Vepër me rëndësi të madhe për historiografinë

Kultura

Vepër me rëndësi të madhe për historiografinë

Nga: Sadri Rexhepi Më: 14 nëntor 2018 Në ora: 21:24
Ilustrim

Kohë më parë doli nga shtypi vepra e autorit Prof. Dr. Vebi Xhemailit “Forcat Kombëtare në Mbrojtje të Shqipërisë Etnike 1941-1945”.

Njëri prej studimeve më afirmative të Prof. Dr. Vebi Xhemailit është vepra “Forcat Kombëtare në Mbrojtje të Shqipërisë Etnike 1941-1945”, e cila kohë më parë doli nga shtypi.  Prof. Dr. Vebi Xhemaili është një nga historianët më ambicioz të Shqipërisë natyrale. Ai deri më tani ka botuar shumë zëra shkencor dhe tetë vepra shkencore me përmbajtje shkencore nga historiografia e Kosovës Lindore në disa vëllime shkencore. Ai njihet edhe si njëri ndër reaguesit më të mëdhenj, qoftë përmes shtypit, qoftë nëpër debate të ndryshme lidhur me ndriçimin e historigrafisë së shqiptarëve në Maqedoni, karshi historianëve maqedonë.

Njëri prej studimeve më afirmative të  Prof. Dr. Vebi Xhemailit është vepra “Forcat Kombëtare në Mbrojtje të Shqipërisë Etnike 1941-1945”, e cila kohë më parë doli nga shtypi. Ky autor tash e 40 vjet më parë vazhdon të kontribuojë në fushën e historiografisë moderne shqiptare të Shqipërisë Etnike. Ai është angazhuar për ndriçimin e shumë personaliteteve dhe ngjarjeve të ndryshme historike.

Në këtë vepër vuliminoze mjaft interesante janë përfshirë shumë punime studimore shkencore, të cilat janë hulumtuar nga viti1980 e deri në vitin 2008, punime këto me të cilat autori është paraqitur dhe të cilat i ka lexuar në simpoziume, seminare e konferenca shkencore vendore dhe ndërkombëtare të mbajtura në Shkup, Tiranë, Prishtinë, Sofje, Budapest, Tetovë, etj., që nga viti 1990 e këndej. Studimet e prezentuara në këtë vepër janë vlerësuar lart edhe nga plejada e historianeve të vjetër që konsideroheshin si vulë e historiografisë shqiptare.

Në kaptullin e parë autori duke u bazuar në dokumente arkivore dhe literaturë tregon se si pushtuesit italo-gjerman propagandonin bashkimin e tokave shqiptare me Shqipërinë dhe kjo ishte arsyeja pse forcat nacionaliste e përkrahën këtë ide të shumëpritur për shqiptarët liridashës.

Në kapitullin e dytë autori flet për themelimin e organizatës “BESA”dhe veprimtarinë e saj tejet të bujshme në sensibilizimin dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare tek rinia shqiptare dhe te një pjesë e popullit që ishin neutral lidhur me çështjen kombëtre.

Ndërsa, në kapitullin e tretë autori trajton luftën politiko-ushtarake në mes Ballit Kombëtar dhe PKSH-së, duke zënë në gojë themelimin e Ballit Kombëtar, në krye me Mit’hat Frashërin, në një anë, dhe me “ndihmën” e Milladin Popoviqit, Dushan Mugoshës dhe Svetozar Vukmiroviqit-Tempos për themelimin e PKSH-së në Shqipëri, ku e gjetën dëgjuesin e tyre Enver Hoxhën nga Gjirokastra. Pastaj flet për Konferencat e Pezës, Mukjes dhe Labinotit, si dhe ardhjen e vonshme të Enver Hoxhës në krye të PKSH-së, me ndihmën e serbëve antishqiptarë dhe lojalistëve të tyre. Prej këtij momenti filluan mosmarrëveshjet deri në përmasa lufte, së pari në radhët e PKSH-së, e pastaj PKSH-së  kundër grupeve të  Ballit Kombëtar, të cilët kërkonin formimin e Shqipërisë Etnike.

Në kapitullin e katërt, sipas autorit Hoxha, sajonte grupe dhe komplote armiqësore që në të vërtetë ishin arma kryesore për “eliminimin e rivalëve të vet ndaj të cilëve ai ndihej inferior”. Dhe gjithënjë sipas autorit, PKSH-ja nuk e hapi rrugën e zhvillimeve politike dhe ekonomike, por përkundrazi ajo nxori në krye të saj një klasë politike, një udhëheqje partiake që do të vendoste variantin më të keq dhe më të egër të diktaturës komuniste në Evropë e më gjerë. ”Lufta klasore me fajin e PKSH-së do të sillte konfrontime vëllavrasëse, të cilat PKSH-ja do t’i ndiqte me një ashpërsi të pabindshme përreth gjysmë shekulli, duke i shkaktuar një përçarje të thellë kombit shqiptar dhe një tragjedi kombëtare, pasojat e së cilës populli shqiptar në Ballkan i bartë edhe sot e kësaj dite dhe do të duhet edhe shumë kohë për t’u eliminuar ato pasoja”.

Ndërsa, në vazhdim në kapitullin e pestë përshkruhet situata me thellimin e luftës së klasave dhe realizimin e planeve jugosllave në dëm të shqiptarëve dhe  çështjes kombëtare në përgjithësi e Shqipërisë dhe sipas Xhemailit lideri shqiptar Hoxha krenohej për ndihmën që po i ofronin jugosllavët në ndërtimin e shtetit!? Edhe pse ne e dijmë se cila ishte ”ndihma” e jugosllavëve për Shqipërinë!?.

Më tutje në kapitullin e gjashtë autori flet për marëdhëniet politike të PKSH-së dhe PKJ-së, që kishin një ideologji dhe program të përbashkët  dhe unike, ku përshkruhen qëndrimet e Enver Hoxhës për Shqipërinë Etnike, i cili si student ishte pro, ndërkaq pas emërimit të tij në krye të PKSH-së e ndryshoi qëndrimin e tij dhe tani filloi të punonte sipas udhëzimeve të Milladin Popoviqit, Dushan Mugoshës dhe Svetozar Vukmanoviq-Tempos. Madje, ai shkoi aq larg sa që i kundërshtoi edhe vendimet e mbledhjes së Mukjes dhe mbledhjes së Bujanit të gushtit të vitit 1943, sipas së cilës parashihej bashkimi kombëtar, që nënkuptonte me Kosovën etnike dhe Çamërinë etnike, Iliridën, Malësinë e Madhe, Kosovën Lindore, etj.

Në vazhdim vjen kapitulli i shtatë  ku bëhet fjalë për themelimin e Lëvizjes së Legalitetit më 21.XI.1943, në krye me Abaz Kupin, i cili ishte edhe pjesëmarrës i Konferencës së Pezës dhe Konferencës së Mukjes, kur Enver Hoxha kërkoi nga Abaz Kupi të kthehej në Frontin Nacional Çlirimtar. Abazi jo vetëm që nuk u kthye, por i bëri shumë vërejtje dhe kritikë të ashpër Enver Hoxhës, prej të cilit kërkoi që të hyjë në radhët e Legalitetit.

Abaz Kupi që kishte në mbikqyrje rreth 8000 veta u lidh me bajraktarët dhe me Ballin Kombëtar (Komiteti i Shpëtimt Kombëtar), në krye me Mit’hat Frashërin. Ai krijoi marrëdhënie të mira edhe me Xhafer Devën, i cili gëzonte besim të madh te gjermanët, veçanërisht tek oficeri i lartë, Herman Nojbaheri.

Në kapitullin e tetë bëhet fjalë për themelimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe menjëherë pas kapitullimit të Italisë gjendja politike në qytetet ku sundonin italianët filloi të luhatej, kështu që Xhafer Deva me lejen e gjermanëve ishte iniciator i themelimit të LDP e ku do të përfaqsoheshin të gjitha trevat shqiptare. Ai themeloi edhe divizionin prej 25 mijë luftëtarësh shqiptarë për mbrojtje nga forcatë çetnike. Kërkesa e parë e Xhafer Devës ishte që të bëhej regjistrimi i popullisisë nga arsimtarët e shkollave, me qëllim që të dihej se sa ishte numri i popullsisë shqiptare në Shqipërinë Etnike. Ai dhe Bedri Pejani kërkonin formimin e një ushtrie prej 120 deri në 150 mijë ushtarëve për të luftuar komunistët e të gjitha ngjyrave. Regjimenti “Kosova” në krye me Pajazit Boletinin u formua prej 1500 xhandarëve, njerëz të sakrificës për të mbajtur rend, kurse në masakrën e 4 shkurtit 1944 ku u vranë 84 vetë në Tiranë,  ai ndodhej në Kosovë, por shpejt u kthye atje. Në bazë të hulumtimeve dhe të dhënave të më vonshme është vertetuar se masakrën e kanë kryer akivistët e PKSH-së me qëllime të cakuara.

Në këtë vepër me premisa të larta shkencore janë trajtuar edhe shumë probleme të rëndësihme për shkencën dhe për historiografinë shqiptare, pa botimin e së cilës do të ndihej një boshllëk shkencor që vështirë se dikush prej historianëve  të kësaj gjenerate do ta plotësonte. Në fund preferoj që këtë vepër shkencore ta lexojë secili historian shqiptar, po deshi ta pasurojë dhe kompletojë vetëdijen e vet shkencore dhe kombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat