Ç'është një festival ndërkombëtar poezie?

Kultura

Ç'është një festival ndërkombëtar poezie?

Nga: Ylli Çela Më: 7 nëntor 2018 Në ora: 15:30
Poetët dhe shtatoja e Naim Frashërit

A janë poetët, poezi apo perëndi?...

Këtë askush se di.

Në pamje të parë janë njerëz të thjeshtë.
Por, gaboni...

Ata s'janë thjeshtë të thjeshtë, por hiqen si të tillë mes injorancës që i rrethon. Janë të dërguarit e zotit në tokë.
Çajupi para 100 viteve pat thënë:
- "Duajeni poetin që bën poezinë.
Se është shenjtorë, i barabartë me Perëndinë".
Dhe kësaj rradhe, zoti i çoi në Pogradec. Në Meken e shenjtorëve poetë.
Ata janë, thjesht të çiltër, të pastër.

Të varfër në para, por jo në në shpirt.
Të puthin si rreze dielli dhe të përkëdhelin me fjalë të mjaltosura, nga zgjoje mençurish...
Eh, ti shikoni kur mblidhen shenjtorët poetë...
A thua, se kanë vite që njihen me njëri-tjetrin.
Po, patjetër...

Ata kanë vite që jetojnë nën çatinë e artit. Dhe çatia e artit është e madhe. Ata frymojnë nga e njëjta frymë. Nga fryma e shenjtë e dashurisë së Perëndisë.
Ju nuk mund ta merrni me mend, sa të lumtur ndihen, kur përkedhelin hiret e Zonjës Poezi.
Të gjithë të dashuruar pas saj...
Të etur e të pangopur. Nga sytë e tyre ka vetëm rreze dashurie e sinqeriteti.


* * *
Po, po... Unë isha atje... I pashë dhe i takova.
Asnjëri se kuptonim gjuhën e njëri tjetrit. Por, të poezisë dhe të shpirtit, po.
Dashuroheshin me intonacion, ritëm, muzikalitet... dhe shikim të parë.

Të gjithë të brishtë. Të ndrojtur, pa ndroje...

* * *

Tetova, sikur ishte vendbanimi i tyre i lashtë prehistorik.

Se ndryshe, s'ka se si Beati (zvicerani) laureati me moshë mbi moshat mezi dendronte e fliste, po sytë i lëshonin zjarr nga lumturia... Gloria (diamanti i zi), nga Kepi i Verdhë, që pëfaqësonte Portugalinë. Edhe pse pigmentin e ngjyrës së lëkurës e kishte vjedhur nga kafeja ekspres, qeshej e gëzohej si një fëmijë i sapo ngritur në këmbë.
Profesori i madh italian, Xhuzepe, si një Dante Aligeri i ardhur në vite, i moshuar, por shpirti i tij farkëtonte zjarr.
Po, Ndue, djali i mençur energjik dhe plot humor kosovar.
Po poeti palestinez, thua qeshte me shpirtin, që i qante për paqë...
Po zonja, "Nëna" e jonë malajziane Rokiah Hashim, që jetën e saj ia kishte kushtuar allahut dhe poezisë... që qeshej me psherëtimën e saj të vetvuajtur, plot mall...
Po hollandezja, Gerri Van der Linden,... e bukur deri në pafundësi, jo vetëm tek sytë e saj... Po thellë shpirti i saj digjej nga dashuria për Shqipërinë dhe shqiptarët. Elegante në llojin e saj, dhe s'ngopej duke thënë me krenari: "- E kam burrin kosovar, dhe kam një djalë shqiptar që quhet, Luan..."

Po, si mund të harroj portorikanin Noan, repistin e talentuar, që këndonte me vargun e tij në çdo frazë.  Energjikun e lindur, a thua se, ishte lindur e rritur në Shqipërinë e Mesme.
Po aktorja zviceriane, Lucilla Trapazzo, që fluturonte nga lumturia, kur ishte mes shqiptarësh. O zot, ai sy i madh poetik që çdo kujt dinte t'i falë dashuri.

Po maltezja, që edhe pse burrin Ministër i Kulturës në Maltë, ndihej aq e shpenguar dhe e qetë. Ka mundësi që origjina ime e largët siciliane ndoshta më nxjerr arbëreshe dhe qeshte e lumtur...
Po kolumbiania bukuroshe, Marisol, që të vriste me seriozitetin e çiltër të saj. 
Ah, islandezi bukurosh Kristian Gutessen, që na kënaqi me këngët e tij baladë, e që luante aq bukur e me seriozitet në kitarë.

Po miku danez, 70 vjeçari, që ndihej 20 vjeçar në vallet popullore.....
Po Zilka, (Liria) gjermane, që edhe emrin e ka vënë shqiptar për nder të krenarisë dhe dashurisë së përjetshme që ndjen për Shqipërinë dhe shqiptarët. Edhe pse me kancer jep gjithshka për Festivalin. Gjithçkaaa... Edhe shpirti nuk i dhimbset, dhe thotë me krenari: "- Po. E dua Shqipërinë. Është atdheu im i dytë... ". Dhe e flet shqipen më mirë se gjysma e gjimnazistëve, që s'din ta shkruajnë, e dalin profesorë gjuhe pasketej.
Dhe gjuha më lidhet për Gemën, vajzën e bukur spanjolle. Ajo që dinte të falte lumturi e dashuri pafund tek të gjithë... Pedagogia e Universitetit Madrilen... -"Kisha dëgjuar për shqiptarët fjalë jo të mira, por...shqiptarët janë më shumë se të mrekullueshëm, të ëmbël, të dashur, të mirë e të shoqërueshëm.... Ehhhhh!"). Dhe lotët si pushojnë tek sa ndahemi të malluar. Lot që flasin më shumë se një roman... I lutem të pushojë, por... Nuk ka fund lumturia e saj. Po, po... Qan e qesh me lot... Dhe ç'të them më tej...

* * *
Teksa flasim për Lasgushin dhe Mitrushin, mikja e shtrenjtë, Natalia Trevino, profesoresha e Universitetit të Teksasit në Arizona të Amerikës, qan... Po, po loti në ata sy të bukur... Në ate shpirt brilant merr tjetr ngjyrim emocional... Si ka mundësi kjo jetë e zezë për Prometeun e poezisë lirike, Lasgush Poradeci? Është meksikane me origjinë. Ulet në gjunjë... Përgjërohet përpara Mitrushit, kur merr vesh se u kall i gjallë në varr. I lutet zotit që ta bekojë Shqipërinë dhe shqiptarët, kudo që janë...

Fjalët rrjedhin bashkë me lotët pa fund.
...Dhe maqedonaset, Sllagjana dhe Elena, që nuk shfaqen aspak nga mëdyshje në dashurinë e tyre për artin dhe poezinë. Aq të lirshme, sa zor t'i besoje se ishin të panjohura për poetët.
Dhe koha kafshon kohën që s'qe e aftë të ruante Lasgushin dhe Mitrushin shenjtorët e penës.
O zot, sa e duan dhe pëlqejnë muzikën shqiptare, serenatat...

Por, edhe teksa përpiqen të mësojnë vallet popullore.
Në krye të tyre vajza çapkëne, Erina nga Burreli, redaktorja dhe poetesha e ëmbël shqiptare.
Zoti e bekofte ate, dhe korçarin Arjan Kallço, mikun tim, profesorin e Universtetit "Fan Noli". I papërtuar, tek këndon. Si një serenataxhi i lindur. Apo këngët ritmike... Athua se, kishim vite që këndonim bashkë duete.
Dhe unë hesht. Se s'kam ç'të bëj, veçse të hesht.

Po heshtja vret, zemra buçet, e shpirti lotët brazdave i tret.

Nuk e di sesa denjësisht e prezantova Pogradecin dhe Mokrën time... po, e rëndësishme është të marrësh pjesë në Festival. E ç'rëndësi ka vendi apo çmimi...

Dhe në fund qershia mbi tortë.
- Të falenderoj pa fund Shaip Emërllahu, drejtor i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë "Ditët e Naimit". Me gjithë krijesat e tua engjëllore e brilante, Dimalin, përkthyesin e djalin e bukur shqiptar... por, edhe Nartën, që e bën me fat ate familje, që e ka... lum ai që do e marri...
Të palodhur deri në sakrilegj... O zot bekoi njerëzit atdhetar, si Shaip Emërllahu. I papërtuar, i palodhur, i qeshur dhe i dashur. Shqiptar i vërtetë...
Na bëre t'i themi botës me zë plot, që derisa poetët jetojnë, bota nuk ka vdekje. O ju politikanë të shtirur... Dëgjoni poetët... dhe bota nuk do ketë luftë, po veç paqë e dashuri.
Aq me tepër Shqipëria...

Faleminderit vëllezër poetë!
Faleminderit që më përmendët nga gjumi i heshtjes, i cili më kishte zënë.

Zoti ju bekoftë, ju dhe familjet tuaja kudo që ndodheni.

Amin!.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat