Gratë e dhunuara gjatë luftës së fundit shprehen përmes ekspozitës së artit

Kultura

Gratë e dhunuara gjatë luftës së fundit shprehen përmes ekspozitës së artit

Më: 5 nëntor 2018 Në ora: 13:29
Ekspozita e artit “Ngjyrat e shpirtit tonë”

Sot është hapur ekspozita e artit “Ngjyrat e shpirtit tonë”, në kuadër të projektit të UN Women, e cila shfaq brendinë e shpirtit të autoreve që veprat e tyre nuk mund t’i nënshkruajnë me emër, nga paragjykimet me të cilat jetojnë të rrethuara me vite me radhë.

Ulrika Richardson, përfaqësuese e UN Women në Kosovë, ka thënë se përmes kësaj ekspozite ngritin zërin e grave te dhunuara gjatë luftës.

Richardson: Këto ekspozita japin shpresë

“Kjo ekspozitë ka shumë ngjyra, që në realitet japin shpresë për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë konfliktit të fundit, ende nuk ndjehet zëri i tyre, ende nuk është ofruar drejtësia për to, ende mbetën pa zë”, tha ajo.

Ajo theksoi se kjo është një mënyrë e shprehjes së përjetimeve të rënda të jetës që kanë pësuar kjo kategori e shoqërisë sonë.

Richardson: Kjo është mënyra e shprehjes së grave të dhunuara gjatë luftës

“Ka shumë të mbijetuara që flasin, por shumë më shumë prej tyre ende kanë frikë dhe turp që të flasin në publik. Kjo ekspozitë, kjo mënyrë e shprehjes është një prej mënyrave se si mund të shprehen dhe paraqesin se çka janë duke kaluar në jetën e tyre”, u shpreh ajo.

Ndërsa, artistja Blerta Syla që ka udhëheq dhe punëtoritë e kësaj ekspozite, ka thënë se në këto punime shprehet liria, shpresa e ardhmja.

Syla: Me gjithë këto dhimbje që kanë, këto gra u liruan gjatë zhvillimit të kësaj punëtorie    

“Për gjithë atë kohë që ka zgjatur galeria, ne menduam kështu dhe vepruam kështu, prandaj gjithë këto punime janë fryt i kësaj pune që e bëmë me kaq dashuri. Këto gra me gjithë dhimbjen që e kanë, hallin që jetojnë tash e sa vite, sikur u liruan, iu zbeh gjithë kjo në kohën sa e zhvilluam këtë punëtori”, tha Syla.

Ekspozita ka për qëllim ngritjen e vetëdijes qytetare për të mbijetuarat e dhunës seksuale, reflektuar mbi  kufizimet  që kanë jetuar ato ndër vite, si pasojë e paragjykimeve me të cilat përballen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat