Çlirimi i poezive të Havzi Nelës

Kultura

Çlirimi i poezive të Havzi Nelës

Nga: Rexhep Shahu Më: 13 nëntor 2018 Në ora: 23:30
Kopertina e librit

30 vjet pas ekzekutimit me varje në litar të poetit martir Havzi Nela dhe 28 vjet pas pluralizmit, pas një vonesë që nuk e arsyeton asgjë veç mosdashjes së atyre që u vetshpallën kujdestarë, mbykqyrës a pronarë të poetit, po botohet vepra e tij e plotë, Shtatë Fletore me 5548 vargje, nga shtëpia botuese Klubi i Poezisë. 

Havzi Nela me këtë libër doli në liri, shpëtoi njëherë e mirë, shkoi në dorë të lexuesve, të cilët dinë ta lexojnë e çmojnë vetë pa receta. 
Tani askush nuk e pengon Havziun, nuk e mban dot të fshehtë që ta përdorë stinë pas stine për politike apo për politikë apo për ndonjë çokë politike a letrare.

Havzi Nela i këputi të gjitha prangat dhe doli në liri me 5548 vargjet e tij të botuara në këtë libër, bashkë me dorëshkrimet e plota të skanuara të shtatë fletoreve të tij.

Shpëtoi Havzi Nela prej çetës së penguesve dhe vonestarëve që nga dashuria e madhe për të e kanë mbajtë në burg demokratik mosdashje dhe kanë vonuar njohjen e poetit dhe përmasave të tij të jashtëzakonshme, patriotike, antikomuniste, humaniste. 
Është i jashtëzakonshëm Havzi Nela me poemat e tij për Kosovën, për demonstratat e saj, për herojtë e saj për Hasan Prishtinën, për Tahir Mehen, për Adem Demaçin e rinisë së tij, për qytetet e Kosovës për Prishtinën, Ferizaj, Pejen, Suharekën etj etj., dhe askush sa e si ai nuk ka shkruar në ato kohë për Kosovën ani se nuk dihet kjo gjë, ky dimension e kjo përmasë e Havziut. Ka në fletoret e tij poezi të përsëritura për Kosovën. Ashtu i kemi lënë të përsëritura për të qenë besnik me fletoret e tij, siç kemi lënë edhe gabimet drejtshkrimore siç janë në fletoret origjinale që i sjellim të skanuara në këtë libër. 

Askush si ai nuk u ka kënduar krahinave e qyteteve të Shqipërisë dhe askush si ai nuk ka guxuar të lëshojë kushtrim e të ftojë qytete e krahina për tu ngritur për liri kundër diktaturës.

Në këtë 30 vjetor të varjes së Havzi Nelës ndodhën gjëra që po ti liheshin rrjedhës e rastësisë, s’do të bëheshin as pas 60 vjetësh këto që u bë për 6 muaj për poetin martir. 

Ata që e kanë mbllaçtë Havzi Nelën për gati 30 vjet dhe e kanë keqpërdorë për betejat e tyre të dështuara politike dhe antikomuniste, ende nuk kanë shkuar t’ia shohin bustin apo shtëpinë e re që ia ndërtoi Bashkia e Kukësit, ende nuk kanë bërë apo shpërndarë një fotografi te busti apo te shtëpia e poetit martir, ende vazhdojnë ta mallkojnë Havziun që nuk i rekomandon për karierë, që nuk i bëri dot deputetë, kryetarë, qeveritarë dhe duke dashur ta maskojnë urrejtjen ndaj Havziut më mallkojnë mua që gjeta përkrahje maksimale nga kryetari i bashkisë Bashkim Shehu dhe humanisti Flamur Hoxha dhe gjithë ata që u angazhuan me shpirt që të nderohet sa me solemnisht e fisnikërisht Havziu në 30 vjetorin e varjes, me bust mes qytetit të Kukësit, me shtëpi të re në Kollovoz, me revistë speciale për shkrimtarët martirë, me libër të shkrimtarëve për Havziun shpirt të lirë të Lumës dhe me botimin për herë të parë të veprës së plotë të Havziut, Shtatë Fletore me 5548 vargjet e tij.

Enveristët e maskuar me kostume antikomunistësh që bëjnë e duan të bëjnë si pushtetarët e diktaturës pasi mendojnë se duke zevendësuar pushtetarët e diktaturës fitojnë të drejtat dhe lirinë, enveristët mes të përsekutuarve që nuk kanë asnjë lidhje me antikomunistët e rracës që heshtin në fisnikërinë e tyre, që nuk pështyjnë as spërkasin urrjetje si jargë pështyme kundër të tjerëve si enveristët e bllokmenët e djeshëm kundër të përndjekurve politikë realë, nuk lejojnë që njerzit ta duan e ta njohin Havzi Nelën, pasi thonë Havziu është i yni, jo i tyri, e izolojnë dhe synojnë ta mbajnë Havziun për çetën e tyre të mjerë. Ata mendojnë se veç ata kanë të drejtë ta duan e ta njohin Havziun, ta duan veç vetë e veç për veten e tyre, sikur ai është i tyre, pasi ata e ndajnë shoqërinë sot si në diktaturë, në tonët e të tyret. Dhe një e dy çirren duke thënë Havziu ynë, Havziu ynë… Duket se duan që Havziu të jetë i atyre, dhe ata përmes Havziut e kujdesit formal ndaj tij, duan të marrin grada politike si enveristë që drejtojnë antikomunistët, nga ata antikomunistë që spiunonin Havziun e i delnin deshmitarë në gjyqe kur ai thoshte hapur në gjyqe, unë nuk ju dua, unë jam kundër jush…, jam dakort me çfarë të thoni e të doni ju, veç mu hiqni sysh…

Jam me fat dhe krenar që jam botuesi i parë i veprës së plotë të Havzi Nelës, vepër pikturë besnike e kohëve të errëta të diktaturës, simfoni e përgjakur. Poezitë e Havziut në 5548 vargje po botohen ashtu siç janë në origjinal, pa asnjë ndryshim, pa korigjuar as gabimet kozmetike, pa bërë asnjë ndryshim, gjithë poezitë e shtatë fletoreve, edhe të radhitura në kompjutër edhe skanuara. 
Fati i fletoreve poetike të Havzi Nelës ngjan me fatin e tij. Ai mbijetoi burgjeve me vargjet në mendje, duke i fshehë fletoret në gji, nën sqetull, në shpinë. Pas viti 1983 kur arriti t’i nxjerrë 6 fletoret me poezi jashtë burgut të Qafë Barit, duke ia dhënë të vëllait Shukriut si amanet, fletoret u “burgosën” në shtëpinë e Shukriut, u murosën.

Në dhomën e gjumit të shtëpisë së Shukriut, në dollapin e teshave të shtratit, në dishekllëk, prishën pak mur, hapën një gropë aty dhe në atë gropë në mur, pasi i mbështollën me plasmase e katrama, i futën 6 fletoret me vjershat e Havziut. Pastaj e ndërtuan murin përsëri sikur të mos ishte prishur asnjëherë. Aty u murosën 6 fletoret e burgut me poezi të shkruara në burgje si letërsi e mirfilltë burgu e jo të shkruara zyrave luksoze pas daljes nga burgu siç ka ndodhë rëndom të shkruhet letërsia jonë e burgjeve.

Aty të murosura mbijetuan 6 fletoret poetike të poetit martir Havzi Nela deri kuir ai doli nga burgu. Disa muaj pas daljes nga burgu u nxorën fletoret nga muri dhe Havziu ia dha ti mbante mbesa e tij Veria, vajza e vëllait të tij të madh, Asllanit. Havziut nuk i ra të merrej me to dhe nuk arriti t’i realizonte ato premtime, ato korigjime e ndryshime që kishte shkruar se do t’i bënte kur t’i jepej mundësia. Nuk u gjet i qetë asnjëherë në ato 10 muaj që jetoi në Kollovoz pas burgut.

Pastaj Havziu shkoi në internim në Arrën 10 muaj. Natën e vitit të ri 1987, të dy vëllezërit e Havziut, Asllani e Shukriu shkojnë në Arrën dhe e kalojnë bashkë atë natë. Havziu, të nesërmen, pasi u kishte thënë vëllezërve, mos ejani më të më takoni në internim në Arrën se si të dalë gjethi unë nuk rri më këtu, i jep Shukriut si amanet të fundit edhe fletorën e shtatë me 4 poezi të shkruara në Arrën. Dhe kështu u bënë 6 fletore me mijëra vargje poezie të shkruara burgjeve e çelive dhe një fletore me 4 poezi e një shënim të 18 nëntorit 1987 të shkruar në Arrën.

Kur Havziu u dënua me varje në litar dhe u ekzekutua, nga frika e kontrolleve, Asllani i thotë Shukriut t’i heqim fletoret e Havziut, ti largojmë, t’u gjejmë vend tjetër. Të dy vëllezërit e Havziut përmes një ankthi e frike që ua prishte çdo qetësi e komunikim, një natë të terrtë i hoqën fletoret nga shtëpia e Asllanit. Dhe nuk I futën më në mur ku kishin qëndruar shumë vite që nga 1983 por i futën në një gropë, te rrënjët e mollës para shtëpisë së Havziut në mbi 70 centimetër thellësi.

Shukriu gërmo e Asllani ruaj, duke u trembë edhe nga zhurma e lapës së gjethit që binte në tokë, e bënë gropën dhe pasi i mbështollën edhe me një plasmas shtesë, i groposën fletoret në rrëzë trungut të mollës para shtëpisë së rrënuar të Havziut.
Në 30 vjetorin e ekzekutimit me varje në litar, vit të cilin Bashkia Kukës e shpalli si vit të Havzi Nelës, pas ndërtimit e vendosjes së bustit të poetit në qytetin e Kukësit nga ana e Bashkisë Kukës, pas ndërtimit të shtëpisë së poetit në Kollovoz, fshatin e tij të lindjes nga ana e Bashkisë Kukës, pas botimit të numrit special të revistës Illz, revistë letrare e Tiranës, nr. 14, me 500 faqe kushtuar poetit martir Havzi Nela dhe shkrimtarevë martirë, me mbështetjen e humanistit Flamur Hoxha dhe bashkive Kukës e Librazhd, pas botimit të një libri të rrallë Shkrimtarët për Havzi Nelën – Shpirti i lirë i Lumës me mbështetjen e humanistit Flamur Hoxha, i cili shprehet në atë libër se është më e pakta gjë që mund të bëj për Havzi Nelën, pas sesionit të rrallë përkujtimor të shkrimtarëve kryesorë të vendit mbajtur në Kukës me 12 qershor për poetin Havzi Nela, pas inagurimit me 10 gusht të shtëpisë së poetit në Kollovoz në prani të shumë shkrimtarëve të rëndësishëm të vendit dhe politikanëve, u bë e mundur falë Flamur Hoxhës të mbërrijë në dorë të lexuesit vepra me titull Shtatë Fletore – Vepra e plotë poetike e poetit martir Havzi Nela me 5548 vargje. 

Më mirë vonë se kurrë.

Kjo vepër e rrallë, e jashtëzakonshme, është letërsi çelie, e shkruar me mend si rrallë në historinë e letërsisë, e muzikuar me gishta, letërsi e nxehtë përvëluese, poezi që kullon dhimbje, ankth, shqetësim, letërsi ditar i rrallë i asaj kohe të rëndë.

Nuk ka letërsia jonë e burgut, e shkruar në burg ose jashtë tij poezi më antidiktaturë, më antisistem, më pro Europë e Amerikë, më të qartë politikisht për çfarë kërkohet në vend e çfarë duhet ndryshuar. Ai u përgjigjej flakë për flakë ndodhive të mëdha me vargjet e tij.

Ai u këndonte herojve, ai i ftonte herojtë, ai besonte se herojtë janë aty. Ai si askush menjëherë u këndon të dënuarve të revoltës së Spaçit, herojve të tij që tronditën sitemin e diktaturës së kohës ani se ajo kërcëllloi dhëmbët e helmtë. Ai i këndon Kosovës, demostratave, luftës kundër italianëve, Mujo Ulqinakut, krahinave shqiptare, qyteteve shqiptare. Ne nuk e kemi njohur këtë poezi deri sot pasi është shpërfillur dhe dënuar me mosdashje e mosvemendje, është dënuar me një lloj burgu të ri, pavemendje, nënvlerësim, shpërfillje, është dënuar të rrijë aq sa është pasi po të diheshin përmasat e tij më përpara do të trondiste më shumë, do të çmohej realisht edhe në Kosovë.

Tani përmes këtij botimi Havzi Nela është i gjithi i të gjithëve. Nuk jepet më me recetë poezia e tij, nuk ka askush më të drejtën të na thotë se si e sa duhet shijuar Havziu, sa kripë apo sheqer ka Havziu, sa disidencë apo antikomunizëm ka Havziu. 

Vështirë të ketë letërsia shqipe autor që e sheh kaq të plotë, të lidhur e bashkë atdheun përtej 28 mijë kilometrave katrorë. Vështirë, në mos e pamundur që në atë kohë të ketë autor nga Shqipëria administrative që të shkruajë aq shumë e me aq pathos për Kosovën, për herojtë e Kosovës, për të vjetrit e të rinjtë, në një kohë kur Kosova ishte e ndaluar në ne e për ne, ishte Jugosllavi. 

Është ndër të rrallët antikomunistë me bindje që artikulon hapur e qartë me gjakftohtësi e thotë që, unë nuk ju dua. Është ndër të rrallët të burgosur që thotë, po, i kam thënë të gjitha çfarë të doni e të thoni ju pasi ai e kishte vendosë të përballej me diktaturën e dhunën e saj dhe nuk jepte pesë lekë për vdekjen, nuk e llogariste. Ndoshta antikomunistë të sotëm janë edhe ata ose fëmijët e atyre që e spiunonin Havziun në burg kur e dënuan me 8 vjet burg shtesë me 8 gusht 1975 në Rreshen vetem me deshmitarë teksa vuante dënimin e parë prej 15 vitesh burg që nga viti 1967.

Besoj se lexuesi që do ta marrë në dorë këtë libër do të thotë me mend, faleminderit. 

Historia e lëtërsisë shqipe nuk ka një të fat dytë të tillë as për autorin as për veprën e tij dhe besoj se çdo lexues, çdo student, çdo nxënës do të ndalej para kësaj vepre të pazakontë e këtij autori të jashtëzakonshëm me krijimtarinë, me jetën dhe vdekjen e tij makabre duke e varë në litar dhe duke ia zhdukur kokën. 

I vetmi shkrimtar shqiptar dhe europian i ekzekutuar me varje në litar pas Luftës së Dytë Botërore si disident politik i bindur antikomunist.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat