Me rastin e ditëlindjes së poetit Lasgush Poradeci

Kultura

Me rastin e ditëlindjes së poetit Lasgush Poradeci

Nga: Sulejman Mehazi Më: 12 nëntor 2018 Në ora: 13:14
Lasgush Poradeci

Poezia për Lasgush Poradecin është produkt njerëzor i një bote tjetërfare nga realja, natyrorja që shpreh një kumtim, shpresë dhe mbresë për botën që nuk i përkasim, botë e brendshme nga e cila s'kemi mbirë, në të cilën jemi flakur. Kjo tregon se poezia për Lasgushin është nostalgji, kujtesë, ëndërr, mall, etje, varfëri, dashuri, llahftari, harmoni, përsosje. Për të gjitha këto poeti na ben me dije se poezia i takon intuitës, imagjinatës, frymëzimit, zemrës, shpirtit, dashurisë, dritës, yjeve,  përjetësisë që i takojnë të njëjtit lloj gjenealogjik të esencës së krijimit poetik.

Poezia për poetin është dërgimtare që e pranojnë shpirtrat e fuqishëm prometheik të cilët nga zemrat e tyre nxjerrin zjarr, nga zjarri dritë dhe nga drita përjetësi, (1) se vetëm këta janë shpëtimtarët të vizionuar dhe të harmonizuar. Pra, arti poetik në kuptimin e plotë të fjalës është cilësi, vlerë dhe  dhuratë natyrore e shpirtërore. Në poezi, melodi, pikturë, artistët gjenden ballë për ballë me fshehtësitë e quajtura cilësi, vlerë me kuptime e pamje metafizike të fjal?s; sepse kjo pamje, ky komunikim bëhet njohuri mbi botën e brendshme shpirtërore, sikurse shkenca që ka njohuri mbi natyrën fizike të jashtme.

Poeti, me të drejtë ka konstatuar se definicioni i artit është ligj shpirtëror e hyjnor i cili përcaktohet nga frymëzimi që i dedikohet lumturisë së vërtetë njerëzore. Ja çfarë thotë Lasgushi: "Prandaj misioni i artit është të na jap kënaqësi estetike që qëndron përmbi të gjitha këto mizerje të jetës. Këndojmë një poezi, shikojmë një pikturë, dëgjojmë një simfoni dhe kënaqemi! Jeta na ëmbëlsohet, na bëhet e dashur, e bukur".

Kjo kënaqje nuk krijohet me anë të qasjes së intelektit, analizës, vëzhgimit, eksperimentit dhe përvojës së jashtme që është një shumë e sendeve të dukura me sy të rëndomtë, por tjetër lloj, është kredhje në brendinë e poetit, në skutat dhe fshehtësitë më të thella shpirtërore, Këto fshehtësi intuitive, imagjinative, Lasgushi i parandien, por nëpërmjet shqisave shpirtërore siç janë: shqetësimet, përjetimet, dashuritë, vuajtjet dhe aspak s'kanë të bëjnë me njohjen racionale.

Sikurse bota që na rrethon me shenjat e pafundme që flet dhe korrespondon me anë të shenjave, figurave, metaforave, ashtu edhe struktura e poezisë së Lasgush Poradecit që prej këngës kryesore dhe udhëheqëse"Zog'i Qiejve",, e me bashkimin harmonik të cikleve krijon konceptin e veprës metaforë dhe me këtë rradhitje harmonike krahasohet me Bodëlerin dhe librin "Lulet e së keqes"(Lulet e ligësisë).

Kulti i gjuhës poetike, i dashurisë, jetës, vdekjes, përjetësisë, i flamurit, lundrës, anijes, nositit të cilët janë simbole të idealit shkrihen në kulte biblike, e miteve pelazgjike-ilire, fjalës dhe magjisë së lashtë të vedave, të frymës danteske.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat