Skela ime

Kultura

Skela ime

Nga: Viron Kona Më: 31 tetor 2018 Në ora: 07:11
Viron Kona

1.

Skela më tërheq përherë magjishëm drejt saj,1)

ashtu siç tërheq zogjtë, detarët, anijet n`port,

“mbretëri” e shenjtë e kujtimeve të fëmijërisë,

prej atje shihet perëndimi më i bukur në botë!

 

Më përshkon emocioni kur i përmendet emri,

flladi i ëmbël m`i sjellë pranë kujtimet që dua:

shtëpinë, shkollën, rrugicat, plazhin e vjetër,

ku pesë-gjashtë shokë hanim një kokërr ftua.

 

Përfytyroj anijet që niseshin varg në peshkim,

nga bregu uronim t`u shkonte gjuetia mbarë,

na pushtonte ankthi kur fillonin erëra t`forta,

kur deti tërbohej dhe dallgët ngriheshin “mal”.

 

Atëherë dilnim e gjithë lagjja në krye të molit,

sytë nga ngushtica nuk i hiqnim asnjë çast,2)

prisnim zemërngrirë që të shfaqeshin anijet,

djemtë që rrezikoheshin në stuhi e në dallgë.

2.

N`Gjirin e Vlorës sikur luheshin pjesë teatrale,

pamjet atje ndryshonin papritmas dhe pa bujë,

shfaqeshin kryqëzorë, katra silurues dhe skafe,

nëndetëse, që zhyteshin e dilnin befas mbi ujë.

 

Këto pamje te ne zgjonin kureshtje të madhe,

ndaj pyesnim prindërit që të mësonim  diçka,

ata na thoshin:“lahuni në det,mbyllnim gojët,

mos bëni shumë pyetje,do t`na fusni në bela!”

 

Një mëngjes, një vapor e nxori stuhia n`breg,

notuam afër tij dhe e vërejtëm me habi e nge`,

ishin të bindur se ai do të mbetej aty për jetë,

një “lodër e madhe”,-thoshim, kush ish si ne!

 

Shpejt një anije e vockël i erdhi qark vaporit,3)

ishte një “mizë që donte të tërhiqte nj`elefant”,

kur u lidh me kavo ne s`pushonim së qeshuri,

u habitëm kur ajo tërhoqi aq lehtë atë gjigant.

3.

N`shkollën njëkatëshe t`Skelës mësuam abc-në,

mësuam për “Sheshin e Flamurit”  e lashtësinë,

për burrat që erdhën nga gjithë trojet shqiptare,

dhe n`kuvendin e 1912-tës shpallën pavarësinë.

 

Mësuesit e shkollës na mbanin afër ne fëmijëve,

donin t`bëheshim t`mirë, të kulturuar e të ditur,

ndonëse ndonjëherë neve ua prishnim ca qejfin,

kur shkonim n`shkollë si “toça”,të papërgatitur.

 

Një mëngjes, kur po kopjoja detyrat te kangjellat,

ca pika shiu ma bën me njolla fletoren e diktimit,

s`harroj kurrë shuplakën zemërake të mësueses,

mesazhin:“se sa i shëmtuar ishte vesi i kopjimit”.

4.

Gjithkush e ka t`shtrenjtë e t`dashur vendlindjen,

për të shprehë gjithmonë ndjenja t`çiltra dhe mall,

është hapësira që zgjon shumë fantazi dhe ëndrra,

është guaska  e magjishme, që mban margaritarë.

 

Skela ditë dhe natë vazhdon të pres e të përcjellë,

peshkatarë e detarë përshkojnë detet tej e mbanë,

tragetet venë e vijnë me turistë,mallra e udhëtarë,

teksa dielli lind n`Kaninë dhe perëndon në Sazan.

------------------------

1).Bëhet fjalë për Skelën e Vlorës, port i mbrojtur nga dallgët e  stuhitë, ku ngarkohen e shkarkohen anijet, por edhe ankorohen anije udhëtarësh.

Skela është dhe lagje bregdetare e qytetit të Vlorës.

1).Bëhet fjalë për ngushticën ndërmjet “Kepit të Gjuhëzës në Karaburun dhe ishullit të Sazanit,të quajtur ndryshe ngushtica e Mezokanalit 4.8 km e gjerë. Aty pranë është edhe kufiri ku ndahet deti Adriatik nga deti Jon.

2). Rimorkiator: Anije  e vogël me motor të fuqishëm, që shërben për të tërhequr anije të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat