njerëzish që nuk e kuptojnë gjuhën e njëri-tjetrit, është një kusht i domosdoshëm, por i pamjaftueshëm, njësoj siç është një kusht i domosdoshëm pasja e dy duarve, por i pamjaftueshëm për të luajtur në piano.

Përkthimi në tërësi, dhe jo vetëm ai gojor, është një aftësi që kërkon një ushtrim të vazhdueshëm, dhe nuk mund të mësohet kurrsesi përmes mësimit të gjuhës, sikundërse dhe vetë gjuha, nga ana e saj, nuk mund të mësohet kurrsesi përmes përkthimit. Në rastin e përkthimit gojor, më pas, është domosdoshmërisht e nevojshme që interpreti, përkthyesi gojor, të ketë një njohje të mirë të kulturave e subkulturave që formësojnë jo vetëm stofin, por edhe horizontin kuptimor të dy gjuhëve, si dhe aftësi për të sintetizuar shpejt, duke përcjellë me saktësi dhe qartësi thelbin kuptimor të mesazhit, apo mendimit, dhe jo formën e tij, duke ndjekur kësisoj me përpikmëri parimin e njohur të Jeronimit, Shenjtit Mbrojtës të Përkthyesve: “non verbum e verbo, sed sensum de sensu”. Kjo është edhe arsyeja përse përkthyesi gojor emërtohet përmes termit “interpret”; kjo është ajo çfarë e bën të dallohet nga përkthyesi i tekstit të shkruar. “Arti i përkthimit gojor” shpërfaqet një vepër shpërblyese, ndërkaq, edhe për figurën e vetë përkthyesit gojor.

Figurën e përkthyesit gojor e ndeshim qysh në periudhën e lashtësisë, dhe në tërë kulturat, nga ajo indiane e kineze, tek kultura egjiptiane, helene dhe romake, duke luajtur një rol mjaft të rëndësishëm në gjirin e çdo shoqërie të zhvilluar. Në Greqinë e lashtë, madje, përkthimi gojor (hermeneús) shfaqte përparësi ndaj përkthimit me shkrim (metaghéro). Në Romën e lashtë, ndonëse përkthimi me shkrim shfaq përparësi, praninë e përkthyesit gojor e ndeshim gjithsesi të dokumentuar nga Ciceroni, kur shprehet se “nuk i përktheva [fjalimet e Demostenit dhe Eskinit] si përkthyes [me shkrim], por si përkthyes me gojë” (nec converti ut interpres, sed ut orator). Shekuj më pas, përkthyesit gojorë luajtën një rol vërtet vendimtar në kolonizimin spanjoll të Amerikave.

Komunikimi me vendasit u shfaq i një rëndësie thelbësore për Kristofor Kolombin, i cili arriti deri aty, saqë u mësoi disa vendasve gjuhën dhe kulturën spanjolle, për t’i përdorur më pas si përkthyes. Dokumentet e kohës tregojnë se, për të komunikuar me fiset e gadishullit Yukatan, për shembull, Hernan Kortesi pati punësuar tre përkthyes; përkthyesit të parë i fliste në spanjisht, ndërsa ky ia përkthente në gjuhën maya të dytit, i cili, nga ana e tij, e përkthente në dialekte të ndryshme të zonës. Më pas, roli i përkthyesit gojor u shfaq akoma dhe më vendimtar me krijimin e gjykatave (1563), kohë kur përkthimi gojor fitoi edhe statusin e profesionit, shoqëruar me rregullat kontraktuale.

Në shekullin XX, ky rol i rëndësishëm i përkthyesit gojor doli sërish në pah gjatë proceseve të Nurembergut, pas luftës së dytë botërore, sikundërse edhe me rritjen e marrëdhënieve ndërkombëtare, për të shmangur spiralen e komunikimit midis krerëve të shteteve që nuk flisnin të njëjtën gjuhë, çka vijon edhe sot e gjithë ditën, pa anashkaluar ndërkaq edhe veprimtaritë e ndryshme ndërkombëtare në fushat e ndryshme, si rrjedhojë e prirjeve globale, apo edhe rastet e intervistimit të të huajve nëpër emisione televizive apo në qendra emigrantësh, në kohët tona. Pavarësisht rolit të rëndësishëm në krijimin e urave lidhëse mes kulturave e qytetërimeve të ndryshme, e asaj rrjete mjaft të dendur marrëdhëniesh njerëzore, shoqërore, kulturore, shkencore, ekonomike, politike etj., është fakt i pakundërshtueshëm se përkthyesi gojor, ndryshe nga përkthyesi me shkrim, ka qenë gjithnjë i mbështjellë jo rrallëherë nga harresa dhe nga anonimati.

Kjo vepër e Prof. dr. Eshref Ymerit shpërfaqet shpërblyese edhe për këtë “hero të heshtur dhe të fshehur” të kulturës dhe të qytetërimit, duke i dhënë kësisoj një fytyrë, një fizionomi, një zë. Në këtë drejtim, vepra e Prof. dr. Eshref Ymerit shpërfaqet akoma më tepër shpërblyese për ata përkthyes gojorë që humbën jetën vetëm për shkak të ndihmesës që dhanë në mundësimin e komunikimit mes dy a më shumë njerëzve, por që më pas u ekzekutuan nga këta “për të siguruar ruajtjen e sekretit”. Në këtë drejtim, vepra e Prof. dr. Eshref Ymerit meriton pa dyshim respektin dhe mirënjohjen. Në emër të të gjallëve; në emër të atyre që nuk janë më; në emër të humanizmit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat