Mid ’hati i Frashërinjve

Kultura

Mid ’hati i Frashërinjve

Nga: Sylejman Salihu Më: 13 nëntor 2018 Në ora: 09:25
Mid’hat Frashëri

Mid’ hati po vjen në atdhe. Jo për të gjallë, por si Konstantini po ngrihet nga varri.Fundja po vjen te babai Abdyl dhe Nëna Shqipëri. Por ai ishte në të vërtetë edhe i gjallë, derisa na la kaq e kaq vepra me fjalë floriri. Ai ishte i lindur në Janinë në kohën kur i ati i tij Abdyli ishte në Prizren si ideolog politik i Lidhjes.Mu në vrullin e lindjes së shqiptarizmës. Mid' hati po vjen jo në Janinë, se Janina mbeti jashtë Shqipërisë, por edhe Tirana është vendi i tij. Ai jetoi aty, veproi aty dhe aty edhe do të prehet pas një varrimi të detyrueshëm në vendin e largët, të Amerikës mike. Ajo e strehoi, ajo i dha edhe një varr. Se atdheu, nuk denjoi. Nuk kishte vend madhështia e tij se ia kishin frikën ata që karshi tij dukeshin milingona. Prehjen e përjetshme njeriu e do në atdhe. Kush nuk e deshti një prehje të tillë nga njerëzit e kombit? A mos nuk e deshti Faiku i Konicës? E deshti, madje kishte lënë mënjanë edhe shpenzimet e transportit dhe të varrimit që do të bëheshin derisa do ta transportonin trupin e tij të pajetë për në Shqipëri. Amaneti i tij u përmbush. Por ishte një pëprmbushje e vonshme, tepër e vonshme. U desh të vdiste dikatatori dhe edhe vetë diktatura dhe t’ i hapej porta gjeniut të madh të vinte në arkivol dhe të ndjente dheun dhe aromën e atdheut te Liqeni i Tiranës. Po Mid’ hati? E deshi edhe ai një kthim, qoftë edhe për së vdekuri? Doemos që po , se kush nuk e do atë?
*
Mid’ hati po vjen dhe lajmi për ardhjen e tij më gëzoi. Shumë, tepër shumë. Ardhtë i bardhë, thashë! Se edhe ai ishte një gjeni. Një gjeni i kombit që ishte kudo dhe kurdo, që në orët e para kur populli e kishte nevojën e tij. Ishte në ngritjen e flamurit në Vlorë dhe firmosi në dokumentin e pavarësisë, ishte në bërjen e alfabetit në Manastir dhe e kryesoi atë, ishte në ballë të organizatës politike “Balli kombëtar” se e ndjeu që herët hilen e komunistëve hileqar. Ishte pra në ballë dhe jo në bisht siç do të thoshte plaka e Musarajt në poemin e tij "Epopeja e Ballit kombëtar". Kishte bibliotekën më të madhe në Shqipëri me 18.000 tituj në shumë gjuhë botërore, 200 nga të cilat ishin dorëshkrime dhe nga e cila doli Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë. Por përkundër që ai ishte në rrënjë dhe në thelb të shqiptarizmës, qenë ca të tjerë, që nuk e deshtën atë dhe nga ky shkak u detyrua të ikte, nga vendi për të cilin kishte jetuar dhe kishte punuar për të gjithë jetën. Kapërceu male, dete dhe oqeane dhe u gjend në Amerikë, duke menduar se mund të punonte edhe më tutje për të bukurën, të shtrenjtën por edhe të varfërën Shqipëri. Por edhe kur një natë lajmëroi se do të fliste me njerëzit e atdheut dhe do t’ u drejtohej me shpirt dhe zemër, përmes valëve të radio BBC në Londër, nuk e lanë të dëgjohej zëri i tij. Atë natë i ndalën dritat dhe mesazhi i Mid’ hatit mbeti pa shkuar nëpër etër tek veshët e bashkëvendasëve të tij, mbeti pa shkuar në Shqipërinë Nënë. Kot pritën atë mbrëmje të vonë njerëzit, kot u ulën pranë radiove, se u fikën dritat dhe u fik bashkë me to edhe shpresa për ta dëgjuar Birin e Kombit. Edhe atij vetë nuk i erdhi kurrë një rast tjetër që t’ i drejtohej popullit të tij.

Ëndrra e tij u pre, se ai vdiq. Nuk dihet në vdiq apo e vdiqën, domethënë e vranë. Nëse nuk e vranë me plumb atëherë e vdiqën apo e vranë në një mënyrë tjetër që mund të jetë helmim me veprim të vonuar. Kushedi? A nuk kishin bërë komunistët ç' kishin mundur? Pra gjithsesi ishte një vdekje e dyshimtë dhe kjo duhet të jetë e saktë. Se diktatura ia kishte ende dronë dhe frikën atdhetarit të madh, që mbi të gjitha kishte atdhenë. Ishte djalë beu dhe një pinjoll i madh i Frashërinjëve. Ia lanë apo e mori vetë këtë barrë si amanet për t’ i çuar përpara idealet e babait dhe xhaxhallarëve të tij, Naimit dhe Samiut dhe gjithë burrave tjerë të kombit? Madje nuk bëri as familje. Thuhet si në humor të ketë thënë se s’ kishte kohë, se po punonte për Shqipërinë. Mbase thuhet edhe tjetra, se druante në mos pasardhësi i frashërinjëve nuk do të ishte i denjë (se nuk i dihet ç' del nga rrënjët e fisit)për emrin e madh të familjes unikat të Frashërinjëve. Se puna për Shqipërinë vazhdonte nga brezi në brez. Për Shqipëri. E për atë Shqipëri ishte siç shprehej xhaxhi i tij, Naim Beu “ që nga Tivari deri n’ Prevezë”, për të cilën i dhanë të gjitha: mendjen, pasurinë, dashurinë.

Edhe Mid’ hati, nuk mund të bënte ndryshe. Tërë dijen, tërë mendjen, tërë shpirtin dhe tërë pasurinë ia fali Shqipërisë, e cila e varfër në shpirt nga komunistët e pështirë nuk i bëri vend as për një varr. Dhe ja, tash i erdhi radha Mid’ hatit siç i ndodhi edhe Faikut, që të kapërcejë Atlantikun dhe në arkëmort, të shkojë përcjellë nga mijëra vetë " që e deshën, kur s' e deshnin" për të pushuar përgjithmonë te Kodrat e gjelbëruara të Liqenit. Aty është i ati, aty është i ungji, aty është edhe Faiku, që si Janina e Mid’ hatit edhe Konica e Faikut, mbetën në Greqi me kokën dhe sytë nga Shqipëria dhe sikur thonë: a mendon kush për ne? Apo: kaq shpejt na harruat?

*

Këtu e nja dhjetë vjet më parë më zuri belaja me një njeri të palexuar por që ishte një enverist i i qelbur. Në bibliotekën e tij kishte ca libra të leckosura të Enver Hoxhës dhe kujtonte se krejt dija e botës është brenda atyre librave. Fati e deshi që ngatërresa u bë në telefon pasi ai vetë e donte një bisedë me mua dhe i shkreti, duke pandehur se di , u ngatërrua edhe me emrin e Mid’ hatit dhe pafytyrësisht e quajti “tradhëtar”. Për një moment u stepa dhe gati m’ u ndal fryma por mora forcë ta vazhdoja bisedën duke e “ qortuar” “mikun” se mos po nxitonte në vlerësimin për Mid’ hatin. Por ai si trushkretë dhe trutharë që ishte, vazhdonte të këmbëngulte në qëndrimin e tij, që ishte qëndrim i regjimit dhe politikës së komunistëve gjithnjë duke u bazuar në gjykimin prej “tradhtari” që ia kishte ngjitur idoli i tij, Enver Hoxha dhe klika e tij komuniste. Dhe kujt se? Djalit të Abdyl Frashërit!! Më kombëtarit, më atdhetarit, më shqiptarit. Për fatin tim të mirë unë disa muaj më parë kisha lexuar librin e Uran Butkës “Gjeniu i kombit”, të cilin e kisha përpirë me një frymë dhe në çdo faqe po arrija ta njihja Mid’ hatin, i cili sa vinte e rritej dhe përmasat e tij u bënë përmasa të një kolosi të madh që për fatin e mirë e kishte pasur populli shqiptar. Duke mos pasur sukses që “mikun” ta bindja se ishte djali i Abdylit dhe nuk mund të bënte gabime në jetën politike, madje pikërisht sapo kisha lexuar librin e përmendur, i thashë që të mbajë gojën se ndryshe do t’ ia prisja fjalën. Ai duke qenë një gdhë, nuk e pranoi këshillën dhe qortimin tim miqësor, por po këmbëngulte në kryeneqësinë e tij prej injoranti. Pastaj m' u sosën të gjitha burimet e durimit, ndaj i thashë se që në ato momente përfundon “miqësia” jonë edhe ashtu e brishtë. Kur e lëshova kufjen e telefonit nga dora me një përplasje të fortë pa fajin e saj , hetova një zjarmi në ballin tim, që po më vinte nga ana tjetër e receptorit, por edhe ndjeva fort se shpëtova nga një torturë e madhe. Nuk e kam parë më atë dhe as më ka marrë malli ta shohë kurrë, por kur tash po vjen madhështor personazhi im i asaj mbrëmje të zymtë Mid’ hati i Madh, m' u kujtua surrati i tij dhe u gëzova shumë për "ngadhënjimin" tim ndaj atij taravoli dhe veçanërisht iu gëzova shumë ardhjes së Mid' hatit të Frashërinjve, apo Lumo Skendos, siç ishte pseudonimi i tij i kohës. 
Mid’ hat i dashur, mirë , se vjen në Atdhe!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat